Aktualitet

Tonet e larta, nis përplasja e fortë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:04 - 17/09/21 |
mapo.al

Dje në darkë ka filluar sezoni i ashpër i politikës në vend, që tashmë duket se do të jetë disa polare. Pati përplasje në Kuvend ku u debatua për qeverinë e re dhe programin, mes Ramës dhe Bashës, por po ashtu, Sali Berisha shpalli me simpatizantët e tij lëvizjen për ndryshme në PD. Yuri Kim flet për vendimin e shpalljes non-grata: Ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë.






Seanca për votimin e kabinetit dhe programit qeveritar ka gjeneruar jo pak debate mes pozitës dhe opozitës. Në seancën e paradites, Kryeministri Edi Rama prezantoi programin, ndërsa vijimi i saj do të zhvillohej rreth orës 16.00, ku fjalën do e merrte lideri i opozitës Lulzim Basha.


Por ardhja e Ramës vonoi dy orë për të mbërritur në sallë në orën 18.00, e njëjta kohë kur kishte lajmëruar takimin ish-kryeministrit Berisha me simpatizantë, por edhe kur po zhvillohej intervista me ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila do të fliste për vendimin e departamentit të shtetit.







Basha
Në diskutimin e tij kreu i PD Lulzim Basha do hidhte jo pak akuza për qeverinë Rama dhe programin e tij qeverisës. Basha u shpreh se demokracia shqiptare është vrarë dhe se ekzekutori, sipas tij, është kryeministri Edi Rama. Më tej, lideri i demokratëve është duke bërë një analizë të qeverisë, që e cilësoi si një “kufomë” ndërsa shtoi se dështimet do t’i radhisë në bazë të raporteve të partnerëve ndërkombëtarë. “Demokracia shqiptare nuk është krizë, ajo ka vdekur. Ka vdekur në shtyllat e saj kryesore. Në themelin e saj janë zgjedhjet e lira. Demokracia shqiptare është vrarë. Gishti mund të drejtohet tek shumë prej nesh në këtë sallë, apo tek ata që. Ekzekutori i vetëm është Rama. Këto janë pasoja tragjike të një keq qeverisjeje.



Ky njeri nuk do të ishte sot këtu duke treguar përralla për atë që nuk ka bërë dhe atë që nuk do të bëjë në të ardhmen, por do të ishte duke u marrë me avokatët e tij mbrojtës, për atë që i ka bërë vendit bashkë me ortakët e tij. Ai që qëndron ulur këtu mbrapa po thotë që Shqipëria po ecën kryelartë falë veprave të lavdishme dhe unitetit të parti-popullit. Më lejoni t’i bëj autopsinë kufomës së kësaj qeverie, me bisturitë e partnerëve.” Basha listoi raporte të Bankës Botërore për nivelin e varfërisë në Shqipëri, Eurostatit, sipas të cilit Shqipëria është vendi i fundit në Evropë për të ardhurat për frymë, DASH për korrupsionin, Doing Business etj. “Fillojmë me Bankën Botërore, sipas të cilës Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkan. Gati gjysma e bashkëqytetarëve tanë jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë.



Vazhdojmë me Eurostatin, sipas të cilit Shqipëria është vendi i fundit në Europë për të ardhurat për frymë. Përsëri Eurostati, shqiptarët kanë pagën minimale më të ulët dhe konsumin individual më të vogël për frymë në Europë. Nga Eurostati vijnë edhe shifrat për eksodin masiv të shqiptarëve, sipas të cilave ke konkurruar me Asadin e Sirisë për azilkërkuesit që janë shfaqur dyerve të Europës gjatë keqqeverisjes tënde. Ky është realiteti. Në vend që të ulni kokën e të kërkoni ndjesë keni pacipësinë të mburreni. Së paku këtë t’jua kishit kursyer shqiptarëve: mburrjet dhe vetëlavdërimet mbi varfërinë, që janë për njerëzit e thjeshtë njësoj si t’ju rrotullosh thikën në plagën e hapur.

Korrupsioni është një tjetër thagmë e juaja. Nga Departamenti Amerikan i Shtetit Shqipëria cilësohet si vendi më i korruptuar i Ballkanit, ndërsa Transparency e International konsideron korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit. Banka Botërore dhe Banka Europiane Për Rindërtim dhe Zhvillim të rendisin të dytin në botë, pas Zambias për nivelin e ryshfetit, me shifra 3 herë më të larta se ato të 2013-ës. Sigurisht këto ndikojnë te klima e biznesit, për të cilën Shqipëria renditet e fundit në Europë në raportin më të rëndësishëm Doing Business! Je në listën ‘gri’ të Moneyval për pastrimin e parave, e sapo e zbrite edhe 28 vende, sigurisht parave të krimit dhe korrupsionit. Për OKB-në je prodhuesi kryesor i hashashit në Europë, si të vetmin produkt me të cilin njihet qeverisja jote, ndërsa fermerët shqiptarë që punojnë ndershmërisht tokën i ke lënë pa mbështetje, me subvencionet direkte më të ulëta në rajon. Edhe aty ku jepen me pikatore, jepen kryesisht për korrupsion dhe për të blerë vota”, -tha Basha.

Rama
Kryeministri Edi Rama nga ana e tij e akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha se fjalimin e djeshëm në parlament e kishte të fushatës elektorale. Ai tha se nuk priste më shumë, por se nxori si shkak për këtë gjë dhe stresin. “Do të isha i pavërtetë nëse do të thosha që prisja më shumë po sinqerisht si mund të vihet të flitet në emër të opozitës në këtë moment që dhe ju e quajtët shumë të rëndësishëm me një fjalim që është copy paste nga fjalimet e fushatës, treçereku dhe pastaj ca pjesë të tjera nëpër të vetëm përsëritje që mund të jetë dhe shkak i stresit, por nuk është kjo koha që unë të përgjigjem deri në fund. Ke boll kumrie kështu që këtu unë ndalem”, deklaroi Rama.

*
Nisma e Berishës
1500 firma të Kuvendit Kombëtar për referendum

Ish-kryeministri duket se nuk do të ndalet në ndërmarrjen e tij për të hedhur poshtë vendimin e 9 shtatorit të marrë nga kryetari aktual Lulzim Basha për ta përjashtuar atë nga grupi parlamentar i PD-së. Berisha nuk ngurron ta etiketojë Bashën si ish-kryetar, humbës dhe njeriu që me veprimet e tij i ka futur thikën pas shpine demokratëve.

Ish-kryeministri Berisha, deklaroi dje në foltoren e parë me anëtarë dhe simpatizantë të PD-së, se do mbledhë 1500 firma me qëllim që të shkohet në referendum që çdo anëtar i PD-së të shprehet për vendimin e kreut të PD-së Basha i cili ka të bëjë me përjashtimin e zotit Berisha nga grupi parlamentar. Nga ana tjetër, Berisha u bëri thirrje të pranishmëve por dhe të gjithë atyre që e ndiqnin në transmetim live që mos votojnë një humbës recidivist, dhe sipas tij me Bashën në krye të partisë PD nuk do të vijë asnjëherë në pushtet. “Synojmë ndërgjegjësimin e demokratëve. Do mblidhen firmat e 1500 delegateve të Kuvendit, pas mbledhjes së firmave do thërrasim Kuvendin Kombëtar. Do t’i kërkojmë Kuvendit Kombëtar që për vendimin e Bashës të shprehet çdo anëtar i PD, në të gjithë Shqipërinë.

T’iu themi demokratëve se me Bashën fitore nuk ka. Unë do t’u thoja demokratëve të mos votojnë kurrë humbës. Humbësi në fitore nuk të çon. Nëse nuk të çon ky, hapi rrugën tjetrit”, -tha Berisha. Ish-kryeministri nuk nguroi ta quante Bashën si ish-kryetari i partisë. Kryetari ynë, më falni ish-kryetari jonë u mor me karrigen e tij…. Lapsus. Zoti Basha u mor me karrigen e tij. Në atë kohë, Berisha doli “non grata” me një akuzë që ajo nuk ka asnjë fakt dokument dhe argument.

Lulzim Basha në një akt të pashembullt mendoj unë në historinë e një vendi dhe të një shteti. Pa pyet asnjë njeri del dhe komunikon përjashtimin e Sali Berishës duke i futur një thikë pas shpine mua është njëra anë, por të gjitha parimeve mbi të cilat është ngritur Partia Demokratike. Kjo parti është liri e të drejtave njerëzore. Është parti e të drejtave. Janë gardiane të interesit kombëtar. Ju futi thikë pas shpine forumeve të PD-së. Thirri koordinator. Po kujt i futi thikën tjetër ai? Juve dhe anëtarëve të PD-së. Vullnetit tuaj të shprehur në forume. Ky i asgjësoi të gjitha. Prandaj dhe ja ku jemi. Por tani vëreni vetën në pozitat e dy zgjedhësve”, -tha Berisha.

Takimi
Salla ku u zhvillua takimi ishte mbushur plot, ndërsa shumë të tjerë nuk arritën të futeshin në takim, duke dhënë një mesazh të qartë për kreun aktual të PD-së Lulzim Basha. Në foltoren e djeshme të Berishës merrnin pjesë, personazhe nga e gjithë shkalla hierarkike e PD-së, që nga anëtarë kryesie, këshilli kombëtar, kryetarë degësh, seksionesh dhe grupseksionesh. Shumë syresh kishin ardhur dhe nga rrethet, pa pritur që Berisha t’i bëjë vizitën e tij atje, pasi siç deklaroi ky tur do të vazhdojë në të gjithë vendin. Dhe dihet që në grumbullimin si dhe karikimin e anëtarësisë, Berisha mund të thuhet se është i pazëvendësueshëm. Rëndësia e tij u vu re dhe nga audienca televizive e cila mund të thuhet se sfumoi jo pak parlamentin shqiptar. Si për koincidencë, për shkak dhe të vonesës së Ramës, në atë kohë kish marrë fjalën dhe kreu i PD-së Lulzim Basha. Në faqen e tij Facebook shifra e atyre që e ndiqnin Bashën direkt në fjalën e tij pas dy vjetësh në parlament nuk i kalonte 1500 persona, ndërsa Berisha ishte në shifrat e më shumë se dhjetë mijë.

Viti 2017
Berisha e quajti listën e vitit 2017-ë si një ekzekutim të kupolës së atëhershme të PD-së, duke sqaruar se e ka paralajmëruar Bashën për braktisjen që do i bënte anëtarësia. “Do t’ju them këtu që dy vitet, 2019-2021, mund ta keni vënë re që kam bërë gjithçka për lartësimin e tij, për ta pasur fitimtarë, por ama kompanisë së huaj që punonin për fitoren tonë, i kam thënë 1 vit e gjysmë para, zotëria është lider i thyer. E ka thyer veten sepse në vitin 2017 nxori eksponentët kryesorë të PD, i ekzekutoi politikisht me pritë, e morën vesh nga radiot që s’janë në lista.

Më keq se kjo u bë një marrëveshje. Ju të gjithë dyshuat te ajo dhe me të drejtë, por ne ishim në betejë. Pas javës së parë vazhdoi Edi Rama, Luli është djali i mirë, unë qeveris me të. Ilir Meta doli me 21 deputetë, ne figuronim aleatët e PD. E më pas zbritëm në rezultatin më të dobët. Tani, u përpoqa që të ndiqet si lider, katër muaj para zgjedhjeve iu them atyre zotërinjve që ky nuk është ngjitur, por i thash të lartësojmë partinë dhe të ecim. Zotërinjtë, e kishin kontratën që duhej lartësohej, e ai nuk paraqiste asnjë vetëm veten në një kamionçinë. Prandaj dilte me 19% besim te zgjedhësit”, -tha Berisha, ndërkohë që lë të hapur një rikthim të tij në krye të PD-së “kushdo që do të udhëheqë PD do e caktojnë demokratët dhe demokratet me vullnetin e lirë”.

Lexo edhe :  Mapo nesër: Tonet e larta, nis përplasja e fortë

*

INTERVISTA
Vendimi ndaj Berishës, Yuri Kim: Ata që habiten nuk janë të sinqertë

Për qeverinë Rama 3 stili “si zakonisht,” pra performanca në nivel mesatar nuk mjafton. Mendoj se ekzistojnë mundësi historike përpara zotit Rama dhe pjesës tjetër të kabinetit.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi një intervistë për Zërin e Amerikës se kush thotë se është habitur nga vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit për zotin Berisha, me gjasë nuk është shumë i sinqertë. Zonja Kim shpjegon se kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Duke folur për Qeverinë e re, ambasadorja amerikane thotë se stili “si zakonisht,” pra një ecuri në nivel mesatar nuk mjafton

Ambasadore Kim, vendimi i zotit Basha për të lënë jashtë grupit parlamentar ish-kryetarin Sali Berisha është një vendim që ju e keni përshëndetur. Çfarë do ndodhte nëse zoti Basha nuk do ndërmerrte një veprim të tillë?

Shikoni, ky është një vend i lirë. Është vend aleat në NATO. Dhe udhëheqësit duhet të marrin përgjegjësi për vendimet e tyre. Për sa u përket Shteteve të Bashkuara, pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë që nga fillimi në lidhje me personat e përcaktuar. Dhe, nuk kam gjë tjetër për të shtuar për këtë çështje.

Zoti Berisha gjithnjë ka këmbëngulur në faktin se për të nuk ka prova. A i keni dhënë zotit Basha, informacione, përtej atij formulimi publik të Sekretarit Blinken?

Do të thoja që këto histori konspiracioni janë të pavend për një vend aleat në NATO dhe aspirant për në BE. Ditët e teorive të konspiracionit duhet t’i përkasin të shkuarës. Tani, e gjitha ka të bëjë me faktet. Dhe do t’ju them që procesi për përcaktimin e individëve, sidomos individëve të rëndësishëm, është një proces shumë i gjatë dhe shumë tërësor. Dhe, në kohën kur një vendim shkon përpara Sekretarit të Shtetit, pra që të nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit, ai ka kaluar nëpër shumë e shumë nivele shqyrtimi. Mendoj se është e drejtë të thuhet që në shumicën e rasteve, në të gjitha rastet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë, po flas për të gjithë botën, në momentin kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Dhe mendoj se ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë.

A ju ka kërkuar informacion Zoti Basha?

Ka kërkuar publikisht. E kemi dëgjuar. Kemi parë edhe deklaratat nga të tjerë. Kur vjen fjala te Qeveria e SHBA, për këto përcaktime ekziston një proces.

Pse masa ndaj zotit Berisha u mor tani, kur ai ka 8 vjet që nuk është në pushtet?

Shkuarja deri në fund të këtyre proceseve kërkon një kohë të gjatë. Përsëris, dua të sqaroj që nuk është pjesë e ndonjë teorie të çmendur konspirative që vë në shënjestër politikën e brendshme këtu. Uashingtoni nuk merret me diçka të tillë.

Duke kaluar tani në kampin tjetër, atë të qeverisë. Çfarë prisni ju nga qeveria e re shqiptare?

Mendoj se fakti që Kryeministri Rama ka fituar një mandat të tretë të paprecedent vendos një përgjegjësi të jashtëzakonshme mbi të dhe ekipin e tij për të fituar, për të demonstruar se e kanë fituar besimin e popullit shqiptar. Mendoj që stili “si zakonisht,” pra performanca në nivel mesatar nuk mjafton. Mendoj se ekzistojnë mundësi historike përpara zotit Rama dhe pjesës tjetër të kabinetit, qoftë nëse flitet për Reformën në Drejtësi dhe konsolidimin e institucioneve të demokracisë; qoftë nëse flitet për rritjen dhe thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara; qoftë nëse ka të bëjë me pastrimin e gjykatave dhe sqarimin e të drejtave të pronësisë në mënyrë që investimet të fillojnë të rriten fort këtu në Shqipëri në një mënyrë që është shumë më normale.

Një ndër tri priorotetet e misionit tuaj në Shqipëri, është biznesi, krjimi i një klime të favorshme për investimet amerikane. Por ndërsa dy kompani të mëdha, po përgatiten për të hyrë në sektorin energjitik, besimi i atyre që punojnë në Shqipëri ka ardhur duke u ulur. Sondazhi i fundit e DHAT, tregon një rënie në nivelet e vitit 2012….

Mendoj se duhet të shihni të dhënat faktike për nivelet e investimit, por ia vlen të dëgjohen ndjenjat që shprehen nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe investitorë të tjerë. Mendoj se është diçka e mirë që Kryeministri ka ngritur një forum ku dhomat e ndryshme të tregtisë, jo vetëm amerikane, por italiane, gjermane, një numër dhomash të tjera, bëhen bashkë për të ndarë idetë e tyre dhe, në fakt, në disa raste, për të paraqitur kërkesat e tyre.

Është diçka e mirë të ndodhë, por më gjerësisht, mendoj që ajo që pasqyrojnë këto raporte është fakti që korrupsioni vret investimet. Vret shpresën. Prandaj, duhet zgjidhur korrupsioni. Nuk është çështje morale, nuk është çështje vetëm morale. Është një çështje e biznesit. Është një çështje e begatisë. Është çështje e sigurisë. Pra, gjykatat duhet të jenë të pastra. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kalojnë vettingun. Rregullat duhet të jenë të qarta dhe proceset duhet të ndodhin në kohë dhe duhet të jenë të efektshme dhe, në fund të ditës, mendoj se barra i bie qeverisë që të demonstrojë dhe në fakt të ndërmarrë hapa që pastrojnë korrupsionin, që sigurojnë që reforma në drejtësi zbatohet shpejt, dhe që të bëjë të qartë se cilat janë rregullat dhe procedurat dhe, përsëris si në fillim, të drejtat e pronësisë qëndrojnë në thelb të kësaj. Pra, kjo është fusha e madhe ku qeveria e re, e cila është qeveria e vjetër, mund të bëjë një dallim të madh historik.

Zonja Kim, si i përgjigjeni ju kritikave, që ju shohin më të afër me qeverinë?

Kjo është një akuzë me të cilën përballen diplomatë amerikanë kudo në botë dhe diplomatët në përgjithësi. Shpresoj që njerëzit të kuptojnë që si diplomatë, e dini, mua më ka dërguar Presidenti amerikan për të përfaqësuar interesat tona pranë qeverisë shqiptare. Pra, ka një arsye që kur vjen një diplomat amerikan, ai ose ajo shkon tek kreu i shtetit dhe paraqet letrat kredenciale. Pra, detyra ime e parë, përparësia ime e parë është të sigurohem që qeveritë tona të kenë një marrëdhënie të mirë pune. Por përtej kësaj, diplomacia ka të bëjë me më shumë se thjesht qeveri me qeveri; ka të bëjë edhe me marrëdhënien njerëz me njerëz, madje edhe bizneset. Dhe prandaj më shikoni mua dhe diplomatë të tjerë në ambasadën amerikane të udhëtojmë rretheqark vendit, sepse kemi punë këtu në Tiranë me zyrtarë qeveritarë, por kemi shumë më tepër punë – dhe kur them punë, flas për marrëdhëniet – me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Prandaj takohem kaq shpesh me anëtarët e opozitës, qoftë zotin Basha apo një numër njerëzish të tjerë. Dhe kam në plan të vazhdoj të udhëtoj rretheqark Shqipërisë sepse dua të takohem me qytetarë të thjeshtë. Dua të di se ç’kanë në mend ata. Dua të kem mundësinë t’iu shpjegoj pozicionin e SHBA atyre përballë. Dhe nëse nuk janë në një mendje me diçka që them unë, dua të dëgjoj se çfarë pyetjeje kanë dhe të kem mundësinë t’i përgjigjem drejtpërdrejt. Deri tani, kam pasur disa biseda zhbiruese dhe ndriçuese. E dini, isha në Dibër pak javë më parë kur u ngjita në malin e Korabit. Kur isha atje, takova shumë njerëz në bulevardin kryesor. Më pëlqen të eci dhe të bëj biseda të vërteta sepse jam shumë e ndërgjegjshme që kur jam në Tiranë, kam një axhendë të mbushur plot dhe çdo person me të cilin flas është dikush që e kam takuar më parë, dhe ata dinë si t’i bëjnë këto biseda. Janë shumë, nuk dua të them të stisura, por kanë një lloj modeli të përhershëm. Më pëlqen të dal jashtë Tiranës sepse ka raste kur dikush s’ka takuar kurrë një diplomat amerikan më parë dhe janë njerëz që kanë mendimet e tyre, kanë përvojën e jetës së tyre; kur eci në Tiranë, e di që nuk është gjithë Shqipëria, që ka shumë më tepër atje jashtë saj. Më pëlqen të shkoj në male. Ua kam thënë njerëzve më parë, e dini, familja ime në Kore është nga malet më të thella, më të ftohta në gadishullin Korean dhe, nuk e di nëse është ky shkaku, por ndihem në shtëpi këtu, në male. Në të njëjtën kohë, jam rritur në një ishull tropikal dhe kur shkoj në jug, në Himarë apo Sarandë, ndihem shumë rehat edhe atje. Por këto biseda janë vërtet frymëzuese dhe janë shumë informuese sepse nuk përdorin pikat që duhen thënë. Dhe kur flas me ta, as unë nuk përdor të tilla, ndaj vërtet e vlerësoj atë mundësi dhe shpresoj ta vazhdoj.

Reforma në Drejtësi ka qenë kryefjalë e aktivitetit tuaj në Shqipëri. A do të ishit ju në favor të zgjatjes së mandatit të vetingut?

Vettingu mbetet themeli për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe më herët këtë javë, pas disa takimesh në format virtual, më në fund pata mundësinë të shkoja për vizitë fizikisht tek KPK dhe ramë dakord që puna e KPK është e rëndësishme, që kanë përmirësuar performancën e tyre me kalimin e kohës, që kanë pasur sukses kur kanë vënë disa synime shumë ambicioze për shifrat këto muajt e fundit dhe i kanë përmbushur ato. Ka ende shumë gjyqtarë dhe prokurorë që mbeten për të kaluar vettingun dhe po shohim të gjitha opsionet e ndryshme, përfshi atë që përmendët ju, por nuk kam ndonjë gjë për të shpallur. Intervistoi: Armand Mero

 

58


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas