Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka mbyllur hetimet e dosjes “Toyota Yaris” dhe u ka komunikuar akuzën katër personave të arrestuar qershorin e vitit të kaluar. Në makinat “Toyota Yaris” që vinin nga Belgjika u gjetën 3.4 milionë euro të padeklaruara.
Dosja pritet që brenda disa ditësh të shkojë në gjykatë dhe të pandehur janë:Alban Mollaymeri, Edi Lika dhe Klevi Cani. Ndërsa për Agim Çekaj, shoferi i cili transportoi trajlerin nga Belgjika në Durrës u pushuan hetimet, pasi nuk u faktua se ishte pjesë grupit. Ai do të gjykohet vetëm për armëmbajtje pa leje.
Ndërsa mbi Alban Mollaymerin, Edi Likën dhe Klevi Canin rëndon akuza e pastrimit të parave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Hetuesit kanë dërguar në gjyq vetëm personat që janë marrë me transportin e makinave dhe parave, ndërsa ata që bënë porosinë janë ende në kërkim. Kushërinjtë Alfred dhe Klevis Vladi nuk janë arrestuar ende dhe rezultojnë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
I pari që denoncoi “Toyota Yaris” ishte kryetari i PD, Lulzim Basha,i cili nga foltorja e palamentit tha se paratë që do mbërrijnë në Durrës janë të Taulant Ballës. Për këtë deklaratë ai u mor në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Sakaq, për këtë çështje prokuroria belge ka nisur një hetim të sajin dhe autoriteteve shqiptare u ka kërkuar të verifikojë pasurinë e 12 personave të dyshuar, ndër ta dhe kushërinjtë Vladi.
Etiketa: 3.4 mln euro, Alban Mollaymeri, dosje, Edi Lika, Klevi Cani, mbyllen hetimet, Toyota Yaris