Ben Blushi duhet mbështetur në nismën e tij, pavarësisht se është shumë e vonuar.
Kështu shkruan Fatos Lubonja në një editorial tek gazeta Panorama.
“Prandaj mbështetja e Blushit nga brenda partisë për respektimin e të gjitha pikave të statutit të shkelura- jo thjesht ajo e zgjedhjes së kryetarit- do të ishte një kontribut, jo thjesht për kthimin e dinjitetit të njerëzve të Partisë Socialiste të nëpërkëmbur nga dhuna strukturore që ajo po ushtron edhe ndaj anëtarëve të saj, por edhe për të gjithë shoqërinë,” shkruan Lubonja.
Por e përditshmja Dita i mëshon një varianti tjetër.
Ata e shohin këtë lëvizje të Blushit si një kërcënim ndaj qeverisjes socialiste.
Duke theksuar se Blushi u mbështet nga Mimoza Hafizi, deputetja shkodrane, ata shkruajnë se pas saj është Tom Doshi.
Gazeta shkon edhe më larg, kur përdor shprehjen ‘a quhesh me dy herë’, që përdoret si referencë për ata meshkuj që i futen rrugës së homoseksualitetit.
“Është e qartë, për t’u profilizuar fort si kandidati në hije, për çdo rast. Edhe nëse bëhet kjo garë, në të cilën i thuhet Ramës ‘lëre për pak kohë qeverinë, hajde kandido në parti’, edhe nëse nuk bëhet, edhe Blushi, ashtu si herën e parë, edhe herën e dytë rri në parti për ta ‘shpëtuar atë nga brenda’. Në këtë rast të fundëm, mbase ish-kolegët, që tani kujtojnë në rubrikat dossier të shtypit LMN-në e vitit 2009, mund të ngrenë pyetjen: Po me dy herë, a quhesh?”