Aktualitet

Thumana gjatë pandemisë, si mund të mbijetojnë njerëzit në këto kushte? (FOTO)





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:02 - 10/05/20 |
mapo.al

Shqipëria u godit nga dy fatkeqësi natyrore njëra pas tjetrës brenda pak muajve, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e koronavirusit.


Thumana që humbi 24 jetë njerëzish, sot jeton një realitet dramatik, nga ana ekonomike dhe psikologjike. 224 familjet e kësaj zone që jetojnë në çadra përballen me uri, kushte skandaloze të higjienës dhe kërcënim të jetës për shkak se një pjesë e tyre është futur në shtëpitë e shpallura të pabanueshme.


Në paketën ekonomike të shpallur nga kryeministri Rama më 19 mars, e cilësuar si paketë sociale nga ekspertët, parashikohej ndër të tjera dyfishimi i ndihmës ekonomike dhe asistencës për të papunët.


Ndihma sociale erdhi edhe në formën e pakove ushqimore për shtresat më në nevojë, ku sipas kryeministrit përfshiheshin edhe familjet e pastreha nga tërmeti, që sot jetojnë në çadra. Ashtu siç kemi shkruar më parë, më 3 prill ai bëri me dije se kjo pako ushqimore do u mjaftonte për dy javë, jo për të gjithë muajin.


Kjo pako, deri dje apo pardje, sepse kam humbur numërimin e ditëve, ka shkuar në të gjitha familjet që jetojnë në çadër. …Dhe është një pako për 2 javë, jo për deri në fund, dhe jo për të larë gojën” –deklaroi kryeministri.

<
>
Shtepite ne Thumane7 shtepite ne thumane shtepite ne thumane1 Shtepite ne Thumane2 Shtepite ne Thumane3 Shtepite ne Thumane4 Shtepite ne Thumane5 Shtepite ne Thumane6 Shtepite ne Thumane8 Shtepite ne Thumane9

Pas verifikimit të mëhershëm ku konstatuam se jo të gjitha famijet e kishin marrë pakon me ushqime, “Faktoje” u rikthye në Thumanë më 7 maj , për të parë se si ishte situata në këtë kohë pandemie në familjet e goditura nga tërmeti i 26 nëntorit. Shkuam në shtëpitë e rreth 10 familjeve dhe të gjithë ata me të cilët biseduam u shprehën se ndihmën më të madhe e kishin marrë nga kisha e Thumanës dhe jo nga qeveria. Familjet na konfirmuan se e kishin marrë rregullisht bonusin mujor si të prekur nga tërmeti, por thanë se ishte i pamjaftueshëm për të mbijetuar.

A.A., 57-vjeçari kryefamiljar na tregoi se merr 20 mijë lekë si bonus dhe me këto para duhet të shtyjë muajin bashkë me familjen prej 4 vetash. 18 mijë lekë i kushton vetëm kredia, ndërsa ndihma nga shteti në formën e pakove ushqimore nuk ka mbërritur në derën e tyre.

“Nuk kanë sjellë pako ushqimore. Askush nuk ka ardhur as për të na pyetur si jemi. Këtu në Thumane vijnë ushqimet e nuk shihen. I marrin e i fusin nëpër magazina!” – tha ai.

Si të mos mjaftonte kjo, pandemia ua ka vështirësuar edhe më tej punët.

“Kam mbledhur hekura me kile, i kam çuar hajdutëshe që të mos më shihnin se ishin mbyllur rrugët. Sa me fitu një 10 mijë lekësh, për një pako makarona e një pako groshë” – tregon 57-vjeçari A.A.

Shqetësim në këtë familje është edhe higjiena e cila me kushtet që kanë u kërcënonte shëndetin ende pa nisur pandemia.

“Kam frikë për t’u futur në shtëpi, por futem se nuk kam çtë bëj, se s’mund t’i laj enët aty jashtë”, – shprehet zonja e shtëpisë.

R.K., 67 vjeç, jeton në një familje me 4 veta, ndërsa i biri ka krijuar familjen e tij dhe jeton veç. Ai tregon se aktualisht një pjesë e familjes qëndron në një kontenier të improvizuar.

“Na e kanë falur kontenierin nga një servis makinash. Po këtu nuk rrihet se është nxehtë.
Futemi në shtëpi ndonjëherë sa për të gatuar. Më ka ardhur policia nja dy herë më ka nxjerrë nga shtëpia, se është e pabanueshme”, tha ai.

Ai thotë se edhe pakon me ushqime e kanë marrë përpara një muaji kur erdhi ushtria dhe që atëherë s’kanë marrë ndihma të tjera nga qeveria. Kryefamiljari 67-vjeçar shprehet se është edhe në skemën e ndihmës ekonomike, të cilën e ka marrë, por nuk i është dyfishuar, siç është premtuar nga kryeministri.

“Unë marr 4 mijë lekë ndihmë ekonomike. E kemi marrë në të njëjtën kohë me bonusin, aq sa ç’ishte. Nuk na e dyfishuan siç tha Edi Rama”, – tregon ai për “Faktoje”.

Përtej shqetësimeve me higjienën, situata e pandemisë ka mbyllur një burim të mundshëm të ardhurash për këtë familje në kushtet e mbijetesës. Një nga djemtë e familjes, 24-vjeçari me iniciale E.K. thotë:

“Shkoj punoj në Greqi me 3-mujorësha. E pata pre biletën me 29 mars për të shkuar nga Selaniku në Kretë, por ra korona dhe ngela këtu”.

Qytetari me iniciale E.K., 57 vjeç, aktualisht banon me familjen e tij prej 4 personash në shtëpinë e shpallur e pabanueshme, në shkallën maksimale të rrezikshmërisë, DS5. Hyrja në shtëpi është bllokuar pasi veranda është shembur plotësisht duke krijuar një barrikadë betoni, të cilës kanë mundur t’i shpëtojnë mrekullisht në mbrëmjen tragjike të 26 nëntorit.

Pas qëndrimit prej një muaji në një hotel në Shëngjin, ata thonë që kanë bërë kërkesë për kontenier, por as çadër nuk u kanë sjellë. Ndaj janë detyruar të rikthehen në shtëpinë gjysmë të shembur ku plastmasi nuk mund ta mbajë lagështirën. Jetesa në këto kushte u ka sjellë probleme me shëndetin, aq sa 57-vjeçari është frikësuar se mund të ishte prekur nga virusi COVID-19.

“Filluam gjilpërat për ftohje prej lagështirës. Më bënë edhe tamponin për koronavirusin, por fatmirësisht dola negativ” – thotë i zoti i shtëpisë.

Por për ta edhe ndihma ushqimore ka qenë minimale nga qeveria.

“Kemi marrë vetëm 1 qese me ushqime nga komuna para 3 javësh. Nëse kanë ardhur 5 herë ushqime, ne kemi marrë vetëm 1 herë. Na sjellin njerëzit tanë për të ngrënë. Jemi shumë keq me të thënë të drejtën” – tha ai.

Kryefamiljari 57-vjeçar tregon se është pa punë prej 5 muajsh, ka aplikuar për asistencën e papunësisë, por ka marrë përgjigje negative.

Ne shkuam edhe në shtëpinë e qytetarit 24-vjeçar me iniciale L.L., i cili banon me 3 anëtarët e tij të familjes. Shtëpia e tyre është shpalluar e pabanueshme, dhe ai tregon se aktualisht qëndron bashkë me të vëllain, në një kontenier që i ka dhënë kisha, pasi Bashkia nuk ua solli.

“Rrimë në një kontenier që na e ka dhënë kisha. I kam kërkuar kryetarit të Bashkisë një kontenier. Më ka thënë që do të ta sjell dhe nuk e ka sjellë”, -tha ai.

Por kontenieri nuk është i mjaftueshëm për të 4 anëtarët e familjes, kështu që babai dhe nëna qëndrojnë në një shtesë në formë kasolleje druri që i është bërë shtëpisë.

Kushtet higjienike lënë gjithashtu për të dëshiruar, në një moment pandemie ku kujdesi për pastërtinë është prioritet. Vendi në të cilin lajnë enët, është ngjitur me banjon, në të njëjtën hapësirë ku mbajnë edhe kanaçet për t’u larë vetë.

“Këtu i lajme enët, ngjit me banjon. Këtu lahemi edhe vetë, me kanaçe si në kohën e qepës”, – shtoi 24-vjeçari.

Edhe në shtëpinë e zonjës 72-vjeçare me iniciale P.M., situata është e vështirë, veçanërisht për moshën e saj. Ajo tregon se qëndrimi në çadër është shumë i vështirë për të, si në të ftohtë ashtu edhe në të nxehtë, dhe përsërit kërkesën e saj për një kontenier.

“Qëndroj vetëm këtu në çadër se shtëpia është shembur fare. Mbrëmë ra shi, më është futur uji brenda. Më zihet fryma në çadër. Avullon betoni” – tha ajo.

Për ushqimet tregon se e ka ndihmuar kisha, pasi shteti ka mbi një muaj që nuk i çon ndihma. “Ka më tepër se një muaj që s’na kanë sjellë (ushqime) që kur ra kjo sëmundja. Na ka ndihmuar kisha”– përfundon ajo.

“Faktoje” iu drejtua më 8 maj përfaqësuesve të njësisë administrative të Thumanës për t’i pyetur nëse janë marrë masa shtesë gjatë periudhës së pandemisë, në zonën e Thumanës, por deri në momentin kur u publikua shkrimi nuk kemi marrë përgjigje. Situata ashtu siç e gjetëm në fakt e bën qesharake këtë pyetje, pasi kushtet me të cilat përballen banorët e Thumanës i ngjan një rikthimi në Mesjetë./ Faktoje

JOEL ÇELA


Etiketa: , , ,

Pas