fbpx

Dikur

Thirrje nga “Luftëtari i Lirisë” për rrëzimin e regjimit komunist





               Publikuar në : 09:03 - 02/05/19 |
mapo.al

Nga Veli Haklaj


Veprimi i emigracionit shqiptar kundër regjimit komunist të Tiranës



Vendosja e diktaturës komuniste në Shqipëri, përveç të tjerave, solli dhe një rritje të emigracionit politik dhe ekonomik shqiptar, në Jugosllavi, Greqi, Itali, Turqi, Egjipt, Francë, SHBA, Kanada, Australi etj.


Grupimet kryesore në të cilat vepronte ky emigracion ishin: Komiteti Shqipëria e Lirë, Balli Agrar, Grupi i Legalitetit, Balli i Ali Këlcyrës, Grupi i Bllokut Indipendent, Shoqëria Letrare Shqiptare Amerikane, organizata “Vatra”, organizata “Shqipëria e Lirë”, organizata “Heroizma Shqiptare”, organizata “Fronti i Rezistencës Antistaliniane Shqiptare”, organizata Vorio-Epiriote, organizata A.A.N.O., shoqata “Vëllazërimi turko-shqiptar” etj.

Në gjysmën e dytë të viteve ’70, të shekullit të kaluar, konstatohet një radikalizim i qëndrimeve të emigracionit politik shqiptar, e reflektuar kjo dhe në përmbajtjen e periodikut të organizatave të tyre (“Atdheu”, “Dielli”, “Flamuri”, “Lidhja e Prizrenit”, “Shejzat”, “Shqiptari i Lirë” etj.), veçanërisht të trakteve dhe fletushkave që hidheshin në Shqipëri, me anë të të cilave synohej ndërgjegjësimi i popullit shqiptar për një veprim të armatosur për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nëpërmjet disave prej tyre përcillet informacion dhe për format gjakatare të veprimit të strukturave të shtetit diktatorial në Shqipëri nën drejtimin e nomenklaturës së kuqe, veçanërisht të dyshes Hoxha – Shehu.

Duke u bazuar në përmbajtjen e tyre e në të dhënat që dispononin, organet e specializuara në Shqipëri arritën në përfundimin që këto materiale ishin përgatitur jashtë shtetit nga organizata antikomuniste e “Legalitetit” me në krye Leka Zogun, nën drejtimin e zbulimit amerikan.

Faktikisht, në fillim të viteve ’70, të shekullit të kaluar, emigracioni politik jashtë shtetit filloi të riorganizohet për të intensifikuar veprimtarinë e tij kundër regjimit komunist në Shqipëri, regjim që identifikohej me dyshen Hoxha – Shehu: organizata e “Legalitetit” në vitin 1972 zgjodhi “Këshillin Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike”, nën drejtimin e Leka Zogut; organizata “Heroizma Shqiptare” me në krye Ndue Gjonmarkaj, e krijuar në vitin 1965 nga zbulimi italian e Vatikani, në vitin 1975 mbajti kongresin e saj; ndërsa në vitin 1974 krerët e “Komitetit Shqipëria e Lirë” nën drejtimin e zbulimit amerikan krijuan në mënyre sekrete organizatën “Fronti i Rezistencës Antistaliniane Shqiptare”, me në krye Rexhep Krasniqin.

“Legaliteti”, “Heroizma shqiptare” dhe “Fronti i Rezistencës”, duke patur të njëjtën platformë kundërkomuniste, përveç dërgimit të grupeve luftarake për të kryer akte të mprehta dhe veprimtarisë kundër përfaqësive shqiptare jashtë shtetit etj., në bashkëpunim me njëra-tjetrën vunë në programin e tyre edhe shpërndarjen e materialeve propagandistike në Shqipëri.

Në një nga thirrjet e Këshillit Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike, mbasi tregohej domosdoshmëria e krijimit të këtij këshilli, midis të tjerave theksohej: “Shqiptarë, përgatituni, dita e çlirimit po afrohet, regjimi gjakatar do të zhduket, Kosova e Çamëria janë tonat, shqiptarët e mërgimit janë vënë në lëvizje, mjaft me jetë mjerimi nën komunizëm, luftë qeverisë ateiste”.

Organet e specializuara të regjimit komunist morën masa dhe orientuan detyra të posaçme në drejtim të të arratisurve që ishin aktivizuar e pritej të dërgoheshin në formën e grupeve të armatosura në Shqipëri, veçanërisht për ata që ishin aktivizuar nga Leka Zogu dhe “Fronti i Rezistencës”, që drejtohej nga Rexhep Krasniqi.

Fletushka me përmbajtjen më radikale në atë periudhe ishte “Luftëtari i Lirisë”, organ i Frontit të Rezistencës për Liri, e cila botohej diku në gjirin e popullit të robëruar shqiptar, dhe në kopertinën e fundit, me siglën “Shumë Sekret”, kishte porosinë: “Lexoje, studioje, shpërndaje”.

Në vijim, lexuesi i gazetës “Mapo” do të njihet me pjesë të këtij dokumenti, përmbajtja e të cilit alarmoi përfaqësuesit më të lartë të regjimit diktatorial në Shqipëri, në vitin 1977. Theksojmë se një popull që nuk nxjerr mësimet e duhura nga gabimet e të kaluarës është i destinuar të vuajë në të tashmen, por dhe në të ardhmen.

 

(VIJON NGA NUMRI I DJESHËM)

Popull shqiptar!

Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare për liri, demokraci dhe socializmë u bën thirrje vllazërore të gjithë antarëve të PPSH, me uniformë civile ose ushtarake qofshin ata. Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare për liri, demokraci dhe socializmë i konsideron ata vëllezër dhe shokë të pandarë nga gjiri dhe zemra e tyre, sepse Organizata e jonë është për bashkim dhe vllazërim të të gjithë popullit shqiptar pa dallim ideje dhe mendimi politik; ai është ideali i ynë dhe programi për të cilën ne jemi duke punuar dhe luftue; për vendosjen e lirisë, demokracisë dhe socializmin e vërtetë; për bashkimin e popullit shqiptar rreth flamurit tonë të shenjtë nacional; për me u pajisë më principe të mira demokrato-socialiste; për bashkim dhe vllazërim të popullit shqiptar për liri dhe socializmë të vërtetët; mos me u bë Shqipëria, populli, liria pasuria e tij pronë personale në duart e një klike uzurpatore, ashtu siç po ndodh sot në vendin tonë.

Enver Hoxha-Nexhmie Hoxha, Mehmet Shehu-Fiqirete Shehu, Hysni Kapo-Vito Kapo etj., 30-vjet me radhë bejlerë stalinistë, mos harroni popullin shqiptar dhe mëmat tuaja të skllavëruara duke jetuar për fund sistemit famëkeq stalinist, me frikë duke jetuar për fund kontrollit të përditshëm të sigurimit gjakatar. Të radhitur në brigada pune të detyruar, si skllevër të mesjetës, me kazma e lopata në krahë, zbathur dhe zhveshur, me këmbë të zhytura thellë në ujë dhe baltë, në mëshirë të natyrës duke jetuar për fund shiut dhe dëborës, të uritur, të tronditur, të lodhur e të rraskapitur, me fytyra dhe duar të rudhura dhe plakur para kohe, të drejtuar prej perëndisë duke ju lutur për me i ndihmue për me fitue lirinë.

Sundonjësit stalinistë të Tiranës, me gjak dhe terror grabitën lirinë dhe pasurinë e popullit shqiptar, me turp dhe urrejtje kanë me përfundue para syve dhe zemrave të popullit shqiptar dhe historisë. Ajo klikë asnjëherë s’ka përfaqësuar interesat e popullit, ata kanë mbrojtur interesat e tyre personale – kolltuket e tyre të zhytur në gjak, djersë dhe ngashërime të popullit shqiptar, 30 vjet me radhë. Klika e kalbur Hoxha-Shehu, udhëheqësit e tiranisë 30 vjeçare në vendin tonë, me metodat e tyre staliniste shtyp, terrorizon dhe armiqëson popullin ndërmjet tij dhe sundon në sajë të bajonetës. Zgjedhjet e lira në vendin tonë kishin me sjellë vdekjen e sigurtë të klikës staliniste në vendin tonë.

Për shqiptarët e mirë, me ndjenja të larta patriotike, që dashuron atdheun, popullin dhe demokracinë, Partia dhe ideali i tij duhen me qenë atdheu dhe populli shqiptar dhe me dënue pa mëshirë armiqtë e betuar të lirisë së popullit shqiptar dhe të familjeve tona, klikën Hoxha – Shehu, të cilët vazhdojnë me i ra kavallit më të njëjtin avaz 30 vjet me radhë, duke mashtruar popullin me premtime boshe: prit gomar me mbi bar, se kështu na mëson Stalini i Madh. Duke mbajtur popullin shqiptar të rrethuar me roje, mina, tel me gjëmba, të izoluar prej të gjithë botës në errësirë dhe injorancë, mos me ditë se ç’ndodh jashtë kufijve të Shqipërisë, mbrapa perdes së hekurt të sistemit skllavëronjës stalinist.

Populli shqiptar duhet të mendojë për fatin e Atdheut dhe të popullit shqiptar, që sot është në rrezik, në presë të briskut, si pasojë e politikës aventuriero-kriminale të klikës staliniste Hoxha-Shehu. A kanë mbetur më shqiptarë në këtë botë për me kujtue dhe nderue gjakun e bijve të popullit shqiptar që ranë si heronj në fushën e nderit për me mbrojtë atdhun dhe lirinë e popullit dhe të familjeve të tyre.

Populli nuk duhet për me harrue 30 000 bij dhe bija të popullit shqiptar, të cilët u rrëzuan përtokë prej plumbave të kriminelave ordinerë stalinistë, kudo që këmbët e tyre shkelen ata mbollën terror dhe anarki. Mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ngjarje të çuditshme ndodhen në vendin tonë: patriotët dhe të ndershmit u quajtën tradhëtarë dhe të pandershëm dhe tradhëtarët dhe të pandershmit u quajtën patriotë dhe të ndershëm. Ajo propogandë staliniste çorientoi popullin shqiptar për mos me e njoftë dhe dallue patriotin e vërtetë prej tradhtarit origjinal.

Ashtu si faraonët e Egjyptit, që për nder dhe lavdi të tyre ndërtonin piramida të larta në dezertin nubjan të Egjyptit, me eshtra të skllevërve Hibru dhe Egjyptianë, ashtu dhe klika kriminale Hoxha – Shehu për nder, kujtim dhe lavdi të tyre ndërtuan sistemin skllavëronjës stalinist, ku është duke sunduar tirania e pashembullt në historinë e njeriut modern, tani në vjetët e fundit të shekullit 20-të, që është shekulli i shkencës, teknikës, qytetërimit, lirisë, demokracisë dhe socializmit.

Në ato ndërtime që klika staliniste e Tiranës është duke ja kontribuue vetes së tyre, morën pjesë 220 000 të burgosur dhe të internuar politikë, ku 20 000 prej tyre nuk u kthyen të gjallë pranë familjeve të tyre; ata u mbytën prej punës së rëndë të detyruar duke punuar 16 orë në ditë, duke jetuar me një lugë supë dhe 600 gram bukë në 24 orë.

 

Popull shqiptar! Shokë, vëllezër dhe motra të dashur! Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë!

Zëri i dëshmorëve tanë që shekuj me radhë ranë si heronj në fushën e nderit për liri, drejtësi dhe demokraci; populli shqiptar dhe nënat tuaja, që ju kanë rritë juve me shumë vuajtje dhe dashuri, po ju thërret: – Mos i shërbeni klikës!

Një popull që lufton për liri, demokraci dhe socializmë, ai nuk është duke shkelur ligjet e shtetit, të cilat ligje janë shkelur dhe abuzuar prej klikës në fuqi, klikë e cila është duke i përdoruir ligjet e shtetit si një armë mbrojtëse, për mbrojtjen e interesave të tyre personale.

Ligjet e ardhme të sistemit tonë demokratiko-socialist kanë me u përgatitë me themele socialo-demokrate, të bazuar në vullnetin e dëshirës së shumicës së popullit shqiptar, me zgjedhje të lira elektorale, shumica me udhëheqë jo më tepër se pesë vjet, me dy parti të ligjshme, me aktivitet të lirë zhvillimi politik, liri të plotë fjale, shtypi dhe kritike.

Ato ligje janë me u ekzekutue prej njerëzve kompetentë në detyrë, të udhëhequr prej një parlamenti konstitucional. Për sa i takon reformave sociale në të ardhmen, sistemi ynë demokrato-socialist për me bë këto reforma të menjëhershme: Tokat bujqësore, blegtoria dhe çdo pasuri tjetër e popullit e cila është grabitur prej klikës staliniste të Tiranës, e kryesueme prej armiqve të betuar të lirisë së popullit shqiptar Hoxha – Shehu, ka me iu shpërnda popullit në bazë të antarëve të familjes, pa dallim mendimi politik dhe ideje – kush ishte ai dje dhe kush është ai sot, sepse ne nuk jemi stalinista për me bâ dallime në popull.

Për sa i takon politikës sonë demokrato-socialiste të jashtme, në programin tonë demokratik, ne dëshirojmë për me ushtrue politikën e paqes dhe të miqësisë me të gjithë popujt e botës, pa dallim sistemi shoqëror dhe ideologji politike. Sistemi ynë socialist në të ardhmen ka me pastrue minat dhe telat me gjëmba, të cilat kanë ndarë dhe izolue popullin shqiptar prej gjithë botës për 30 vjet me radhë, si pasojë e politikës aventuriere-kriminale të Hoxha – Shehut, armiq të betuar të lirisë së popullit shqiptar.

Kufijtë e Shqipërisë demokrato-socialiste të së ardhmes kanë me qenë plotësisht të hapur për vizitorë të huaj, turista, studenta, tregtarë etj. Qytetarët shqiptarë pa dallim kanë me qenë të lirë për me vizitue çdo shtet në botë, të çdo lloj sistemi shoqëror qofshin ata.

Populli shqiptar dhe rinia e tij duhen me qënë vigjilent, të mos mashtrohen prej propagandës fallso të komisarëve stalinistë, edukatorë të forcave të errësirës. Punëtori dhe fshatari shqiptar i kanë provat të gjalla, të përditshme dhe parasysh përmbi gjendjen ekonomiko-politike të klikës staliniste në vendin tonë.

Populli shqiptar, pa dallim, nuk duhet me ju nënshtrue kësaj situate të tmerrshme në vendin tonë, ai duhet për me mësue prej së kaluarës së zezë 30 vjeçare për fund skllavërisë pa asnjë ndryshim në jetë, duke jetuar në jetën shtazarake. Sistemi skllavëronjës stalinist nuk përfaqëson vullnetin e popullit dhe interesat e tij, ai përfaqëson interesat e klasës së lartë shtypëse staliniste, e cila mori kolltukun me forcë dhe dëshirojnë për me vdekë përmbi kolltuk.

 

Ushtarë, nënoficera dhe oficera!

Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare për liri, drejtësi, demokraci dhe socializmë, u bën thirrje juve për me bashkue armët tuaja të çlirimit me ato të luftëtarëve të lirisë për këputjen e prangave të tiranisë staliniste prej duarve të popullit shqiptar dhe të nënave tuaja. Shqiptari i mirë është i detyruar për me i shërbye vullnetit dhe idealit të shumicës së popullit shqiptar dhe jo me i shërbye interesave të një klike të kalbur kriminale dhe tradhëtarëve të kauzës së popullit, klikë e cila është duke qëndruar në fuqi në sajë të bajonetave dhe jo në sajë të zgjedhjeve të lira demokratike.

Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare për liri, drejtësi, demokraci dhe socializmë nuk dëshiron për me i dhënë popullit shqiptar premtime, ai i jep popullit shqiptar sigurime të siguruara me Statut Themelor. Populli duhet të mos harrojë se: Shqiptari i mirë lind me mision prej vetë natyre, për me i shërbye Atdheut, popullit dhe familjes së vet. Ai është i detyruem për me çue në vend amanetin e të parëve tonë, të cilët luftuan, derdhen gjakun e tyre shekuj me radhë me trimëri dhe patriotizmë për me mbrojtë këtë tokë të bukur dhe të shenjtë Arbërore. Populli shqiptar sot ka të humbur gjithçka. Atij i ka mbetur vetëm një rrugë: Rruga e revolucionit të armatosur për liri, drejtësi, demokraci dhe socializmë të vërtetë në vendin tonë.

Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare për liri, drejtësi, demokraci dhe socializmë dëshiron t’u bëjë të qartë anëtarëve të Partisë së Punës së Shqipërisë për me u kthye në rrugën e patriotizmit dhe të demokracisë, në rrugën e shumicës së popullit, në rrugën e familjeve tuaja të robëruara nga klika sundonjëse Hoxha-Shehu. Mendoni për fatin e Shqipërisë që tani është në rrezikun më të madh. Organizata jonë Antistaliniste u bën thirrje juve vëllezër dhe motra për me mendue për fatin e atdheut dhe të popullit shqiptar, mendoni për një Shqipëri me principe patriotike shqiptare, për me ndërtue një shtet të lirë, indipendent, të pamvarun prej askujt. Popullit shqiptar i është nevojitur një sistem shoqnor me baza të vërteta demokrato-socialsite, për me i shërbye të gjithë familjes shqiptare pa dallim ideje dhe mendimi politik. Ne mendojmë se ka ardhur koha për me rrëzue flamurin e Tiranisë Staliniste dhe me ngritë Flamurin e shqiptarizmit.

Populli shqiptar i udhëhequr prej principeve të tij mijëravjeçare patriotike për liri, i bashkuar sot në Frontin e Rezistencës Antistaliniste ka me këputë prangat staliniste të tiranisë. Asnjë shqiptar të mos jetojë me shpresa të situatës, e cila do të sjellë diçka më të mirë për atë, situatën e mirë ose të keqe e sjell vetë njeriu, në bazë të përpjekjeve që ai bën. Njeriu me kurajo të fortë, i pajisur me moral të lartë patriotik dhe sakrifica të pandërprera me besimin e tij në fitore kundra forcave të errësirës staliniste në vendin tonë, ka me pasë fitoren e shpejtë dhe të sigurtë. Organizata jonë nuk ushqehet prej principeve të hakmarrjes, ato principe janë të huaja për programin tonë ideo-politik. Sepse ne nuk jemi stalinista dhe e konsiderojmë të turpshme për me qenë të tillë. Çdo qytetar që tani me dashje ose padashje, me uniformë ushtarake qoftë ai ose civile, bën dorëheqje duke mos i shërbyer në të ardhmen klikës terroriste Hoxha-Shehu, ata konsiderohen shokë dhe vëllezër të Frontit Antistalinist për liri, demokraci dhe socializmë në vendin tonë.

Organizata jonë ka me ndjekë politikën e bashkimit dhe vëllazërimit të popullit shqiptar pa dallim ideje, feje dhe mendimi politik, duke i qëndruar besnik programit të saj dhe amanetit të atyre që ranë si heronj për kauzën e përbashkët të popullit dhe të atdheut pa dallim. Tani ka ardhur koha që populli shqiptar i bashkuar të mos rrijë i hutuar me duar kryq, ai duhet për me u zgjue prej gjumit të rëndë të tiranisë staliniste, duke i dalë për zot vetes, i cili me udhëheqë veten drejt fitores së lirisë dhe demokracisë. Organizatës sonë Antistaliniste tani i nevojitet ndihma e gjithanshme e popullit shqiptar për me eliminue plotësisht klikën e kalbur Stalinisto-Skllavëronjëse Hoxha-Shehu.

Tani ka ardhur koha që populli shqiptar me i dhënë grushtin e vdekjes Tiranisë Staliniste në vendin tonë, duke u dhënë popujve të botës me kuptue se sot në Shqipëri ekzistojnë forca të fuqishme Antistaliniste, të cilat janë të gatshme për revolucion të armatosur kundra forcave të errësirës së klikës së kalbur staliniste Hoxha-Shehu.

Gjatë këtyre përpjekjeve për liri, popullit shqiptar i duhet për me kapërcye dallgët dhe barrikadat që klika sundonjëse staliniste e Tiranës ka me na vënë përpara për me na ndalue në rrugën tonë për liri. Në çdo fshat, qytet, kooperativë, fermë, fabrikë, minierë, hekurudhë, dyqan, spital, shkolla dhe reparte ushtarake, forcat tona të fuqishme antistaliniste janë duke penetruar dita-ditës më shumë në radhë të klasave të popullit shqiptar, deri tek ministrat dhe oficerat madhorë të ushtrisë, të cilët dëshirojnë dhe ândërrojnë që në të ardhmen me jetue të lirë, të lumtur dhe pa frikë në atdheun e tyre që ata e dashurojnë aq shumë.

VIJON NUMRIN E ARDHSHËM…

LEXO EDHE:

Kriminelët e regjimit komunist sipas ‘Luftëtarit të lirisë’


Etiketa: , , , ,

Pas