fbpx

Mapo Letrare

Tirana, hirushja e Europës





               Publikuar në : 08:37 - 16/05/15 |
mapo.al

virgjil muciNga Virgjil Muçi


Qyteti im ngjan tejet i trishtë në atë grinë e vet fizike e shpirtërore që i ka rënë mbi krye si ndonjë vello e zbërdhulët: një vello që ka diçka midis së bardhës së ndragur të nuses së panusëruar dhe të zezës së dalëboje të vejushës së paburrë. Tirana, me gjasë, është i vetmi qytet në Europë, ku thuajse nuk të zë syri kurrkund kopshtije të bleruara e ngjyrashumë prej luleve; por ku të zë syri an’ e kënd zhur e pluhur, lukuni qensh të zgjebosur me atë vështrimin e pikëlluar që kanë rëndom të pafuqishmit e të braktisurit e kësaj bote; Tirana, me gjasë, është i vetmi kryeqytet në botën e qytetëruar që nuk ka një kopsht zoologjik për të qenë, por në vend të tij, ka sajuar një burg të neveritshëm shtazësh të uritura që i nxjerrin zorrët shoqja-shoqes; në qoftë se qyteteve të botës të zënë sytë të rinj që japin koncerte rrugëve e parqeve, këndej nga anët tona sheh jevgjitë me lodra e gërneta për Bajram e Ramazan, fizarmoniçistë të verbër e të rëgjuar që u bien veglave për kafshatën e gojës; në Tiranë  mund të shohësh lypës të sakatuar e të shfytyruar për faqe të zezë aq sa ngjan të krijohet ndjesia se janë në garë kush përçudet më shumë e më ngjethshëm; veç në Tiranë gjen shitës të mjerë që shtyjnë ditën në limonti me një qese farash luledielli dhe një aparat për të matur peshën; e ku tjetër mund të shohësh gra e vajza, më së shumti me ngjyrë, që, për një pagë që s’del as të mbushin zorrët me bukë, fshijnë me fshesa shqope rrugët e një qyteti që i ngjan një petku të strëngur, të cilit, çfarëdo që t’i bësh, nuk i del zhuli e pocaqia. E në të njëjtën kohë në kryeqytetin tonë sheh edhe qiellgërvishtës, edhe bare e kafe luksoze, edhe ministra e Ministri, duke mos i lënë asgjë mangut, hipotetikisht, kryeqyteteve të Europës. Ja pra, kjo është Tirana,imja dhe e juaja!



I fyer, kur regjisori italian Marco Bellocchio, i cili ndodhej në Tiranë për shfaqjen e një prej filmave të vet, u shpreh hidhtazi se Tirana është një qytet i shëmtuar dhe pa kurrfarë koncepti estetik, ndjeva të më kreshpërohej sedra prej atdhetari. S’do mend,gazetarja mendjelehtë që e merrte në intervistë priste që mjeshtri sqimatar i kinemasë të kish mbetur i pataksur prej mrekullive të Shqipërisë së Re. Në këtë pikë lypset të saktësojmë një gjë: kur fliste për shëmtinë e këtij qyteti, ai nuk e kish fjalën për bashkatdhetarët e tij që në vitet njëzet e tridhjetë u orvatën t’i japin një trajtë e fytyrë oksidentale fshatit të madh oriental që ishte shpallur kryeqytet i vendit fqinj, ndërkohë që, medet, planet e tyre arkitekturore mbetën të parealizuara deri në fund, duke i hapur udhë arkitekturës soc-realiste staliniste ta mbillte qytetin cep më cep me pallatet e shëmtuar pesëkatësh, e cila, pas viteve nëntëdhjetë, nga ana e saj, do të shërbente si truall pjellor i abuzivizmit e katrahurës së ndërtimeve me leje e paleje që sot të ndërmendin më fort Kabulin e një zot e di se kë tjetër. Ndërkaq më kujtohet një tjetër artist i huaj që duke këqyrur dhimbshëm betonizimin e sotëm shprehej, jo pa keqardhje: “Kryeqyteti juaj është si kurrizoja, vetëm varri mund t’ia drejtoj gungën”. E ty s’të mbetet gjë tjetër veçse të qeshësh hidhurazi me zgjeben e varfërisë, me makutërinë e njerëzve dhe atë mungesë ndjesie estetike që karakterizon rëndom mendjet e plogështa dhe shpirtrat e tharë, pa fantazi, të mësuar të bashkëjetojnë me mjerimin e pocaqinë me fatalitetin e rezignatën e njeriut primitiv që e konsideron gjithçka mallkim e ndëshkim hyjnor.


Por le të hamendësojmë për një hop që gjithë ç’përshkruam më lart nuk ekziston, se ishte një ëndërr e mbrapshtë e lajthitje e një mendjeje të çartur. Ashtu qoftë! Por ja që në këtë kryeqytet që mëton të jetë europian, ndryshe nga sivëllezërit e simotrat e tij, të plas shpirti e të qan syri për një murale, për një koncert spontan, për një piktor që vizaton rrugëve, shkurt e shkoqur për diçka që sot quhet street art; një energji e sinergji kreative që shpërthen suazën e artit zyrtar dhe shndërron në skenë rrugën, në tablo muret e ndërtesave, ku shkon e gjen shprehje derdhur në ngjyra e trajta jo vetëm e thjesht një botë artistike, por një protestë sociale e politike, duke qenë se arti, ai i njëmendti, nuk mund të jetë ndryshe, veçse një revoltë ndaj pushtetit, i kujtdo qoftë ai. Jo rrallëherë më ka qëlluar të shoh rrethinat e betonta të qyteteve europiane të shndërruara në një kuadër gjigant figurash shumëngjyrëshe, ku fantazia nuk njeh kufi dhe ku estetika rebele sfidon artin e ashtuquajtur të madh të muzeve dhe galerive.

Sikur të kisha një grusht të fuqishëm t’i bija malit në gji… Jo, sikur të kisha mundësi do ta lija Tiranën në duart e këtyre artistëve të rinj për njëzetekatër orë dhe do ta shpërbleja me çmimin e Fantazisë krijuesin e murales më të mirë. Të paktën në këtë pikë nuk do t’u linim gjë mangut qyteteve të tjera të Europës dhe, kësodore, do të qemë të barabartë e pa komplekse. Falë fantazisë dhe lirisë – së vërtetë – artistike.

 



Pas