Thomas Strakosha bëhet lojtari i dytë i Shqipërisë i infektuar me koronavirus. Mediat italiane shkruajnë se nga analizat e kryera në spitalin Moskati të Avelinos, portieri i Lacios dhe Shqipërisë ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Nga ana tjetër, dy shokët e tij të skuadrës Lukas Leiva dhe Çiro Imobile kanë rezultuar negative në testin e fundit. Këto analiza janë kryer me kërkesë të Prokurorisë së Romës.
StrakoshaHistoria e tamponëve të Lacios është kthyer në një nga çështjet kryesore të mediave italiane, pasi klubi lacial dhe laboratori “Futura Diagnostica” akuzohen se kanë manipuluar rezultatet e analizave për COVID-19 të lojtarëve të Lacios.
Madje në analizat e fundit të ditës së premte nga ky laborator, Strakosha, Leiva dhe Imobile kishin rezultuar negative me COVID-19.
Futbollistët janë vendosur nën kritika pasi nuk kanë respektuar protokollin shëndetësor në kohën pas infektimit me koronavirus.
Strakosha prej disa ndeshjesh nuk aktivizohej me Lacion. Fillimisht, u mendua se ai ishte dëmtuar, por më pas mediat raportuan gjerësisht se ai së bashku me disa lojtarë të tjerë ishin infektuar me COVID-19.
Kujtojmë që Strakosha nuk është grumbulluar me kombëtaren për ndeshjet e nëntorit, miqësorja me Kosovën dhe dy sfidat ndaj Bjellorusisë dhe Kazakistanit për Ligën e Kombeve.