Prokuroria e Durrësit urdhëroi sekuestron preventive për tetë apartamente, një bar, një pikë karburanti dhe bllokim të llogarive bankare të Artur, Edmond, Luan dhe Guido Tepshi, të akuzuar nga prokuroria italiane si drejtues të një rrjeti të trafikut të kokainës. Për ta dhe dy bashkëpunëtorët, Kastriot Dyrmishi dhe Laert Teneqexhi, u vendos masa e sigurisë arrest me burg pa afat
Katër ditë më parë ishin të pasur, të lirë dhe me shumë reputacion në qytetin e Durrësit, ndërsa dje qëndronin në qeli, në ankth për t’u ekstraduar drejt Italisë dhe pa pasuri të patundshme dhe llogaritë bankare.
Tashmë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar sekuestron preventive të pasurisë së gjashtë personave të arrestuar për trafik ndërkombëtar të drogës. Bëhet fjalë për katër anëtarët e familjes Tepshi, Edmondi, Arturi, Luani dhe Guido Tepshi dhe dy të tjerë, Kastriot Dyrmishi dhe Laert Teneqexhi, të cilëve dje me urdhër të prokurorisë u është sekuestruar pasuria.
Sipas burimeve zyrtare nga institucioni i akuzës, prokuroria ka vendosur nën sekuestro paraprake 8 apartamente, një vilë, një lokal dhe një pikë karburanti, dhe llogari bankare të regjistruara në emër të disa anëtarëve të familjes Tepshi, të cilët dyshohen nga autoritetet italiane si pjesëtarë të një organizate kriminale, të dyshuar se janë përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike në Itali.
Po gjatë ditës së djeshme Gjykata e Durrësit vendosi për të gjashtë të arrestuarit masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për ta, deri në një tjetër vendim që pritet të merret për ekstradimin ose jo të tyre jashtë vendit. Për ta ishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar nga pala italiane më datë 7 të këtij muaji, e cila pretendon se janë të përfshirë në një rrjet të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, në Itali, Holandë dhe Gjermani.
“Gjatë ditës së djeshme, prokuroria ka vendosur sekuestro preventive në pasuritë e regjistruara në këta persona në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), si edhe në llogaritë bankare të tyre në bankat e nivelit të dytë”.
Kështu thuhet në njoftimin e prokurorisë në lidhje me këtë rast. Arrestimi i gjashtë durrsakëve ka bërë bujë në këtë qytet, pasi njiheshin si persona me influencë dhe biznesmenë të njohur, ku aktivitetin e kishin shtrirë kryesisht në fushën e ndërtimit të apartamenteve dhe në administrimin e lokaleve dhe pikave të karburantit. Në dosjen voluminoze të mbërritur nga pala italiane, Prokuroria e Firences argumenton se të pandehurit ishin pjesë e një rrjeti të trafikut të kokainës. Mes të arrestuarve është edhe Guido Tepshi, ish-futbollist i kombëtares shqiptare të Futbollit U19, ndërsa ka qenë edhe pjesë e disa skuadrave të superligës shqiptare.
Në një nga përgjimet e kryera nga pala italiane, 24-vjeçari shprehej në telefon se së shpejti do të ishte pjesë e sistemit të drejtësisë, duke synuar të bëhej oficer i Policisë Gjyqësore, ndërkohë ka punuar edhe si jurist në Portin e Durrësit. Sipas palës italiane, hetimi për këtë grup nisi pas një vrasjeje të ndodhur tre vjet më parë në Firence, ku u vra 31-vjeçari Klaudio Ruçaj.
“Përgjimet dhe disa materiale të tjera të siguruara vërtetojnë se Guido dhe i ati i tij, biznesmeni Edmond Tepshi, drejtonin një grup italo-shqiptar të trafikut të drogës. Operacioni “Ricarica 2013” për shkatërrimin e organizatave kriminale dhe trafikun e drogës është zhvilluar paralelisht në disa shtete”, – thuhet nga prokuroria italiane.
Në vendin tonë asnjë nga personat e arrestuar nuk ka qenë i proceduar më parë, gjithsesi, duke marrë shkas nga kërkesa e prokurorisë italiane u vendos sekuestrimi i disa pasurive të familjes Tepshi. Atyre do iu duhet që të vërtetojnë që kjo pasuri është vënë në mënyrë të ndershme si pjesë e biznesit, ndryshe rrezikojnë që ta humbasin pasurinë e vënë.
Ndonëse shumë persona të akuzuar për trafiqe të ndryshme apo korrupsion kanë marrë dënime, përsëri sekuestrimi i pasurive ka qenë në nivele mjaft të ulëta. Shpesh institucioni i akuzës dhe policia mjaftohen me ndalimin dhe gjykimin për veprën penale, por nuk shkojnë në hetime të thelluara, për t’u bllokuar pasuritë që nuk u justifikojnë burimin e të ardhurave.