Pas takimit të zhvilluar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar zyrtari i lartë i CDU-së gjermane, Johann Wadephul. Ai shkruan në rrjetet sociale se gjatë takimit me Ramën ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë der më tani si dhe ka theksuar se ka ende shumë punë për të bërë përpara fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Sot kam biseduar me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. E vlerësova përparimin që është bërë deri më tani, por gjithashtu theksova se ende ka shumë punë për t’u bërë përpara se bisedimet e pranimit të fillojnë,” shkruan ai në Twitter.
Kurse drejtoresha e Deutsche Welle për Europën, Adelheid Feilcke në një koment për samitin, shkruan se duhet bërë kujdes me stabilokratët.
“Prioriteti i stabilitetit e bën politikën për Ballkanin Perëndimor konsekuente dhe të argumentueshme në Europën e BE-së, por ai duhet të përplotësohet politikisht. Sepse në fund stabilitetin e dëshiruar mund ta garantojë vetëm një partner i besueshëm politikisht. Dhe besueshmëria e politikës funksionon edhe në Ballkanin Perëndimor përmes organeve demokratike të kontrollit dhe politikës demokratike të legjitimuar. Kush nuk e merr seriozisht sa duhet sot shtetin ligjor, nuk ka për të qenë aq serioz edhe në politikën e jashtme. Të besosh tek stabilokratët, që vërtet zbusin valët e refugjatëve, por gërryejnë nga brenda demokracinë, është dritëshkurtësi. Gabimet e bëra në rajone të tjera nuk duhet të përsëriten në Ballkanin Perëndimor!” shkruan ajo.