Në ceremoninë e 15 vjetorit të themelimit të LSI, Monika Kryemadhi iu drejtua me një thirrje të fortë qytetarëve shqiptarë, ndërsa kërkoi prej tyre të braktisin menjëherë qendrat tregtare të oligarkëve dhe pazaret t’i kryejnë në dyqanet e lagjeve.
“Sot unë i bëj thirrje së pari të gjithë anëtarëve të LSI por edhe gjithë shqiptarëve të thjeshtë e të ndershëm që ushqimet e tyre të përditshme mos t’i blejnë në qendrat e mëdha tregtare të oligarkëve, por në dyqanet e lagjeve, te komshinjtë e tyre: Unë i bëj thirrje anëtarëve të LSI së pari por dhe gjithë shqiptarëve që veshjet e tyre mos t’i blejnë në qendrat tregtare, po te dyqanet e bizneset e vogla.
Të mos përdorin taksitë e korporatave të lidhura me qeveritarët por taksitë që punojnë me sakrificë e duke paguar taksa të larta për të siguruar bukën për familjen. Të bojkotojmë e të refuzojmë të gjitha mekanizmat që i shërbejnë dhe që ushqejnë pushtetin, e të mbështesim e inkurajojmë të gjithë ata që ju shërbejnë qytetarëve dhe që interesin e tyre e kanë të shenjtë”, tha ajo.