Pas një konflikti në rrugën “Don Bosko” në Tiranë ka mbetur i plagosur një 45-vjeçar, me iniciale A.K. Mësohet se i plagosuri ndodhet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur gjatë mesnatës dhe konflikti ka nisur për motive të dobëta.
Autori është identifikuar si Argjir Dusha, 50 vjeç, banues në Tiranë. Ai është vënë në pranga dhe thika me të cilën plagosi 45-vjeçarin është sekuestruar.
Dusha akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajta pa leje e armëve të ftohta”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.