Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati vijon të jetë zëri kritik brenda PS-së. Për shkak të këtyre qëndrimeve dhe rezervave të shprehura hapur për mënyrën e qeverisjes nga kryeministri dhe sjelljen e tij ndaj opozitës, Rama e shkarkoi jo vetëm nga ministër i Jashtëm, kur e zëvendësoi me Gent Cakajn, por e zhveshi edhe nga funksionet politike në PS, duke e larguar nga drejtues politik i PS në Shkodër, vendi i tij i origjinës.
Sot, Bushati ka bërë gjithashtu një postim thumbues në rrjetet sociale. Me rastin e Ditës se Adhuruesve të Librit, ai shkruan mes rreshtave se ka ardhur koha të afrohemi me dijen dhe të ndahemi nga krimi. Duke kujtuar thënien e Ismail Qemalit në rrugëtimin e tij historik për mëvetësinë e Shqipërisë se “kombi” është nyjë që të bëhet në fyt dhe për të ilustruar tezën e tij, Bushati i referohet një dokumenti të vitit 1927, pasqyrë e gjendjes kulturore në vend, ku flet për gjendjen e arsimit dhe hapat që po bëheshin nga qeveria e kohës.
“Dija është antipodi më i qëndrueshëm i shoqërisë përballë krimit dhe fenomeneve negative. Dija mbetet tipari dallues i shoqërive europiane, ku ne do të shkojmë si komb duke mbajtur me vete amanetin e parardhësve dhe premtimin për pasardhësit”, shkruan Bushati.
Postimi i plotë:
Ismal Qemali në rrugëtimin e tij historik për mëvetësinë e Shqipërisë e shpjegonte në mënyrë elokuente fjalën “komb”, që në shqip do të thotë “nyje”. Një nyjë që të bëhet në fyt. Për shqiptarët e mi – thoshte plaku i urtë – përpara se të jetë një ide, një thelb historik, kombi është një nyje, një lëmsh që mblidhet në gjoks, që të shtrëngon, gati një dhimbje.
Kjo thënie e Ismail Qemalit të kujtohet sidomos kur sheh këtë Pasqyrë të gjendjes kulturore të vitit 1927, dëshmi e sakrificave për edukimin e kombit.
Në fakt, forcimi i identitetit kombëtar nëpërmjet arsimit, artit e kulturës kanë qenë në themel të projektit të rilindasve tanë që në fillim të shekullit XIX, për një Shqipëri të përparuar, pavarësisht prapambetjes së saj.
Kjo tablo e vitit 1927 është dëshmia e gjallë sesi qytetet që kanë mbajtur peshën kryesore në historinë e vendit janë po ashtu në krye të përpjekjes për rrugën e dijes. Një varg sakrificash të cilat duhet të na shërbejnë për reflektim dhe përulësi përballë historisë që i ka rezistuar me dinjitet shtrëngatave, herë prej kohës e herë prej njeriut.
Dija është antipodi më i qëndrueshëm i shoqërisë përballë krimit dhe fenomeneve negative. Dija mbetet tipari dallues i shoqërive europiane, ku ne do të shkojmë si komb duke mbajtur me vete amanetin e parardhësve dhe premtimin për pasardhësit.