Shkolla 9-vjeçare “Sabaudin Gabrani” u gdhi dje e përmbytur dhe me mure të lagura. Kjo shkollë u rikonstruktua me fondet e Bashkisë së Tiranës, vlera e tenderit ishte 50 milionë lekë.
Pas tërmetit kryeqyteti goditet nga përmbytjet. Në lagjet e ulëta të Tiranës, dhe më gjerë në periferi janë me dhjetëra banesa të cilat janë bërë përkohësisht të pabanueshme. Reshjet nuk kanë kursyer as ndërtesat publike. Tre shkolla të Tiranës, mes tyre edhe ajo “Sabaudin Gabrani”, e cila sapo ishte rikonstruktuar nga Bashkia, dhe përuruar nga Veliaj, po ashtu kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Edhe fakulteti i gjeologji-minierave, që pësoi dëme nga tërmeti është bërë një ditë më pas edhe pre e dëmeve nga reshjet e shumta.
Bilanci sipas ministres Xhaçka
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka bërë bilancin e përmbytjeve. Ajo tha se në qarkun e Tiranës, në 105 banesa ka prezencë uji, kryesisht në Kamëz. Problematike është situata edhe në Fushë-Krujë, ku në 10 familje në fshatin Larush dhe 8 familje në Bubq ka prani uji. Në fshatrat Bilaj, Murqine dhe Mallkuc, lumi Ishëm doli nga shtrati dhe ka përmbytur toka bujqësore. Ndërsa në Kurbin, rritja e nivelit në kolektorin Laç-Milot, përmbyti disa banesa. Ministrja e Mbrojtjes deklaroi se ekipet e emergjencës civile ndodhen në terren dhe po punohet për rikthimin e normalitetit në zonat e prekura nga përmbytjet. “Reshje me intensitet të pazakontë, për disa orë ka rënë shi sa për 1 muaj. Situata e stabilizuar, me përjashtim të disa zonave, të cilat po asistohen nga autoritetet. Kemi pasur mundësinë të testojmë sërish mekanizmin e ri të Mbrojtjes Civile. Mekanizmi ri të Mbrojtjes Civile e ka çuar koordinimin mes institucioneve në një nivel të ri.
Përmbytet shkolla që inauguroi Veliaj
Shkolla 9-vjeçare “Sabaudin Gabrani” u gdhi e përmbytur dhe me mure të lagura, për shkak të stuhisë së shiut. Dhe kjo nuk është hera e parë që kjo godinë përmbytet, por ndryshe nga herët e tjera, këtë vit shkolla ishte e rikonstruktuar dhe “presupozohej” se nuk do kishte më përmbytje. Shkolla qe përuruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj më datë 3 shtator të këtij viti. Ajo u rikonstruktua me fondet e Bashkisë së Tiranës, por siç dimë këto fonde burojnë nga taksa e arsimit që derdhin qytetarët dhe bizneset çdo muaj. Vlera e tenderit ishte 50 milionë lekë (ose 500 milionë lekë të vjetra). Fituese u shpall kompania “Klajger Konstruksion” e cila bëri ofertën më të ulët me vlerë 45, 453,275 lekë (mbi 450 milionë lekë të vjetër). Siç pretendon Erion Veliaj me këto para u bënë një sërë punimesh, mes tyre dhe sistemi i kanalizimeve apo tarraca. Por pa kaluar as një javë nga përurimi shkolla u përmbyt. Gazeta Mapo pyeti zëdhënësin e Bashkisë së Tiranës, lidhur me problemet që u konstatuan në shkollat e kryeqytetit nga reshjet e shiut. Ai tha se “përpos tre shkollave që raportuam në mëngjes, nuk ka patur probleme në shkollat apo kopshtet e tjera”. Sipas tij, ato janë pastruar dhe s’ka asnjë problem”. I pyetur specifikisht për shkollën e rikonstruktuar “Sabaudin Gabrani” dhe fondet e harxhuara për të, zëdhënësi i bashkisë preferoi të hesht!! Ndërsa, ministrja e Arsimit, Besa Shahni njoftoi në mëngjes se “është pezulluar mësimi në tre institucione arsimore, konkretisht “Sabaudin Gabrani”, shkolla 9-vjeçare “Yzberisht” dhe shkolla 9-vjeçare Lalm, për shkak se uji ka hyrë në katet e para dhe oborret e shkollave”.
LEXO EDHE: