Topografia dhe organizimi i fisit në Shqipërinë e veriut (II)

Nga Franc Baron Nopça

Përktheu e komentoi: Ndoc Kamsi, Përgatiti për gazetën Mapo: Veli Haklaj



PROFIL I FRANC NOPÇËS

Baroni hungarez Franc Nopça (Franz Nopcsa) ka dhënë një kontribut të çmuar për shqiptarët me studimet e tij në fushat e gjeologjisë, etnografisë, historisë etj. Nopça u lind më 1877 në Szaesel afër Hatzeg, në Transilvani, krahinë që bën pjesë në shtetin e Rumanisë. Ishte prej fisit të një familje të moçme aristokrate maxhare. Ai përpara qe oficer i regjimentit të dytë t’Usarvet, më vonë u laureua në filozofi. Si shkencëtar qe i palodhur në studime të veta. Shkroi një bibliotekë të tërë botimesh më të vërtetë të çmueshme.

Studioi mirë krahinat e Ballkanit. Nga viti 1903 deri më 1922 erdhi disa herë në malësitë e Veriut të Shqipërisë. Studimeve mbi Shqipërinë u kushtoi të gjithë vetveten. Shqiptarët e kishin aq mik sa s’kishin droje as zor me nda me të mjerimet e veta. Njohja shumë e mirë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht fiseve të Shqipërisë së Veriut, ndikuan që ai të ishte një nga pretendentët për fronin e Shqipërisë më 1913.

Vepra e tij më e vëllimshme (620 faqe) “Geographie und Geologie Nordalbaniens”, Budapest, 1929 (“Gjeografia dhe gjeologjia e Shqipërisë Veriore”) shoqërohet edhe me hartën e parë gjeologjike 1:200 000 të Shqipërisë Veriore. Njëkohësisht mblodhi material të pasur etnografik dhe rezultatet e studimeve i botoi në disa artikuj e punime, si “Das Katholische Nordalbanien”, Budapest, 1907 (“Shqipëria veriore katolike”); “Aus Šala und Klementi”, Sarajevë, 1910 (“Nga Shala dhe Kelmendi”); “Haus und Hausrat im katholischen Nordalbanien”, Sarajevë, 1912 (“Shtëpia dhe orenditë e shtëpisë në Shqipërinë veriore katolike”); “Beitrage zur Vorgeschichte und Ethnologie Nordalbaniens”, Sarajevë, 1912 (Kontribute për parahistorinë dhe etnologjinë e Shqipërisë së Veriut”); “Albanien – Bauten, Trachten und Gärete”, Berlin&Lajpcig, 1925 (“Shqipëria – ndërtime, veshje dhe enë e orendi”), e cila është vepra kryesore e tij në këtë fushë.

Duke bashkëjetuar për më se 12 vjet me fiset e shqiptarëve malësorë, Nopça mblodhi të dhëna të shumta dhe la në dorëshkrim veprën tjetër shumë të rëndësishme: “Die Bergstämme Nordalbaniens und ihr Gewohnheitsrecht” (Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre”), e cila është botuar shqip nga Instituti i Historisë më 2013 (shtëpia botuese “ENEAS”).

Franc Nopça ka qenë ndër të parët që në studimet etnografike për Shqipërinë futi për krahasim edhe të dhënat e arkeologjisë. Për objekte të kulturës materiale ka përdorur metodën krahasuese me vendet e tjera të pellgut të Mesdheut dhe të Azisë së Afërme. Në studimet etnografike ka qenë i pari që zbatoi me rigorozitet parimet e shkollës difuzioniste ose të rrathëve kulturorë.

Sipas studiuesit Ndoc Kamsi, “gabimi i Nopçës në periudhën historike të jetës së tij shqiptare âshtë ndoshta se u muer veç me Shqipërinë e Veriut, tue lanë në një an krahinën e mesme e jugore, gjendja historike e të cilëve athere ishte ndryshe prej pjesës veriore”.

Në vjetin 1933, i këputun nga sëmundja nervoze dhe i lodhun prej vështirësive financiare, mendja e tij e lodhun nuk qëndroi mâ.

***

Një ndër punimet e rëndësishme të Franc Nopçës është dhe “Topographie und Stammesorganisation in Nordalbanien” (“Topografia e organizimit fisnor të Shqipërisë së Veriut”), botuar në Öhrlingen, 1932. Përveç informacionit të vyer që sjell në aspektin etnografik dhe historik, me rëndësi në këtë punim janë përpjekjet e Nopçës për të krahasuar të drejtën zakonore shqiptare me atë të vendeve të tjera, kryesisht në Evropë.

Këtë punim të përkthyer nga studiuesi Ndoc Kamsi, në gegnisht, dhe që administrohet në fondet e Arkivit të Institutit të Historisë, Tiranë, përkatësisht në dosjen A. IV. 155, do ta publikojmë në vijim për lexuesin e gazetës “Mapo”.

Punimi i Nopçës në versionin shqip është i shoqëruar me tridhjetë e një komente nga përkthyesi Kamsi, të cilat brenda tekstit janë shënuar me numra romak dhe paraqiten në fund të punimit. Komentet në vetvete përmbajnë informacion të rëndësishëm në raport me problematikat që trajtohen në punimin e Nopçës, ku duhen evidentuar qëndrimet kundër qasjes së Nopçës për disa çështje të trajtuara.

Ilustrimet e përdorura janë të marra nga punimet e Franc Nopçës, që administrohen në fondet e Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, kryesisht në fondin e dorëshkrimeve.

 

VIJON NGA NUMRI I DJESHËM

Sikurse u cek mâ parë në Shqipninë e Veriut shtërngesa e organizimit të fisit nuk âshtë kudo e barbartë. Në Malsinë e Madhe, në Dukagjin e në Malësinë e Vogël, ku në kundërshtim me Mirditën nuk ekzistonte një fuqi qendrore, i qe dhânë mundësija si një anarshije të plotë ashtu edhe një vetadministrimi të rregullt për shkak të gjykimit të shëndoshë të banorëve të tyne.(XVII) Prej këtyne dy mundësive zotnoi anarshija për shkak të përçamjes topografike në Kthellë, në Selitë e në Mat. Në Kthellë, në Selitë dhe në Lurë njerëzit ishin fare të palidhun ndër vete në krahasim me krahinat e malësorëve t’organizuem mirë që shtriheshin në veri të Drinit. Kështu që secili juridiksion dhe eksekucion e mbajti të drejtën në vete, kurse fiset mâ të lidhuna u zhvilluan mâ tepër në Malësinë e Vogël. Këtu pleqt’ e katundit qëndruan të paprekshëm nëpërmjet krenëve dhe djelmënisë, institucion demokratik përballë krenëve të trashëguem. Krenët e djelmenisë, fuqija e të cilëve mbështetej mbi anën e vet, prap se prap u ndihmonin krenëve me të gjithë fuqinë e vet. Nga një lidhje e këtillë rridhte gadi përherë që secila familje, përgjegjëse për individët e vet për shkak të pasunisë së bashkueme, detyrohej mos me i kapërcye ligjet e fisit. Në këtë krahinë ngjau edhe që të bashkoheshin me qindra për t’u vërsulë mbi një familje kryeneçe, me i vu asaj pagesë lufte dhe me e ndëshkue me gëzim të madh. Djegja e një shtëpije me vendim të fisit në Malësinë e Vogël ishte përherë një gjë serioze, për të cilën u bânë fli muret e shtëpivet. Në Dukagjin mund të ndodhte ndryshe: një familjeje fajtore i lejohej zbrazja e plotë e shtëpisë që do të digjej dhe prap, si t’i jepej një herë zjarri dhe të dilte një sasi e mjaftueshme tymi, zjarri ndalohej. Simbas zakonit të fisit të Berishës, që i përket Dukagjinit, për një vrasje mund të mos digjej shtëpija, kur pronari i saj mund t’u qëndronte të gjitha sulmeve për tri ditë rresht, gjâ që formonte t’ashtuquajturin kalim të zakonit të Malësisë së Vogël tek zakonet e Kthellasvet e Mirditasvet, të cilët nuk mendojshin fare për djegje të këtillë shtëpije. Në Malësine ë Madhe për shkak të trans-humancës në zhvillimin e fisit shtëpija kishte një natyrë krejt të veten. Nga topografija e vet ajo u mbrojt, por nga trans-humanca u dobësue. Në mungesë të kreut, guracakët që banojnë në plasa malesh të pllajës së thellë të Cemit, i regullojnë vetë çështjet e veta shtrembët e drejtë, por në çështje të randësishme e lanë me thirrë në kohë t’dimnit bajraktarin nder male. Me gjithë vështirësitë e shumta ekzistonte, pra, në secilin fis të kësaj krahine një personalitet që udhëhiqte me gjykim të shëndoshë. Në Malësinë e Madhe organizimi i fisit ishte po aq i fortë sa edhe në Malësinë e Vogël, por ndikue n’esencë nga ajo që sillte një pjesë e madhe e secilit fis që dominonte mâ afër dhe atje ku mbërrinte administrata turke.

Në kundërshtim me këtë, në Mirditë secili ishte i lirë me apelue te Kapidani, pse këtu lidhja e fisit ishte mâ e lirëshme. Vjedhja mbetej shpesh pa u ndëshkue dhe gjaksorit i mbetej vetëm me u ruejtë nga hakmarrja. Fyemja e të drejtës së mikpritjes ishte në Mirditë ndoshta e vetmja gjâ që, jo vetëm sillte me vete indinjatën e krejt fisit, po edhe ndëshkimin e shpejtë. Në kundërshtim me pjesët e tjera të Shqipnisë së Veriut, Mirdita në këtë mënyrë formonte pothuajse një principatë të vogël e cila relativisht mâ vonë përpini në periferinë e vet fise të hueja, por, sa për këtë, të gjithë mirditasit e ruejtën edhe mâ pastaj zakonin e vet, pse, edhe në qoftë se ata zânë vend mjaft larg krahinës së vet, gjithnjë ata e mbajën veten si pjestarë të fisit të vet atdhetar. Kështu ishte përshembull rasa e popullsisë së Munelës(XVIII) dhe të Gomsiqes, që rridhnin nga Spaçi dhe gadi gjithmonë çështjet e veta ia paraqitshin bajraktarit të fisit të vet të moçëm.

Në pjesën tjetër të Shqipnisë së Veriut topografija luente një rol esencial në shtërngesën e organizimit të fisit. Organizimi i fiseve që banojn në zgavër të hapët topografike u mbrojt me lehtësi, mbasi mbarë popullsija mund të mblidhej në një lug të vetëm. Shala, fjala vjen, në rast kushtrimi mbrenda dy-tri orëve mund të mblidhej krejtësisht te Ura e Shalës.

Gadi me të njëjtën rëndësi n’organizimin e fisit âsht edhe zakoni me çue lajme me anë të kushtrimit. Ky zakon ka zhvillue një shërbim lajmesh t’organizuem shumë mirë, veçanërisht në Malësinë e Vogël, ku pllajat janë të thella e të përshtatshme dhe lajmi përshkon me lehtësi largësi prej 18 km vijë ajrore (= 30-40 km rrugë tokësore). Largësitë në të cilat çdo njeri ia çon lajmin mikut të vet në Malsinë e Vogël janë kolosale dhe në përshtatje me mushkënitë shkëlqimisht të ndërtueme të malësorëve. Shpesh ndodhë që njerëzit mirren vesh njëri me tjetrin nga një largësi dy-tre kilometrash. Kushtrimi në vetvete lëshohet me një ton të naltë dhe me një përdorim mjaft të mundimshëm fuqije, pra, me bark përmbrenda dhe me parzëm gadi të përkulun mbrapa, me fytyrë të kërveshun nga mundimi e me duer të mbajtuna te goja. Tue thirrë zgjatet secila zanore e fjalës për t’u dhânë udhë valëve të tingullit njilloj e me fuqi të njinjishme nëpër ajrin e lehtë. Të tilla zane ndigjohen në Shalë të zgjatueme nga vija ardhjeje të panjohuna që dridhen nëpër ajër si të mbinatyrshme. Mandej secili ndalet e rrin në përgjim si në qoftë vetëm, si në  qoftë në shoqni, se mos janë lajme anmiqësije dhe mandej, në qoftë se një ndigjues e ka analizue me të shpejtë lajmin, që shpeshherë âsht i vështirë me u kuptue, ua njofton aty për aty të tjerëve përmbajtjen me fjalët “kurgjâ të keq” dhe atëherë të gjithë vijojnë punën. Në qoftë se një lajm i këtillë duhet përcjellë edhe mâ larg, atëherë ai që e ka ndigjue shkon mbi grykën e malit dhe menjëherë lëshon kushtrimin drejt vendit të caktuem. Në rasë të një sulmi, secili rrok armën ashtu si gjindet dhe menjëherë vrapojnë të gjithë në vendin e kërcënuem. Natyrisht një shërbim i këtillë lajmesh nuk mund të zhvillohej në një krahinë kodrinore të mbuluar me ferra e shkurre. Ai mungon, pra, në Dukagjin e në pllajat e Mirditës të ngushta e të përdredhuna andej e këndej dhe të thellueme në një gur shumë eruptiv.

Gjithashtu me shumë shembuj mund të dokumentojmë ndikimin e topografisë mbi organizimin e fisit. Thethi, megjithëse nji vllazni e Shalës, âsht i pamvarun nga Shala dhe kjo i detyrohet një pjese jo të vogël të ngushtimit të pllajës te Shkalla e Thethit. Gimajt, të cilët nga qendra e Shalës (Pecajt) ndahen prej prronit të thellë të Shalës, kanë gjithashtu ligje të vetat.(XIX)

Një shembull tjetër klasik i ndikimit të barrierës gjeografike mbi ndamjen e fisit asht fisi i Mërturit. Ky banon sot në një krahinë e cila coptohet në tri njësi gjeografike nga lumi i Drinit dhe nga pllaja e Nikajvet: Mërturi veri-lindor ose Mërturi vetë, në veri të Drinit në një rrëpinë të Korjes; Mërturi jugor (Mërturi i Gurit), n’anen jugore të Drinit në kolikun e Çlumit dhe Mërturi veri-perëndimor (Salca) në perëndim të pllajës së Nikajvet. Të trija këto krahina fillojnë mos me u mvarë nga njena-tjetra. Ndërsa të dyja pjesët që jetojnë në veri të Drinit i kanë çështjet e përbashkëta, pjesa tjetër, që shtrihet në jug të Drinit nuk merr pjesë në mbledhjet e gjana  të fisit.(XX)

Âsht një gjâ interesante me kundrue qëndrimin e Salcës dhe të Mërturit kundrejt Toplanës. Ndoshta për shkak të dëbimit të hershëm nga rrëpira e Strashicës âsht prapë gjallë armiqësia e trashëgueme midis Mërturit veri-perëndimor dhe Toplanës dhe lehtësisht kërcet pushka ndërmjet këtyre kundërshtarëve, po herë-herë lidhet dhe besë. Gjâja mâ e çuditshme në këtë besë âsht veç që Toplana mund të lidhë besë me Salcën, por kjo besë nuk ka vleftë për Mërturin e Gurit. Megjithëse Mërturi i Gurit i përket Mërturit veri-perëndimor sa për emen dhe Mërturi i Gurit me Toplanën lidhë besë të veçantë. Në Salcë mora vesh unë, mbasi qëndrova disa ditë, që Toplana me Mërturin kishin lidhje fisi. Pjesa i përket fshatit Mërtur-Apripë të shkëputun nga Mërturi i Gurit prej Malit të Çlumit dhe prej krejt Mërturit tjetër nga Drini. Apripa âsht bashkue krejt haptas me Thaçin. Natyrisht kjo ndodhi veç për mungëse të nji mâ të miri.(XXI)

Kundrejt ndikimit të ndamjes nga barriera gjeografike, qëndron momenti i bashkimit nga trajta e zgavrës gjeografike. U cek mâ parë se Shala, Shoshi, Nikajt, Dushmani, Toplana, e mandej bajraku i Bugjonit u përgjigjen fiseve monofyletike dhe trajtës zgavrore të terrenit. Plani, Kiri, e Iballja janë shembuj shoqnije o bashkëpunimi malësorësh polyfyletikë dhe trajta e terrenit i bashkon në një bajrak. Pulti në kuptimin e ngushtë si emen përmbledhës për të përfshi fiset e Planit, Sumës, e Kirit e pati mundësinë e afrimit pse Plani paraqitet si kuptim topografik nji lug i vërtetë i ngushtuem në veri e në jug prej malesh të nalta dhe, prap se prap, ky lug banohet prej familjesh jo farefis në mes tyne simbas kuptimit shqiptar, dhe popullsia formon një bajrak të vetëm dhe si nga jashtë si nga mbrenda paraqet një njësi t’organizueme mâ së miri, megjithëse njësi e dobët për nga numri.

Po e njëjta gja si për Planin vlen edhe për Kirin. I vetmi ndryshim këtu âsht se Kiri nuk âsht i përmbledhun në një një lug, por në një rrëpinë,  e cila shtrihet në mes të pllajës së parrugë e të thellë të Kirit për nga gjatësija dhe të një shpati malor. Kundrejt rrëpinës së pllajës së shtrime banojnë tri fise Plan, Xhan e Kir të cilat nga lindja, veriu e perëndimi kufizohen me male të nalta dhe në jug prej grykash të ulta, po megjithatë të vështira për kalim dhe së bashku shënohen si shokë me Shalë e Shosh në fjalën “Pult”.(XXII) Pulti i përgjigjet në vetvete krahinës së burimit të Kirit (lum) dhe âshtë gjâ interesante që sot shënohen me këtë emen tri fise të kësaj krahine, kurse po ky emen në trajtën “Pulat” përdorej në kohën feudale shqiptare dhe përfshinte atëherë disa pjesë të tjera krahinore si kuptim politik.(XIII) Kuptimi administrativ “Pulat” âsht zvogëlue në këtë mënyrë në një njësi të vogël topografike qysh në kohën e mesme.

Fushën e Iballës mund ta cekim si një shembull tjetër për të tregue fuqinë bashkuese të trajtave zgavrore topografike. Një pjesë e popullsisë s’Iballës genetikisht i përket fisit të Thaçit, por tue qenë ky i ndamë nga Lumi i Bugjonit nëpër një kreshtë mali ku banon pjesa më e madhe e fisit të Thaçit. Kjo pjesë, së bashku me ata që kanë ra nga Toplana n’Iballë, u zhvilluan krejt si fis i pamvarun nga pjesa tjetër e Thaçit, por megjithkëtë lufta për hegjemoni midis Kopratit e fshateve të tjera e ka pengue esencialisht zhvillimin e organizimin e fisit.(XXIV)

Në Dukagjin gjinden gjâna krejt të ndryshme, që i përgjigjen një peneplaine-i stërplak. Fshatrat mbajtën karakter fshatrash të vogla që shtrihen larg njâni – tjetrit dhe, nga se e kishin të vështirë me u bashkue me të shpejtë, çdo fshat i vogël u detyrue të mbështetej veç në fuqitë e veta. Në të gjithë Dukagjinin vetëm banorët e pllajës së Lumit të Bugjonit formuen një njësi të fortë e të bashkueme. Këta kishin një bajraktar me shumë influencë dhe i ndigjojshin gadi përherë, por natyrisht ndonjherë dhe shembrit (rivalit) të tij në pjesën tjetër të fisit. Thaçi kujdeset fare pak për çka ndodhte në të dy rrëpinat e pllajës së Lumit të Bugjonit. Komani (te Kalaja e Dalmaces, Vau i Dejës) i kryente çashtjet e veta pa e pyetë  fare fraksionin e fisit të Qerretit. Dardha i përkiste sa për emën Kabashit, por ky ishte mysliman e ajo katolike, kështu që nuk ishte i mundur një bashkëpunim i vërtetë dhe nga kjo shthurje e plotë erdhi në Dukagjin edhe diçka tjetër d.m.th. që në Pukë të sundojë kajmekani turk me anë të një garnizoni të vogël, i cili nganjëherë shfaqte shenja gjallnije. Çdo fshatar i vogël në Dukagjin kujdesej sa ku mundej për një lloj rregullimi të jashtëm, por mungesa e përpjekjes së përbashkët sillte me vete që banorët e kësaj krahine e sidomos ata t’Ukthit e Buzhalës t’ishin të përbuzun nga fqinjët. Vetmimi i fshatrave të vogla ndikonte në Dukagjin kundra ndjenjës së fisit dhe, për sa kohë katundi u trajtue në mënyrë të këtillë, nuk i binte mbarapa më gjakësit dhe prandaj ky për sigurimin e vet nuk kishte nevojë të marrë tjetër masë veç me u ngujue në kullë. Natyrisht kjo mungesë e ndjenjës së fisit e dobësonte popullsinë përball ndikimeve të jashtme dhe prandaj kjo jetë e veçueme çonte në një gjendje që një kajmekan të mund të vendosej e të qëndronte në Pukë.(XXVI)

VIJON NUMRIN E ARDHSHËM…

Komentimet e veprës në fjalë nga Ndoc Kamsi

XVII. Përkundrazi, këtu prej se institucioni i fisit âsht mâ i fortë, anarshija âsht mâ e vogël, kurse në Mirditë ku fisi u dërmue mâ shumë dhe mori rrugën drejt feudalizimit (por që nuk e kishte arritë ende) kemi anarshi: fisi me institucionet e veta juridike dhe njëkohësisht feudalizimi që po nxirrte krye me kërkesat e veta.

XVIII. Munellës. Emni âsht Mnelë e duket se ky emen rrjedhë prej emnit roman Fontanella. Katundi i Mnelës, i fisit të Spaçit, bâhet prej nëtëdhjetë shtëpi e janë shtatë barqesh: Vathaj, Sulaj, Gjinaj, Gegaj, Gjeçaj, Bashaj.

XIX. Thethi, megjithë Shkallën homonime që e ndanë prej Shalës, bajraktarin e krenët i ka në Shalë e në Theth rrin vetëm vojvoda i vllaznisë. Gimajt, megjithëse nuk janë fis me Shalën (vlla i mbathun), lidhen me bajrakun e Shalës. Në kohë të fundit bâni përpjekje me u shkëputë edhe si bajrak në vete. Gimaj e Shala kanë ligje të njinjishme e jo të veçanta.

XX. Shumë e drejtë.

XXI. Âsht faza e dekompozimit të fisit.

XXII. Kir, Plan e Xhan nuk jane tri fise por tri fshate që kanë çdonjeni një tok fisesh të ndryshme mbrenda.

XXIII. Ka ndihmue në dekompozimin e fisit.

XXIV. Të gjitha janë të vërteta dhe shënojnë dekompozimin e fisit.

XXV.Dardha afër gjashtëdhjetë shtëpi, janë fis me Kabash, të barkut të Kokë Lekë Kolonjës.

XXVI.Të gjitha janë të vërteta dhe shënojnë dekompozimin e fisit.

Burimet

  1. Arkivi i Institutit të Historisë, Dosja A. IV. 155.
  2. Topographie und Stammesorganisation in Nordalbanien” (”Topografia e organizimit fisnor të Shqipërisë së Veriut”), botuar në Öhrlingen, 1932, f. 295-305.
  3. Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre, “ENEAS”, 2013.
  4. Servet Pasho, Spiro Shkurti, Fjalori enciklopedik shqiptar III, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009.
  5. Biblioteka Kombëtare, Tiranë, fondi i punimeve të Franc Nopçës.

LEXO PJESEN E PARE:

Topografia dhe organizimi i fisit në Shqipërinë e veriut


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252