Janë 18 milionë euro më shumë që projekti për “Përmirësimin e Kanalizimeve për “Tiranën e Madhe” ka marrë vetëm në zërin e punimeve civile. Raporti i auditit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i siguruar nga “Tv Klan” ka nxjerrë në pah shkelje të ndryshimit të formulave të çmimit mes Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe firmës fituese të tenderit.
Çmimi është ndryshuar duke dalë jashtë kuadrit të dokumenteve të paraqitura në garën për të fituar tenderin në vitin 2012.
Pasi është dërguar përgjigjja “Nuk kemi kundërshtim” nga ana e palës japoneze e cila ka financuar me kredi të butë 71 milion euro, ish-Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve ka pranuar propozimin e firmës kontraktuese që të ndryshojë koeficientet e formulës dhe të rregullojë çmimin në bazë të indekseve të propozuara të kursit të këmbimit nga ana e vetë kompanisë”, – thuhet në raport.
Për pasojë vlera e punimeve është rritur me 2.3 miliardë jen japonezë, apo 18 milionë euro.
Por edhe pse ka bërë të gjithë këtë ndryshim, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve nuk ka njoftuar as Këshillin Teknik edhe as nuk ka informuar për negociatat Ministritë e Financave dhe të Transporteve.
Auditi thotë se, informimi ishte i domosdoshëm pasi kishte të bënte me rritjen e çmimit në vlerën 40%.
Shkelje në këtë projekt janë gjetur edhe në kohën që kompanisë kontraktore i janë parapaguar fonde në nivelin 5% më shumë se sa duhej në kontratë, duke sjellë kosto në buxhet për pagesat e sigurimit të paradhënies, të cilat firma nuk i ka kthyer.
Pastrimi i ujërave të zeza për një të tretën e Tiranës, duhet të kushtonte 71 milionë euro, por edhe pse projekt ka shpenzuar të gjithë fondin, punimet e nisura në 2014-ën janë realizuar në masën 51.9%.
Ky është auditi i dytë i Ministrisë së Infrastrukturës që gjen shkelje me fondet e ndërtimit të veprave publike me vlera të mëdha, pas atij të rrugës Tiranë –Elbasan, për të cilin u arrestua ish –drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe dy ish vartës të tij. Edhe gjetjet e këtij auditi pritet të përfundojnë në Prokurori./Tv Klan/