Shqetësimit të banorëve të Tiranës se qyteti po mbytet nga betoni i është bashkuar edhe opozita. Përmes një videoje, kreu i Forumit Rinor të PD-së, Belind Këlliçi, tregon se si për gjysmë orë në mbikalimin pranë “Pallatit me Shigjeta” kaluan 8 betoniere, çka tregon fluksin e madh të ndërtimeve që po i marrin frymën gjelbërimit në kryeqytet.
Kjo video tregon se për gjysmë ore në vetëm një prej hyrjeve të Tiranës, te “Pallati me shigjeta” kaluan 12 betoniere.
Denoncimi është bërë nga kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi në Facebook i cili akuzon kreun e Bashkisë Erion Veliaj se fshihet pas imazhit të rremë të gjelbëruesit duke postuar foto teksa mbjell pemë, por nuk fotografon betonieret që po e çojnë kryeqytetin drejt gropës.
Sipas Këlliçit mjetet e tonazhit të rëndë bllokojnë kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve në shumë rrugë e rrugica dhe gjithashtu i shkatërrojnë ato e shkaktojnë një ndotje akustike të tmerrshme për banorët e Tiranës.
Kreu i FRPD-së shprehet se kjo masakër urbane po e bën kryeqytetin të pajetueshëm dhe po shkatërron trashëgiminë e saj ndërtimore e kulturore.
Në vetëm 30 minuta, Këlliçi përllogarit se nga një hyrje e Tiranës janë derdhur 316.8 ton beton, pa llogaritur akse të tjera rrugore.
Sipas tij në kodrat e gjelbëruara të Tiranës po derdhen lumenj betoni.
Statusi i Këlliçit:
Videot si kjo, Erion Veliaj nuk i shfaq!
Për gjysmë ore te “Pallati me shigjeta” kaluan 12 betoniere! Është vetëm një nga hyrjet në Tiranë.
1 betoniere ka një kapacitet maksimal 11 metër kub, ku vetëm 1 m³ ka 2400 Kg. Gjithsej 316,8 ton beton që derdhet në Tiranë në 30 minuta! Pa llogaritur hyrjet e betoniereve nga rr. Durrësit, rr. Dibrës, rr. Elbasanit, etj.
100 foto publikon Veliaj për një tek pemë që mbjell. Pemë që mbillen vetëm në parkun ekzistues të liqenit artificial. Këto betoniere bllokojnë kalimin e automjeteve dhe këmbësorëve në shumë rrugë e rrugica. Makina të tonazhit të rëndë që punojnë orar pa orar, që shkatërrojnë rrugë e shkaktojnë një ndotje akustike të tmerrshme për banorët e Tiranës. Rasti më i afërt për të cilin u njoftova nga banorët, ishte ai në rr. “Nikolla Lena”, ku nuk u vendos asnjë tabelë informuese që njoftonte banorët për bllokimin e rrugës.
Veliaj nuk i fotografon betonieret sepse i prishin imazhin e rremë të gjelbëruesit.
Kjo masakër urbane po e bën Tiranën të pajetueshme, po shkatërron trashëgiminë e saj ndërtimore e kulturore.
Po shqepin kodrat e gjelbëruara të Tiranës për të derdhur lumenj betoni.
Ku janë parqet e reja? Ku janë lulishtet? Ku i kaloni pasditet me fëmijët tuaj? Në kafenetë poshtë pallateve?
Me foto nga Veliaj, jemi vendi më i gjelbëruar i Europës. Në realitet jemi drejt gropës.