Aktualitet

TOKAT E BREGUT/ Qeveria, dy vendime të reja në dëm të pronarëve














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:25 - 14/10/20 |
mapo.al

Me dy vendime, në vazhdën e ligjeve “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” dhe ligjit “Për Kadastrën” qeveria përcakton mënyrën e përfitimit të titujve të pronësisë, dhe kur ka mungesa dokumentacioni. Mund të bëhesh pronar toke edhe në rastet kur mungon harta e pronës.






Për të gjitha këto kujdeset Agjencia e Kadastrës. Në gjithë vendin rreth 45% e pronave shtet ose jo, janë jashtë sistemit. Thuajse i gjithë bregdeti i jugut është i paregjistruar. Ekspertët: Nga këto ligje përfitojnë zaptuesit, jo pronarët.


Bregdeti i jugut është një nga zonat, e cila nuk është hedhur ende në sistemin e regjistrit elektronik të tokave.







Mosmarrëveshjet atje janë të shumta, mes pronarëve të ligjshëm, atyre që kanë zaptuar, punonjësve të fermës, por dhe atyre që pretendojnë të bëhen pronarë me anë të dokumenteve të falsifikuara, apo të zhvendosjeve të pronave.




Dy vendime të Këshillit të Ministrave, në lidhje me titujt e pronësisë, tentojnë të shmangin gjykatën në procesin e regjistrimit, sidomos në raste kur toka figuron pronë shtetërore, ose me pronarë të paidentifikuar.



Si në rastin e gadishullit të Karaburunit, i cili pretendohet nga banorët e Dukatit, apo të gjirit të Kakomesë që pretendohet nga banorët e fshatit Nivicë.

Vetë Kreu i Kadastrës Artan Lame, ka deklaruar se pa u hedhur në sistem janë rreth 45 % e pronave në të gjithë vendin dhe këtu përfshihen dhe oborret në përdorim, e gjithçka tjetër.

Por në ndryshim me pjesën tjetër të vendit, bregu i jugut është pothuaj i gjithi i pahedhur në sistem, ose në gati 90% të pronave.

Ekspertët

Ekspertët e pronave, shprehen se ligji në fjalë mund të favorizojë grabitësit e pronave, pasi shmanget deklarata e fqinjëve kufitarë.

Pra, kadastra ka të drejtë të regjistrojë pronën, edhe në rastet kur pronarët fqinj nuk pranojnë të japin deklaratën (atribut i gjykatës deri më tani), ose dhe në rastet kur kufitarët nuk gjenden.

Me pak fjalë, ekspertët shprehen se kjo mund t’i japë mundësi dikujt që e ka pronën në vend tjetër, për të bërë zhvendosje. ASHK (Agjencia Shtetërore e Kadastrës), i jep të drejtën vetes të regjistrojë në sistem dhe dokumenta që më parë nuk janë regjistruar për gjithfarë arsyesh.

Ndërkohë, Kadastra merr parasysh dhe rastet kur pronës i mungon harta shoqëruese e pronës, duke ndërhyrë që ose ta plotësojë atë, ose të presë topografin e kontraktuar privatisht nga individi i interesuar.

Natyrisht, pasi ka përfunduar procesi fillestar i regjistrimit, dhe në regjistër figuron pronë “shtet” ose “me pronarë të paidentifikuar”.

Ja se çfarë thuhet në pikën katër të vendimit të datës 7 tetor 2020, “Për përcaktimin e procedurave të hollësishme të regjistrimit të titujve të pronësisë që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen”

4. “I nënshtrohen procedurës së përcaktimit të sipërfaqes pasuritë e paluajtshme që ndodhen, në: a) zona kadastrale, për të cilat në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi ka përfunduar regjistrimi fillestar dhe pasuritë janë regjistruar në kartelën e pasurisë së paluajtshme me shënimin “shtet” ose “pronar i pavërtetuar” në seksionin e pronësisë.

Këto pasuri regjistrohen në emër të një subjekti konkret, pasi të zhvillohet procedura e përcaktimit të sipërfaqes, në bazë të këtij vendimi; b) zona kadastrale, për të cilat është duke u zhvilluar procesi i regjistrimit fillestar.

Në këtë rast, përcaktimi i sipërfaqes është pjesë e procesit të regjistrimit fillestar; c) zona kadastrale, për të cilat është duke u zhvilluar procesi i përmirësimit të të dhënave kadastrale.

Gjatë procesit të përmirësimit kryhet procedura e plotë për përcaktimin e sipërfaqes”.

Kur toka është e lirë dhe sipërfaqja në përputhje me dokumentacionin e paraqitur, atëherë ajo regjistrohet në emër të personit, i cili e pretendon atë, pra kaq thjesht.

Ligji në fjalë i jep të drejtë kadastrës, të regjistrojë dhe pronat të cilat kanë mangësi në dokumentacion, gjë e cila me ligjin e mëparshëm ndalohej.

Regjistri

Për ta shpjeguar më qartë. Ekspertët shprehen se kjo lloj procedure, lë jo pak vend për abuzim.

E para, tenton të bëjë pronarë ata që tokën “shtet” e ose me “pronarë të paidentifikuar” e kanë përfituar në mënyrë të padrejtë, me anë të zhvendosjes, dokumenta apo firmave të falsifikuara që i ka bërë pronarë në një tokë që s’e kanë pasur kurrë.

Pra, në bazë të ligjit mund ta ketë pasur në majë të malit, dhe mund ta ketë zhvendosur në tokat e bregdetit, duke paraqitur dhe ndonjë dokument të marrë kush e di se si për këtë qëllim.

Lejon, kufitarët e tokës shtet të abuzojnë me sipërfaqen dhe më pas të regjistrojnë më shumë pronë se sa u takon, pavarësisht mënyrës se si e kanë marrë dhe çfarë dokumenti paraqesin.

Në momentin e regjistrimit nga ana e ASHK, ata bëhen automatikisht pronarë të saj.

Ligji për kadastrën, i ka vënë të gjitha institucionet në dorë të një institucioni të vetëm e cila e bën këtë të fundit më të fortë se vetë gjykata.

Në rast se dikur, procesi do duhej të kalonte në disa institucione, Hipotekë, ALUIZN-i e të tjera me radhë, sot kalojnë vetëm nëpërmjet kadastrës, ku drejtori është Artan Lame, i cili varet direkt nga kryeministri.

Vendimet

Duket se vendimet në fjalë, dy të tilla të miratuara brenda një dite më datë 7 tetor, dhe që kanë të bëjnë me “Miratimin e modeleve të akteve kadastrale dhe të dhënave në përmbajtje të hartës kadastrale” dhe “Përcaktimin e procedurave të hollësishme të regjistrimit të titujve të pronësisë që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen”, shkojnë në funksion të dy ligjeve që ka miratuar qeveria por që janë në dëm të pronarëve.

I pari ka të bëjë me ligjin “Për kadastrën” dhe i dyti “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” i miratuar në mars të këtij viti.

Specialistët shprehen se nga këto ligje përfitojnë të gjithë (sidomos ata që janë afër pushtetit), vetëm pronarët e ligjshëm jo.

Çdo individ që ka kryer një paligjshmëri apo që ka përfituar nga një ligj i padrejtë dhe abuziv siç ka ndodhur rëndom në këta vjet, është subjekt përfitues i tij.

Pra, flitet për ato subjekte që kanë zaptuar toka dhe kanë bërë ndërtime në çdo cep të vendit në mënyrë të paligjshme.

Persona që kanë përfituar toka në bazë të ligjit 7501, ata që kanë ndërtuar fshatra turistike në bregdet duke i marrë me qira dhe tashmë i lind e drejta të bëhen pronarë të truallit.

Personat e “stimuluar” që kanë ndërtuar për qëllime përfitime objekte në zonat turistike apo kanë marrë ndërtesa shtetërore me qira me çmime qesharake, por që nuk zotëronin pronësinë mbi tokën.

Pra me pak fjalë, të gjithë ata që kanë krijuar mishmashin e pronave në këta 30 vjet, përfitojnë dhe bëhen pronarë.

“Të vetmit që nuk përfitojnë nga e gjithë kjo histori janë pronarët e ligjshëm, ata që duhet të bredhin nga një gjykatë në tjetrën”, thonë specialistët e fushës.

Kadastra të drejta pa kufi për të regjistruar pronën, dhe pa vendim gjykate

2. Për efekt të këtij vendimi, konsiderohen pasuri të paluajtshme pa sipërfaqe të përcaktuar:

a) pasuritë, për të cilat në asnjë nga aktet e fitimit apo kalimit të pronësisë nuk është shprehur sipërfaqja dhe nuk ka skicë/planvendosje shoqëruese ose, edhe nëse ka skicë/planvendosje shoqëruese, ajo ka mangësi teknike-hartografike që e bëjnë të pamundur përcaktimin e sipërfaqes;

b) pasuritë, për të cilat në aktet e fitimit të pronësisë është shprehur sipërfaqja, por nuk e ka skicën/planvendosjen shoqëruese me paraqitjen grafike të sipërfaqes përkatëse. Kjo shkronjë zbatohet vetëm kur organet administrative që kanë miratuar aktin e fitimit pronësisë janë shuar si persona juridikë publikë ose nuk janë më kompetentë për çështjen dhe nuk ka një organ tjetër administrativ kompetent për të plotësuar mangësitë e aktit.

c) Për zonat kadastrale, ku harta kadastrale është e administruar në sistemin digjital të pasurive të paluajtshme, nëse gjatë ofrimit të një shërbimi për pasurinë, drejtoria vendore e ASHK-së konstaton nga verifikimi i dokumentacionit teknik dhe hartës kadastrale, se veprimet e mëparshme hartografike nuk janë pasqyruar në hartën kadastrale digjitale, ajo është e detyruar që t’i pasqyrojë ato menjëherë, përpara se të realizojë shërbimin.

d) Për zonat kadastrale ku ka përfunduar regjistrimi fillestar por harta kadastrale nuk është administruar në sistemin digjital të pasurive të paluajtshme, veprimet në hartën kadastrale vijojnë të kryhen në planshetat në format manual, të krijuara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, deri në administrimin në sistemin digjital të pasurive, si produkt i procesit të digjitalizimit, nëse është rasti i përmirësim/përditësimit.

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas