Aktualitet

Trafiku i drogës dhe pastrimi i parave nuk bindin Francën dhe Holandën














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:13 - 03/06/21 |
mapo.al

Gjatë javëve të ardhshme, liderët e BE-së do të mblidhen për të diskutuar rreth aspiratave të vendeve të Ballkanit për integrimin në BE. Por rezultatet e studimeve të fundit rreth pastrimit të parave dhe trafikut të drogës nuk kanë gjasa të bindin Francën dhe Holandën për të dhënë dritën jeshile, raporton Zëri i Amerikës. Në raportin e Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar vlerësohet se në rajon pastrohen deri në 5.6 miliardë euro në vit para droge, ku vendi ynë zë një peshë jo të vogël. Vetëm disa ditë para zgjedhjeve, në portin e Durrësit, u sekuestrua një sasi kokaine që e tejkalon sasinë e drogës së sekuestruar përgjatë 2 viteve






Liderët e Bashkimit Europian do të takohen gjatë javëve të ardhshme për të diskutuar edhe një herë mbi aspiratat e ngecura të vendeve të Ballkanit për t’u anëtarësuar në bllok, raporton Zëri i Amerikës. Por rezultatet e disa studimeve të fundit, që trajtojnë shkallën e pastrimit të parave në rajon, nuk kanë gjasa ta bindin Francën dhe Holandën, që së bashku me disa vende të tjera anëtare duan të vonojnë zgjerimin e BE-së, thonë zyrtarët. Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë vende kandidate të BE-së. Ato kanë shprehur zhgënjim lidhur me bllokimin e aplikimeve të tyre për anëtarësim. Por kundërshtarët e zgjerimit të BE-së po përdorin një studim që sugjeron se tregu i pasurive të patundshme në Ballkanin Perëndimor po përdoret për të pastruar paratë nga trafiku i drogës dhe trafikut të migrantëve, duke rritur çmimet e pronave në rajon.


Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare me seli në Gjenevë, thotë se para të pista po pompohen në tregjet e pasurive të patundshme dhe industrinë e ndërtimit në Ballkanin Perëndimor. “Paratë e pista që po fitohen dhe pastrohen në rajon po përforcojnë një ekosistem të krimit dhe korrupsionit”, -tha Kristina Amerhauser, një nga autorët e raportit të botuar muajin e kaluar nga organizata. Në raportin e tyre “Çmimet aktuale: Analizë e fluksit të njerëzve, drogës dhe parave në Ballkanin Perëndimor”, autorët thonë se është e pamundur “të thuash një shifër konkrete se sa para të pista të përfituara në Ballkanin Perëndimor dhe jashtë tij janë pastruar në të vërtetë në rajon”, por ata vlerësojnë se shifrat sillen mes 2.2 miliardë dhe 5.6 miliardë dollarë. Ndërsa shuma e parave mund të duket e vogël krahasuar me disa rajone shumë më të pasura, hulumtuesit theksojnë se “këto shuma janë të jashtëzakonshme, kryesisht kur vihen në perspektivë”. “Për shembull, në vitin 2021, buxhetet e ministrive të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë kapin shumën prej 168 milionë euro secila (200 milionë dollarë); buxheti i policisë së Kosovës është vetëm 87 milionë euro (106 milionë dollarë)”.







Trafiku i drogës
Në raportin e publikuar nga Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar më 13 maj 2021 thuhet se Porti i Durrësit, kryesisht është shndërruar në një qendër të kontrabandës së drogës. Vetëm në muajin prill disa ditë para zgjedhjeve u sekuestruan rreth 200 kilogramë kokainë në dy kontejnerë. Kontejneri me 143 kilogramë i sekuestruar më datë 10 prill e kishte origjinën nga Ekuadori dhe kish udhëtuar drejt Shqipërisë duke kaluar nga Porti i Gioaia Tauro në Kalabri, një port i cili kontrollohet nga Ndragheta, një organizatë kriminale që ka një qarkullim prej 53 miliardë eurosh në vit. Këto dy konfiskime, sipas raportit e tejkalojnë të gjithë sasinë e kapur në Shqipëri në vitin 2019 dhe 2020 së bashku. Natyrisht kjo shifër është larg asaj të vitit 2018 ku në portin e Durrësit u sekuestruan rreth 630 kilogramë kokainë që vinte nga Kolumbia e fshehur në kontejnerët me banane. Raporti cilëson se Porti i Durrësit, së bashku me ato të Kroacisë dhe Kolumbisë janë shndërruar në “Cocaine pipeline”, ose tubacione të furnizimit me drogë për vendet e BE-së, pasi siç theksohet vetë Ballkani ka një konsum të ulët të produktit. Raporti cilëson se nëpërmjet porteve të Adriatikut po vjen një cunam i drogës.

Lexo edhe :  Ja shteti i madh europian ku më shumë se gjysma e popullsisë nuk beson në fe



Krerët e krimit
Por, në raste të tjera, kokaina lëviz dhe nëpërmjet porteve të Greqisë. Në janar të vitit 2020, policia helene kapi një sasi prej 1.2 ton kokaine në Portin Astakos në Greqinë Perëndimore. Policia arrestoi tetë anëtarë të grupit, mes tyre shqiptarë, moldavë dhe holandezë. Në krye të operacionit të trafikut qëndronte shqiptari me nofkën “doktori” dhe që jeton në Spanjë. Bëhet fjalë për Ilir Meton ose i njohur ndryshe me emrin Ilir Isufi, që u arrestua në Belgjikë në 30 prill të këtij viti, për llogari të drejtësisë italiane. 56-vjeçari Meto apo Isufi, do duhej të vuajë 2 dënime në një total prej 26 vitesh në burgjet italiane. Ai konsiderohet si një ndër importuesit më të mëdhenj të kokainës në Europë.



Pasuritë e patundshme
Shuma të mëdha parash të pista po hidhen në tregjet e pronave në të gjithë rajonin “ndërsa çmimet rriten artificialisht nga kriminelët që duan të pastrojnë paratë e tyre atje”. Ndërsa çmimet e pasurive të patundshme ranë në të gjithë rajonin gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë, shumë vende shënuan rritje të konsiderueshme që nga viti 2017. Vitin e kaluar ekonomia shqiptare u tkurr mesatarisht me 10.2%, por tregu i pasurive të patundshme vazhdoi të zgjerohej me 5.5%. Kriza e ekonomike e shkaktuar nga pandemia pati pak ndikim në tregun e shtëpive apo apartamenteve të banimit në kryeqytetin shqiptar. Në Tiranë që nga viti 2017 deri në vitin 2020 çmimet u dyfishuan. Rritja u nxit “kryesisht nga investimet me para kesh në ndërtim dhe pasuri të patundshme nga ana e krimit të organizuar dhe nga të korruptuarit”. Gjithashtu në Serbi, industria e pasurive të patundshme ka shënuar një rritje jashtëzakonisht të lartë dhe të pashpjegueshme midis viteve 2018 dhe 2020. Industria e ndërtimit vazhdoi të zgjerohet pavarësisht nga pandemia e vitit të kaluar dhe tkurrjes së ekonomisë në përgjithësi, raporton Zëri i Amerikës.

Reagimi
Maqedonia e Veriut hapi disa hetime për pastrim parash, ku përfshihen pasuritë e patundshme dhe projekte të mëdha në infrastrukturë, përfshirë edhe një hetim ndaj ish-kryeministrit Nikola Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij në biznes. Kjo e fundit ka patur mbulim të gjerë në raportet e Zërit të Amerikës. Projektet e mëdha të infrastrukturës publike kanë tërhequr vëmendjen e aktivistëve kundër korrupsionit. “Respektimi i standardeve europiane ka provuar të jetë një sfidë e veçantë për vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë viteve të fundit kur bëhet fjalë për projekte të mëdha në fusha të tilla si infrastruktura dhe energjia,” thotë Marko Pankovski i Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, në Shkup. Përmes një shkrimi në portalin “European Western Balkans” zoti Pankovski shton se, “Pavarësisht përpjekjeve të shoqërisë civile, partitë në pushtet duket se janë të vendosura që të mos bëjnë tërësisht transparente kontratat e këtyre projekteve dhe t’i nënshtrohen kontrollit të institucioneve të pavarura.

Nuk është e vështirë të kuptohet se cila është arsyeja kryesore për mosrespektimin e standardeve, partitë në pushtet sigurohen që paratë të përfundojnë në xhepat e bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që shpesh shkakton fryrjen e çmimeve”. Franca ka qenë një nga kundërshtarët kryesorë të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Zyrtarët francezë argumentojnë se BE-ja ka patur disa përvoja të këqija zgjerimi me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe probleme të vazhdueshme me korrupsionin dhe sundimin e ligjit në vende të tilla si Rumania dhe Bullgaria. Ata thonë se kjo ka ndodhur pasi është lejuar anëtarësimi në BE i atyre vendeve që disa zyrtarë i quajnë “të papërgatitura”. Ata druhen se vendet e Ballkanit Perëndimor janë kthyer në shtete të kapura nga politikanë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.

1


Etiketa: , ,

Pas