Edi Rama është duke hyrë çdo ditë në rrathë përherë e më të ngushtë, edhe pse në dukje dhe nga ana formale po shfaqet si mbret me pushtet të pakufi e zaptues i tokave të reja.
Sa më shumë e shton arbitraritetin dhe forcën, sa më shumë sillet si monark absolut, aq më shumë në realitet zvogëlohet.
Një politikan rritet dhe shton përmasën kur zgjeron mbështetësit, konsensusin dhe dakordësinë për aktet dhe vendimet që merr.
Në këtë kuptim, Rama është dita-ditës më i vetmuar. Dhe nuk është aspak çudi që ai sot gëzon mbështetjen e vetëm 105 burrave dhe grave që firmosën ndryshimin e Kushtetutës.
Votat përtej mazhorancës së rreshtit, nuk përfaqësojnë asgjë, ndaj shumica e kartonave sot është kaq pa ngjyra, dhe ka vetëm një shije.
Karrige, pushtet, privilegje.
Nuk gjen më pasues të Edi Ramës në shoqërinë civile, në biznes, në çdo hapësirë të jetës dhe komunitetit, pos atyre që janë të kontraktuar e përfitojnë financiarisht.
Aq më pak gjen mëkëmbës pas kësaj që bëri mesditën e 30 korrikut, duke ndryshuar Ligjin Themelor, pak muaj para mbarimit të mandatit, në një parlament qesharak me të cilin ai vetë tallet sa herë del në foltore.
Sigurisht nuk ka më ndjekës të tij as te partnerët ndërkombëtarë, të cilët duhet të ndihen nga sot shumë keq të shpërfillur nga një kryeministër që e kanë toleruar edhe pse ka qeverisur keq dhe e ktheu vendin në narkoshtet.
Zor se ka sot njeri më të vetmuar se Edi Rama në Shqipëri. Dhe sosja e pushtetit po i vjen kaq fatalisht si distancim social i të gjithëve ndaj tij, si të ishte bartësi më i madh i virusit të prishjes së zgjedhjeve dhe shkatërrimit të demokracisë.
Mapo.al