Verilindja e vendit nuk ka gjetur ende qetësi, pasi është tronditur sërish nga një tjetër tërmet me magnitudë 3.1 të shkallës Rihter.
Sipas IGJEUM, epiqendra e tërmetit ka qenë në një distancë prej 12 km nga qyteti i Bulqizës dhe me një thellësi prej 15 kilometrash.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, qarku i Dibrës u godit nga një numër i madh tërmetesh, ku më i forti prej tyre ishte me magnitudë prej 4.5 ballë të shkallës Rihter.
Lëkundjet shkaktuan panik dhe frikë te banorët.
Sipas bilancit të bërë nga Ministria e Mbrojtjes u raportua për 16 banesa të dëmtuara, ndërkohë që fatmirësisht nuk pati lëndime në njerëz.
Lëkundjet u ndjenë mëngjesin e djeshëm dhe në Tiranë.