Një person është arratisur mëngjesin e sotëm nga ambientet e komisariatit nr.1 në Tiranë.
Mësohet se bëhet fjalë për Riljon Lala, 30 vjeç, i arrestuar më datë 2 janar në zonën e “Ali Demit” për armëmbajtje pa leje.
Lala tentoi t’i largohej uniformave blu në momentin e prangosjes, duke hedhur armën në tokë dhe vrapuar. Mirëpo, nuk vonoi shumë ndalimi dhe shoqërimi i tij në komisariatin nr.1. të kryeqytetit.
Sot pritej që 30-vjeçari të dilte para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Ndërkohë, ende nuk dihet se si është larguar nga ambientet e komisariatit.
Njoftimi i Policisë për arrestimin më datë 2 janar:
Qarkullonte me armë zjarri me vete, por falë dhe bashkëpunimit me qytetarët, Policia lokalizon dhe vë në pranga 30-vjeçarin. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë.
Si rezultat i rritjes së besimit të qytetarëve tek Policia, është marrë informacion se një i ri po qarkullonte me armë zjarri në zonën e Ali Demit. Menjeherë u organizuan shërbimet e Policisë për lokalizimin dhe kapjen e personit.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm , shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shigjetat”, bënë të mundur që në lagjen “Ali Demi” të lokalizonin personin e dyshuar, i cili sapo ka parë shërbimet e Policisë ka hedhur armën e zjarrit në tokë dhe ka tentuar të largohet me vrap, por gjatë ndjekjes është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R.L., 30 vjeç, dhe materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Etiketa: armembajtje pa leje, arratisje nga Komisariati, tirane