fbpx

Mapo Letrare

Tjerrur hollë mbi mollët e fjetura





               Publikuar në : 16:30 - 06/07/19 |
mapo.alm

Nga Anila Kruti


1.Këpucët mu bënë varka



 


Ra një shi mbrëmë.

Mbuloi pyllin ,shtëpitë …u bë det.

Sikur të kishte duar pasqyre

gjithçka e lau e mblodhi mes duarsh nata.

U mbushen kovat rrëzë ftoit në pragun e portës.

Pellgjet e vegjël dhe sytë e degëve.

Ranë lotë të kaltër që gjetën udhë e erdhën tek unë.

Mua sikur më zgjoi një e larë me krahë zogjsh.

Si ujë i bekuar më ra ndër sy.

Pashë sytë e tu mbi det.

Nisa të kërkoja nëpër dhoma.

Pastaj vesha këpucët e bardha.

Dola te porta.

Këpucët mu bënë varka.

Po detin nuk e gjeta.

 

2.Stina ime

Lashë fijen e mendimit nëpër mjegull

tjerrur hollë mbi mollët e fjetura.

Mjegull u bëra në ikjen time.

Një dimër i tërë më ra në krahë.

Zhveshi lëkurën time të vjetër.

Një hënë vjeshte vdiq në pyllin e drerëve.

Vajtuan zogjtë e mi të ikur.

Këngët e ujshme të shiut

zgjuan pyllin.

Ja, kështu e vetme u zgjova edhe Unë një ditë dimri.

Unë që gjithnjë kam dimëruar me zogjtë

këtë herë zgjodha të eci vetëm në pyllin e drerëve.

Kundrova fushat e bardha me pisha të heshtura.

Ujërat që ngrohnin gojën e dheut.

Zbathur,

mbërrita në pragun e dimrit.

Aty, midis ullinjve rashë në krahët e tu.

Tani, hënë e gjallë

dimëroj

Aty…

 

3.Kam mall për shtëpinë time!

 

Bie gjurmë dielli në pyllin me gështenja.

Avujt e tokës zgjasin gishtat nëpër ajër.

 

Unë bëhem ditë.

Bëhem ajër..

U zgjuan të parat fluturat e verdha .

Në buzën e përroit simfonia e gjetheve

ka kohë që mbështjell pyllin.

Kokën varur në krahët e shtatorit.

Unë kam mall për shtëpinë time !

Atje tej në vresht marrin udhën kuajt ngarkuar me rrush.

Ca gra me shami të bardhë hedhin grurë në erë.

Udhtëtoj nëpër stinë me shpirtin udhë

e udhë bëhem

e fjalë bëhem…

Çatia nën krahët e mollës ngre sytë e më sheh,

poshtë saj kukullat e mia të vogla diç më thonë.

Unë kam mall për shtëpinë time.

E frymë bëhem.

E lotë bëhem

nëpër faqet e çatisë.

Rritur poshtë një molle .

 

4.Mos ma sill shiun

Shpesh kam folur me degët e gjelbra.

Jam zgjuar në shtratin e pyllit

E kam ditur shpirti im i përket gjelbërimit.

Shpesh kam folur me degët e gjelbra.

Më bëhen muzikë

në këtë botë ku mungon zëri tënd.

E dita bëhet trishtim.

Më kujtohesh shpesh ti.

Më mbështolli prilli në duar.

Unë jam pylli

mbaj në krahë zogjtë

Mos ma sill shiun.

 

5.Zoti është tjetri

U ndez fjala në duart Hestias .

Orakulli i stinëve shkroi udhën tënde .

Hapat të sollën tek unë.

I miri im …

Zjarri të dridhej në duar.

Gjaku nën lëkurë .

Mua buza nën mall.

Trupi nën zjarr.

Mendueshem shtrive shpirtin në qiell.

Dhe pikove prej qiellit në fatin tim.

Ardhjes tënde ia dua gjurmën .

Duarve të tua mbushjen me dritë .

Heshtjes tënde i mësova leximin.

Prekjes së duarve muzikën e mallit.

Pastaj të dëgjova burimet e shpirtit

që rridhinin në emrin tim.

dhe qetë shtriva krahët e mi në parajsën prej uji.

Të pashë të luteshe në emër të dashurisë

tek këndove një psalm prej biblës së buzës:

E bukura ime !

Të përqafova në lindjen e një dite të re.

M’u ule në gjunjë

dhe qave si burrë …

 

 

 


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas