“Befasia” quhet operacioni policor që çoi në prangosjen e dy marokenëve, të dyshuar për një seri vjedhjesh të kryera në zonën e Ali Demit dhe tek Rruga e Barrikadave në kryeqytet.
Marokenëve, përkatësisht 23 dhe 30 vjeç në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan sendet e vjedhura dhe një sasi parash.
Policia bën me dije se dy të prangosurit, kanë kryer vjedhje edhe ndaj një siriani, të cillit i kanë marrë sendet personale.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se N. B., 23 vjeç dhe H. A., 30 vjeç, janë edhe autorë të disa vjedhjeve të tjera të telefonave dhe bizhuterive të ndodhura më parë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor “Befasia”.
Vihen në pranga dy shtetas marokenë të dyshuar për një sërë vjedhjesh të kryera në zonën e Ali Demit dhe te Rruga e Barrikadave.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura dhe një sasi parash.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen e vënien para drejtësisë të autorëve, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për dy shtetas të dyshuar si autorë të disa vjedhje telefonash dhe bizhuterish të ndodhura në zonën e Ali Demit dhe te Rruga e Barrikadave, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “BEFASIA“.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i dy shtetasve marokenë: N. B., 23 vjeç dhe H. A., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas i kanë vjedhur me dhunë sendet personale shtetasit sirian M. H., 30 vjeç.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas janë dhe autorë të disa vjedhjeve të tjera të telefonave dhe bizhuterive të ndodhura më parë në zonën e Ali Demit dhe në Rrugën e Barrikadave.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik të këtyre shtetasve dhe të banesës së tyre, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë provës materiale një shumë parash, bizhuteri, ora dore, aparate celular dhe sende të tjera.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura dhe një shumë parash.
Materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.