Mapo Letrare

Tollumbat e Migjenit dhe skarpinat e realitetit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:54 - 02/03/20 |
Nga Eli Kanina

Novelat e qytetit të veriut


“Ato dy buzë
Dhe dy botë të mia
Qenë shenjat e dhimbjes
Kur më vrau bukuria
Kur më zu dashnia
E më dogji rinia…”
Sapo kemi kaluar Ditën e të dashuruarve dhe veç të tjerave, bashkë me ëmbëlsinë e çokollatave, kemi përtypur sa e sa vargje e lirika të ëmbla. Sepse të gjithë shkruajnë e tundohen prej saj, madje edhe Migjeni aq i revoltuar nga mjerimi e vuajtja, ul grushtin drejt malit që zbëza, para dy buzëve të dashurisë.


DASHURIA
Migjeni është edhe poeti i dashurisë! I asaj dashurie që nis me një ndjesi, me një prekje, me a pa dashje, prej së cilës Dilës iu rritshin gjitë. Dhe ndjesia bahet dëshirë që e len pa gjumë, që e deh n’ekstazë, derisa ia ndien peshën, mungesën, dhe bashkë me kambët që përplaseshin prej shkambit në shkamb, e bëjnë Dilën zog që fluturon pas puthjes së Cubit.Sepse shtatëmbëdhjetë pranvera të saj janë 17 thirrje të nxehta e të heshtuna drejtue Cubit.


Kaq fort e përdor motivin e dashurisë Migjeni, sa edhe tek tregimi “Në sezonën e mizave” pasi bezdiset nga një mizë, që i vjen rrotull si lajmtare e verës, Hylli kujtohet se miza qenka nga plehu i kojshies së bukur. Atëherë ai e ndjek me simpati fluturimin e saj tërthuer nën tavan, si aeroplan vëzhgues, duke e shijuar atë mbasdite pranverore me fixhanin e kafes para. Miza, plehu, kojshia e bukur, në planin hyjnuer, e gëzuen se i tinglluen në një rapsodi dashurie.


Gëzimi është vetë pushimi i shuar i dhimbjes, e cila shpejt do të vazhdojë, thotë Schopenhauers. Migjeni e di mirë këtë, se pas gëzimit të dashurisë, fshihen aq shumë paragjykime e tabu që e ndrydhin ndjenjën e dashurisë, pa mundur të shfaqet mirë. Është kjo ndrydhje që sjell tradhëtinë, prostitucionin, cënimin e nderit, që vjen nga mungesa e lirisë.

LIRIA
Kjo ishte ajo që Migjeni kërkon për motrën e Nushit, Agen, për Luken, për Dilën, për malsoren që ofrohet bashkë me qymyrin. Të gjithave u duhet liria për të shijuar dashurinë, pa shikimin e molisun, pa u frigue se nuk ruen erzin. Femrës i duhet liria, liria me zgjedhë vetë, liria me refuzue fatin e paracaktu me përdhuni, me gëzue pa gërdhisht as veten, as shoqninë. Por jo liri veç për të frymuar siç thotë tek poezia:
“Liri dhe gaforrja gëzon, por gaforre është. Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon. Jo, liri nuk është…”
Migjeni nuk mjaftohet me gjallimin, vegjetimin e jetës, por liria duhet të jetë energji për dashuri, punë, dëfrim. Sepse vuajtja e dëfrimi rrinë bashkë. Gjithshkafja të mërzitet, por jeta me dashuri, përmban gëzimin e të qenunit, edhe pse idhnimi e mjerimi të jep dhimbë.

MJERIMI DHE PAPUNËSIA,LUTJA DHE LYPJA
Tek tregimi “Qershiat” Migjeni krahas qershive të pjekura, që pikojnë në sytë e gruas shtatzanë, të undshme e të mjerueme, na pyet: A mundet me qenë fryt i saj prodhim dashnuer i natyrës? Ndërsa shtjellon se qysh nenesre, tek foshnja që do urohet “I shkoftë lypa mbarë!” do trashëgohet mjerimi, urrejtja e cublliku, prej vllime ligjesh shoqnore, Migjeni ironizon: “E natyra pranverore qesh dhe kënaqet që po prodhon qershia të kuqe dhe fmi të mjeruem.”

Ky mjerim që është edhe epiteti i kohës së Migjenit, edhe përcaktuesi më i fuqishëm i poezisë së tij, gati sinonim me emrin e tij, përshkruhet edhe në shumicën e prozave të Migjenit, një mjerim sa material aq edhe shpirtëror. Ishte gja e rrallë por sa e nderue ajo familje që  dashtë zoti me pasë mjaft, sa me u plasë planci. Ç’mjerim, të mjaftohesh veç me hangër, të lypësh e t’knaqesh me kaq. Para se me lypë, nana përpiqet ta qetësojë  Lilin tek “Bukën tonë të përditshme falna sot..” duke e mësuar t’i lutet Zotit.

Ndërsa ajo fillon “Ati ynë që rri në qiell, shejtnue qoftë emri i yt… bukën tonë të përditshme falna sot…” biri e ndërpret “bukë të bavdhë nënë, iha qyshkur s’kena hangër” dhe nënën sa e zu gazi, e mbyt kolli, dhe s’di të qeshë a të zhgrehet në vaj. Por edhe me e lypë, nuk e kishe at fat të ushqeheshe nga Zoti, se “Zoti të dhashtë” domethanë mos me pas kurr, mas me ngranë kurr, asht tallje, ndaj mos i mashtroni lypsat me përgjigje ksisoj. Zoti ndoshta kujdeset për trumcakë e për priftënt, por lypsat nuk janë zoqët e qiellës, ata janë kaq shumë, sa bota i ka harrue, dhe para tyre shfaqen veç objekte mnie. Ishte aq mjerim  ajo kohë e Migjenit, sa misri ishte kthyer në legjendë të idhtë, zemërbrese, që të ban të qajsh.

Jo më kot Migjeni i quan Bjeshkët, dikur lterët e apoteozave perëndish, e tash lterët e apoteozës së Misrit. Si thneglat rreth kokrrës së misrit, mblidhen malsorët rreth depos me misër, misër për fmi që u përngjajnë lugetënve të vocërr. Një prej tyre, asht vocrraku që në mesnatën e acartë në kasollen ku gja e gjallë me njerzit e shpisë, ngrofet rreth votrës. Kur gjithshkafja asht e kristalizueme tek “bukuria që vret“, gjaku i vocrrakut ish ngri ndër dej, ish ngrimë lokja e nanës, ish bamë kristal.

Kristal, servis për milionarin! Ish ba rubis, për gjerdhanët e metresave! Trupi i vocrrakut, ish bamë shtatore e ngurët, e zhgulun nga gjini i nanës, për ndonjë ministër a deputet, apo për ndonjë perëndi klasike të mjerimit. Edhe tek “Të korrunat” Migjeni sjell ironinë e zotave me njerzit që mezi çprisnin tu gzoheshin të korrunave.

Pas shiut xhevahir i praruem me ylbera, fshatarët gëzonin e rriteshin bashkë  me grunin, mbrrinin në qiell, baheshin tataj. E fëmitë gzonin tue pamë prindët e tyne të gëzuem. E në ditën e të korrunave, në vend të grunit i gjejnë arat e tyne me topa hekurit, si përbindshat e prrallave. Me ballna të rrudhën, me shpresa të thyeme, u pëshpërijnë idhnueshëm fëmive: -do të mësoheni me ngranë hekur! E fmitë si fmitë, këndojshin e kërcejshin pa të keq: -Oho, oho, me ngranë hekur!

Po kështu tek “Mollë e ndalueme “ Migjeni na sjell një nga shkaqet e mjerimit, papunësinë. Një tridhjetvjeçar i papunë që endet vitrinave, me zili e përbuzje sepse për të janë mollë e ndalueme. I undshëm e zhelemel, me duert e forta, që edhe dreqin e kishin kapë për fytit dhe e kishin mbytë. Por edhe dreqin e mbron ligji, ndaj puntori ynë i papunë, sundon veten.

Po kush nuk e njef Lulin e Migjenit? Që ka veç hisen e diellit në cakun e vet, i mbështetun për mur, ku ngrofet larg shokëve. Me sy pllumbi, Luli i vocërr vështron ndërsa kishte dashtë t’i fali diçka mësuesit. Meqë vjollca e kurrgja s’ka, veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë me e hangër mësuesin- pohon trishtueshëm Migjeni.

Ndryshe nga Luli i vocërr, që e admiron mësuesin, ftyra inteligjente e Zenelit, duket se e qorton me tallje mësuesin. Shikon në dritzën e synit me syt tij të mençëm, sikur ta kuptonte pamundësinë e ndryshimit të realitetit si të stërgjyshve, të lanun e të tretun ndër këto bjeshkë. Nuk mjafton vullneti i mirë i mësuesit, ta baj Zenelin të hypi ndër majat e nalta kah shpërthejnë horizontet e dritës. Ndryshe e merr në qaf, se mund tënd thejë qafën i dëshpruem, tue pa të vetët të dashtun primitivë, tepër ultë dhe tue mos mujtë me u ndihmue.

FEMRA DHE PROSTITUCIONI

Një shkrimtar i realizmit kritik si Migjeni, sjell në vëmendje prapambetjen e shoqërisë, injorancën dhe papunësinë, që thellojnë mjerimin, duke e reflektuar këtë edhe tek figura e femrës. Aq sa e hyjnizon në bukurinë e saj, aq edhe e mëshiron për fatin që e pret nga lindja. Ajo që më bën përshtypje tek Migjeni është se ndrydhjen e ndjenjës tek femra, shthurjen e karakterit të saj, vesin e prostitucionit, nuk e quan tipar femëror, por imoralitet i shoqërisë, dhe ves i imponuar nga injoranca, varfëria dhe patriakalizmi. Nuk ka faj femra, justifikon Migjeni, sepse veset nuk vijnë nga dëshirat instiktive, si kafshët, edhe pse mëkati njerzor ua kalon shtazëve.

(Vijon në Suplementin letrar të javës tjetër)

 

 

 

 


Etiketa:

Pas