Prokuroria e Kukësit ka nisur hetimet për këngëtaren Fjolla Morina, një ditë pas largimit nga banesa ku ishte nën masën “arrest shtëpie”.
U konstatua se Morina ka thyer arrestin e shtëpisë gjatë kontrollit rutinë të Policisë. Ajo është shpallur në kërkim dhe dyshohet se është larguar nga vendi bashkë me partnerin e saj, biznesmenin Fisnik Syla.
Këngëtarja kosovare u arrestua më 19 shtator në pikën kufitare të Morinës, pasi në çantën e dorës iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me 23 fishekë, ndërsa në bagazhin e makinës iu gjet një tjetër pistoletë e llojit çakmak.
Fjolla Morina po udhëtonte me “Audi Q7”, së bashku me Fisnik Sylën dhe Fitim Mujin. Ndonëse u vendosën në pranga së bashku me këngëtaren, kjo e fundit i shpëtoi nga përgjegjësitë duke deklaruar se ata nuk ishin në dijeni për armën dhe se e kishte dhuratë nga mik i dashur që nuk jeton më.
Lidhja e Morinës me biznesmenin Fisnik Syla u bë publike pikërisht pas arrestimit.