Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Erion Veliajt, duke njohur mandatin e tij të dytë si kryetar bashkie në kryeqytet. Vendimi u shpall sot nga gjyqtari Dritan Caka.
Pas votimeve të 30 qershorit të gjithë kandidatët e PS kanë depozituar kërkesat në gjykatë për të marrë mandatet. Ajo ç’ka u verejt fillimisht në Durrës dhe tani në Tiranë është se gjykatat dhanë vendime kontradiktore. Kështu, më 15 korrik Gjykata e Tiranës shpalli moskompetencë për të dhënë një vendim mbi ligjshmërinë e mandatit të Agim Kajmakut për Vorën. Në vendimin e gjyqtares Ariana Gunbardhi thuhet se “kjo kompetencë i kalohet Gjykatës Administrative”. Ndërsa sot e njëjta gjykatë, pra Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur të konfirmojë mandatin e Erion Veliajt.
Akoma më i paprecedent është rast i Durrësit, ku në vendim e parë Gjykata nuk njohu mandatin e Valbona Sakos dhe 3 ditë më pas, Gjykata e Durrësit ia dha mandatin Sakos pas ankimimit nga PS-ja. Sa për Kajmakun e Vorës ende nuk është marrë një vendim dhe nuk dihet nëse do të shprehet sërish Gjykata e Tiranës (si në rastin e Durrësit) apo do ta shqyrtojë Administrativja.
/Mapo.al