Një koment i shkrimtarit të njohur, Kim Mehmeti, u bë viral ditët e fundit. Mehmeti shkruan se ndërsa “opozita ‘dogji’ mandatet, ‘Rilindja’ po djeg Shqipërinë”.
I nxitur nga ky koment, mjeshtri Bujar Kapexhiu sjell karikaturën e radhës për MAPO.
“Është e pritshme që Kryeministri i Shqipërisë, me prirje të diktatorit, zgjedhjet njëpartiake t’i mbrojë me qëndrimin se ‘djegia’ e mandateve është e pandodhur, që mund ta dëmtojë rëndë demokracinë mbarëbotërore, por është e dhimbshme kur e sheh se edhe disa ‘opinionistë’ mendjendritur nuk e vërejnë se opozita i dogji mandatet, por ‘Rilindja’ është duke e ‘djegur’ Shqipërinë. Çka tregon se jo vetëm shumica e votuesve të rëndomtë, por edhe njerëz me nam e nishan, e mësuan si mbrohet pushteti dhe i pushtetshmi, por jo edhe shteti dhe shqiptaria. Pra e kuptuan se je më i mbrojtur, më i sigurt, e më i pëlqyer, kur mban anën e të pushtetshmit dhe kur ke mik të fortin, të pasurin e të famshmin, por duke harruar se, miqësia e mbështetur vetëm mbi themelet e frikës dhe interesit personal, është pasqyrë ku shihet dobësia e individit dhe se, kanë qenë, e do mbeten të fortë e të njerëzishëm, vetëm ata që e mbrojnë, e ndihmojnë dhe janë në anën e të dobëtit, të dëmtuarit dhe skamnorit,” shkruan Mehmeti.
“Po, është e pritshme që një diktator qesharak si Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, ta përdorë gjithë aftësinë e tij folëse dhe atë pakë imagjinatë krijuese që ka, për ta fshehur të vërtetën se më shumë e do pushtetin se sa shtetin e popullin e vet, si dhe për ta mbuluar atë që shihet qartë: se di ta sundojë vendin, por jo edhe vetveten. Por është shumë e panatyrshme që këtë të mos e kenë vërejtur ata që duhej të parët të alarmonin se Shqipëria është duke shkuar rrugës të ketë pushtet, por jo edhe shtet dhe ku, sa më e fortë bëhet ‘Rilindja’, sa më të pasur bëhen ‘rilindësit’, aq më i dobët bëhet shtet dhe aq më shumë varfërohet populli,” vijon ai.