Solli në shqip Dashamir Malo
Teresa Palazzo Conti, Argjentinë
DOLLI
Dua një dashuri të egër, të kthetrave dhe dhëmbëve
që do të më sulmojë pabesisht haptas ditën me diell.
Alfonsina Storni
Unë jam martiri lidhur tek shtylla
duke u djegur në hijesirën tuaj.
Ti je kudo rreth meje,
dhe brenda zbrazëtisë sime,
ti më do dhe,
përunjësisht
unë të lejoj të shpalosësh
devijimin tim.
Bujaria juaj tejshpon poshtë
plagës më të thellë
e cila nuk është më e juaja tashmë.
Do të ngre një dolli për ty
për praninë tënde
dhe një tjetër për veten time
të këtij momenti të vrullshëm.
Nëse ky është fundi
lë të jetë i përpiktë dhe i saktë
mprehe kristalin
dhe le të më derdhet gjaku
deri në pikën e fundit.
Sikur të ishin këto stade fjalësh
hajmalia më fisnike në himnin tim?
Unë ngre dolli në diell,
livadheve dhe breznive
dhe depërtoj në sytë e tu.
Dhe vetë vdejka ime.
BURGOSJE
Sot më në fund do ta lë derën hapur
dhe do ta lë veten të befasohet nga pafundësia e fjalës;
atë fjalë që donit ta linit të çlirët
kur faji dhe frika ju meku zërin.
Sot do ta lë shtëpinë hapur
të mund ta ndjej trokitjen e dorës tënde lypse;
ndoshta thjeshtësinë e dashurisë së ndershme.
Sot më në fund
do ta hap shpirtin
për të parë të derdhet
drita e lëbyrur e pikëllimit tim
duke lundruar në albumin me shëmbëllime të zbehta
në hapat e tua këmbëngulëse që nuk lënë gjurmë.
Sepse kjo është dashuria ime;
plaga prej të cilës mezi të vështroj ty
dhe gjaku im të ndjek
dhe dhimbja ime nuk do të pushojë.
Më në fund do të jetoj e lirë
për të parë atë puthje
të vjedhur në një natë vjeshte
rrokullisur mbi çdo pore të flashkët.
Dhe mandej do të vijë burgimi
dhe lëkura ime do të shndërrohet në mur
mbi të cilën do të shkruash me thonj
emrin tënd.
Hristina Komarevska, Bullgari
DETI NE SHTATOR
Deti në shtator
më prek me butësi dhe më mbyt me përkëdhelje,
lule algash të sedefta mbulojnë mishin tim të errët.
Ai luan me njollat e diellit dhe për herë të fundit –
kujdeset për gjithçka, merr frymë thellë me kraharor.
Para se ta lë në fuqinë e dimrit,
është e pabesueshme mirësia e tij dhe kristalet blu.
Retë lart qëndrojnë të ngrira në forma jorealiste.
Atë ç’ka ato do të donin të më tregonin, të ujdisura mirë
për vallen e pritshme të shiut.
Sigurisht që jam duke u larguar pa kthim.
Në mol, çanta e shpinës po më thërret të nisem për udhë.
Deti në shtator është një masë e fashitur.
Dhe përkëdhel ajrin me frymën e tij të kripur.
NE FILLIM TE VJESHTES
Në errësirën e mbrëmjes
një zog këngëtar lajmëron
Ku e humbi rrugën ai
pasi e kishte braktisur tufa?
Unë vetëm mund të hamendësoj.
Cila do të jetë fatkeqësia e radhës – Nuk e di.
Në degë, foleja e saj është duke u lëkundur nga furtuna
dhe thëllimi, ende e padëmtuar.
Qielli derdhi lot,
ishte duke qarë per veten.
Për ngushëllim, në tel,
vagu i harabelave shkëlqente si gjerdan perlash.
Gema Bocardo Clavijo, Spanjë
E PABANUAR
Shtëpia ime është e pabanuar
qyshkur shpresa vdiq.
Grabitqarët, tregtarët,
fajdexhinjtë e shkallmojnë atë.
Lutjet e pakuptimta tingëllojë si dogma
në të cilat nuk besoj më.
Heshtja ime e dashur
Është arratisur e trembur.
Minjtë e gjirizeve përlajnë mëkatet e parrëfyera
që banojnë në qoshet pranë frikës.
Drita venitet brenda
çative gri
dhe mureve të zgjyrosura.
Ëndrrat e mia të gënjeshtërta janë hapërndarë
në tokë.
Zemra ime dhe mendja ime janë duke bërë
një luftë të përgjakshme.
Edhe zëri im dëgjohet shumë larg
meje.
NJË ËNDËRR
Për nënën time
Nëna ime punoi gjithë jetën
duke rendur pas një ëndrre;
duke masazhuar shpatullat e të pasurve
duke vendusur lakun e koscave,
duke drejtuar kocka.
Duke kursyer çikë – çikë nga puna me djersën e ballit
duke shpenzuar gjithë jetën e saj.
Kur arthriti e mundoi keqazi
duke i gërryer kockat,
ajo tërhoqi nga banka ato pak kursime
të vëna me mundim
bleu një shtëpizë të vogël
duke hipotekuar kështu gjithë mundin e saj.
Të mundnit të shihnit shkëlqimin e syve të saj
kur ajo mori frymë lirisht.
Një ditë një narkoman që lypte për ndonjë
kacidhe këputi skarën,
theu derën
dhe vodhi ëndrrën e saj.
Lotët e nënës ranë pikë – pikë
duke njomitur dyshemenë.
Tani ajo nuk mendon
për ngjyrën e ndritshme të qiellit,
dhe strehohet plot frikë
në shtëpinë e saj të bërë me djersën e ballit.
Etiketa: Dashamir Malo, Gema Bocardo Clavijo, poezi