U raportua dhe u dyshua fillimisht për vrasje, por 35-vjeçari shqiptar i cili u gjet i vdekur pasi ishte prerë me sharrë elektrike në fyt, në një fushë në zonën e Katsiveliana në Celino të Chania, Greqi, ka humbur jetën aksidentalisht.
Ngjarja ka ndodhur para syve të një çifti, gruas dhe një shoku të tij, që sipas mediave helene, pas ngjarjes kanë pësuar një tronditje të rëndë.
Sipas vlerësimeve të para të mjekut që ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, si dhe dëshmive të bashkëshortes dhe shokut të tij që ndodheshin me ta në terren, 35-vjeçari fatkeq nga Shqipëria ka tentuar të presë dru me sharrë elektrike dhe zinxhir, por për shkak të trajtimit të dobët sharra i rrëshqiti nga duart, dhe më tej, e thënë fjalë për fjalë, i preu kokën!
Ngjarja e tmerrshme ka ndodhur pak pas orës 11 të mëngjesit dhe dëshmitarët e tronditur kanë njoftuar menjëherë policinë. Ekipet e emergjencës nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, pasi vdekja e të shqiptarit ishte e menjëhershme. Megjithatë, do të kryhet autopsia, për të përcaktuar nëse aksidenti ka ndodhur në të vërtetë ashtu siç përshkruhet nga dy dëshmitarët.