Sport

Tottenham dhe VAR një makth për City-n, s’ka fitues në “Etihad”






               Publikuar në : 20:45 - 17/08/19 |
mapo.al

Manchester City-Tottenham, ndeshja kryesore e javës së dytë të Premier League, është mbyllur në barazim 2-2. Fundi i këtij takimi ka qenë i ngjashëm me gjysmëfinalen e kthimit të zhvilluar mes këtyre dy ekipeve në edicionin e kaluar të Champions League, kur “Qytetarët” e panë veten të eliminuar pasi VAR anuloi golin e shënuar nga Sterling në fundin e ndeshjes.


Këtë herë ka qenë radha e  Gabriel Jesus të bjerë viktimë e VAR-it. Braziliani, në fakt, ka realizuar në minutën e 92-të atë që mendohej se ishte goli i fitores për kampionët në fuqi të Premier League, por që është anuluar pas ndërhyrjes së VAR për një prekje të topit me dorë dhe sfida është mbyllur pa fitues.

Sterling ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 20-të, por miqtë janë kundërpërgjigjur 3 minuta më vonë me Lamela-n.

Dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë, City është kthyer në avantazh me Aguero-n. Momenti që ka vendosur takimin ka ardhur në minutën e 56-të, kur Lucas Moura ka fiksuar shifrat në 2-2 19 sekonda pas futjes në fushë.

Ndërkohë, ka patur tension në minutën e 66-të, kur Pep Guardiola dhe Sergio Aguero kanë zhvilluar një debat të ndezur pas zëvendësimit të argjentinasit.

Kjo ndalesë bën që City të zbresë në vendin e tretë në renditje, dy pikë larg Liverpool-it dhe Arsenal-it, ndërsa Tottenham ndodhet në vendin e pestë me të njëjtin numër pikësh me “Qytetarët”, por me një diferencë më të keqe golash./TS/

 


Etiketa: , , ,

Pas