Aktualitet

TRADITA – Sabedin Kurti, ruajtës i trashëgimisë së zejeve popullore








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:55 - 21/10/20 |
Mevlud Buci

Mendja dhe puna, dy shina jete që rrezatojnë jetën dhe vlerat njerëzore. Mendja është xhevahir, puna mineral, që s’e tret dheu; të dyja përbëjnë pozitën a pasurinë më të çmuar, më të ndritur për veten, shoqërinë, për kohën dhe brezat që vijnë. S’ke se si nuk mediton, apo nuk gjurmon, kur kujton dikë që e ke njohur, që i njeh mendjen, punën a shpirtin qelibar, që i njeh urtësinë e pasionin, njohuritë e virtytet. Kështu të ndodh me Sabedin Kurtin e Matit, me birin e thjeshtë e të talentuar për zanatet qëmësoi e demonstroi si rrallëkush. E çuditshme, njerëzore, e kuptueshme dhe fare e thjeshtë: s’paska si provat e mendjemprehtësisë, të mirësisë e të pasionit, s’paska si uniteti vëllazëror, shpirti i punës e i kërkimit, s’paska si kultura e lënë e si pasioni; të gjitha këto e plot të tjera rrezatojnë si drita në udhët e jetës e të zanateve të Sabedin Kurtit.


Kur mësova, me vonesë, për ndarjen nga jeta të Sabedinit, m’u duk sikur mali i Dejës më ra mbi kokë, sepse e kisha njohur, kisha biseduar dhe në mendjen e zemrën time qe gdhendur matjani i thjeshtësisë, i mjeshtërive të rralla të punëve, “gjeologu” popullor që s’pushonte së kërkuari në krah të vëllait, të paharruarit e shkencëtarit të mirëfilltë, Dilaver Kurtit.


Jeta është e shkurtër, por ngjan me pasqyrën me dy anë, ajo regjistron gjurmët, dritën, vlerat nëpër vite e kohëra. Jeta dhe puna e Sabedin Kurtit, birit të thjeshtë e të talentuar, i ngjan njëgalerie të thellë, një mali me kurorë e luleshumë, i ngjan burimeve që nuk shterojnë. Përpara provave të punës, mendjes së ndritur, shëmbëllimit në gjurmime e shpirtbardhësisë sëSabedin Kurtit, cilitdo, sado i madh në pozitë a në para, vetja do t’i dukej shumë i vogël.



Kur nisa këtë shkrim, me pengun e vonesës në shpirt, m’u kujtua një thënie epope dhe kuptimplotë e 90-vjeçarit Dali Totraku i Lùkanit (Ndjesë pastë!): “Or, bir, ma mirë pak shkollë e mendjehollë, se sa shumë shkollë e mendjeshollë!”. Sabedin Kurti ishte mendjehollë, pasionant, durues, guximtar, mjeshtër i zanateve me shumë vlerë, kërkues ndaj vetes, i papërtuar, njeri i unitetit vëllazëror e prind shembullor. Koha dhe jeta janë“SPAK-u më real, më i drejtë, që çmojnë drejtësinë për cilindo; u jep herët a vonë atë që meriton. Sabedin Kurtin e nderon puna, shpirtdrita, përkushtimi e pasioni, intuita prej vërtet “filozofi” nëmjeshtëritë e ushtruara.


Sabedin Kurti, pinjoll i fisit Kola të Burrelit, u lind në Elbasan më 29 shkurt 1936, kohë kur babai i tij shërbente në ushtrinë mbretërore. Sabedini fëmijërinë e kaloi në qytetin e Burrelit, që po shtohej me institucione e numër banorësh, ku mori edhe mësimet bazë. Gjatë viteve ’50-60 të shek. XX, ai iu kushtua punëve në ndihmë të familjes dhe pati fatin të zbulojë talentin e tij si një marangoz i talentuar falë mundësisë që iu dha të punonte pranë mjeshtrave të kohës në “Kooperativën e Artizanatit”, ndërmarrje e hapur në Burrel në vitet ‘50 të shek.XX. Mes tyre ai përmendte Salë Cekën e Liman Kokën, por me konsideratë më të lartë fliste për Kros Metën me të vëllanë, Asllanin. Prej Krosit ai përmendte gjithmonë këshillën e urtë që i kishte dhënë: “Merre këtë zanat, që s’të kërkon bukë, se ujku nuk ta ha, zjarri nuk ta djeg, uji nuk ta merr e hajduti nuk ta vjedh. Kështu, Sefa është rrekur të hyjë në rrugën e Kros Metës dhe është përpjekur t’i hedhë hapat sipas modelit të tij në jetë.” (R. Lasku, revista “Emathia” nr. 1(9) 2009 f. 50-53). Sabedini, krahas punëve të tij si mjeshtër i rrallë në punimin e drurit, nuk iu nda vëllait, studiuesit fisnik, Dilaverit, i cili në mesin e shekullit të kaluar kishte filluar të merrej me gjurmime dhe studime të trashëgimisë historike-kulturore të trevës së Matit. Puna pasionante e dy vëllezërve Kurti është dëshmia e gjallë se si të lartëson pasioni, kërkimi, dashuria për gjurmime e mbi të gjitha nderimi për vlerat etnografike, arkeologjike, kulturore e më gjerë. Së bashku ata udhëtuan në dhjetëra vende: rrënoja kështjellash, ura dhe kalldrëme rrugësh antike-mesjetare, ndërtime popullore apo monumente të natyrës, por ajo që e tërhoqi më tepër Sabedinin ishin zejet popullore të ushtruara në krahinën e Matit, të cilat i gjurmonte në terren dhe për ato që nuk ekzistonin më mblodhi të dhëna nga bartës të ndryshëm, duke u konsultuar edhe më vëllain e tij, Dilaverin. Meritë e tij janë ndërtimi i maketeve në funksion të mjediseve muzeale të valanicës (dërstilës) për prodhimin e shajakut me rrahje me çekiçë dhe ujë, çarqet për ngritjen e ujit për vaditje, mullinj të ndryshëm që punonin nëpërmjet presionit të ujit apo rrotulloheshin me kalë etj.


Një nga meritat e mëdha të tij është rindërtimi i dingës (punishtes) së barutit në përmasa maketi. Bashkë me vëllain e tij, Dilaverin, gjurmuan në zonën e Klosit, ku ishte ushtruar kjo zeje dhe secili në fushën e tij: Dilaveri bëri shkrimin studimor dhe Sabedini ndërtoi maketin e dingës, duke u konsultuar me bashkëkohës të periudhës së punimit të barutit, që fatmirësisht jetuan deri në fundin e viteve ‘60 të shek. XX. Kjo punë e tyre shoi dyshimet e skeptikëve të qarqeve shkencore e akademike të kohës, që këmbëngulnin se nuk ishte e mundur që baruti të prodhohej në mënyrë artizanale me instrumenta prej druri e guri që vihen në lëvizje nga uji i përrenjve. Kur kryeministri i kohës, njëkohësisht ministër Mbrojtjeje (në vitet ‘70 të shek. XX) ra në kontakt me maketin e Sabedinit dhe shkrimin e Dilaverit për punishten e barutit dha udhëzimin: “Të shihet mundësia nëse këta mekanizma mund të funksionojnë për prodhim baruti në rast të ndonjë lufte!”. Gjatë viteve ‘60-90 të shek. XX, Sabedini ndërtoi me dhjetëra makete të tilla për mjedise muzeale, nga madhësitë reale deri në miniaturë. Këto i ka realizuar për nevoja të Muzeut Historik Mat, Muzeut Etnografik Klos, Muzeut Historik Kombëtar, ekspozita të kulturës popullore të hapura në kohëra të ndryshme në Mat, Tiranë, Shkodër etj., si dhe dhurata për personalitete të ndryshëm. Një nga këto dinga (punishte) me përmasa reale, ndërtuar prej tij, shërbeu për disa skena të filmit“Flaka e maleve”, ku Sabedini u mbajt si konsulent për t’i shpjeguar aktorit të shquar Ndrekë Luca se si funksiononte ky mekanizëm dhe si ai duhej të sillej me të. Për këtë ai thoshte se Ndreka shpeshherë e quante “profesor”.

Edhe pas daljes në pension Sabedin Kurti ka vazhduar tëprodhojë për dëshirën e tij makete të zejeve popullore: maketin e punishtes së barutit, të çarkut të ujit dhe mullirit që sillej me kalë, duke e kthyer shtëpinë në një muze, ku vizitohej, jo vetëm nga nxënësit e shkollave, por edhe vizitorë të profileve tëndryshme, deri te diplomatë të huaj që vizitonin Matin dhe kërkonin të njiheshin me trashëgiminë etnokulturore të tij.

Duke ecur pa u lodhur nëpër luginën e Matit dhe malet historikë që e rrethojnë, krahas vëzhgimeve në kalatë ilire-mesjetare dhe zejet popullore të kësaj treve, Sefa (siç thirrej nga të njohurit e tij M.B.) ushtroi edhe një pasion tjetër qysh nga rinia e tij, atë të bletërritësit. Këtë profesion e ushtroi deri në ditët e fundit të jetës, duke u bërë një bletërritës jo vetëm për veten e tij, por ndihmoi me dhjetëra të tjerë që dëshironin të merreshin me këtë profesion, duke iu mësuar atyre rrugën e drejtë dhe të përkushtuar larg mashtrimeve, që fatkeqësisht kanë funksionuar dhe funksionojnë në shfrytëzimin e punës dobiprurëse të bletës për jetën njerëzore.

Shembulli e përvoja e Sabedin Kurtit të Matit: “…pak shkollë e mendjehollë” – “…zbato ato që di, por mëso gjithnjë!”, tregon se puna, zelli, shpirti pasionant, krijues e zbatues të japin emër e bëjnë që të rrezatojë dituria. Koha dhe jeta, brezat dhe faktet e dritësimit do ta lartësojnë edhe më shumë përkushtimin eSabedin Kurtit, këtij mjeshtëri të zejeve popullore, burri fisnik i vëllazërimit, i mençurisë dhe i punës.

Sabedin Kurti-Kola u nda nga jeta më 31 gusht 2019, duke lënë një trashëgimi të pasur dobiprurëse në ruajtje të traditave më të mira njerëzore, qoftë në mjetet në dobi të jetës, qoftë në virtytet e një njeriu që është për t’u marrë si model. Ai mbetet ikonë mendjendritur, mjeshtër i rrallë i punës në ruajtje të trashëgimisë së zejeve popullore.


Etiketa:

Pas