Aktualitet

Trajneri i ekipit të futbollit të Tiranës, Emanuel Egbo, flet për sjelljet raciste ndaj tij





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:32 - 31/07/20 |
mapo.al

Klubi i Futbollit “Tirana” u shpall kampion i Shqipërisë, të mërkurën në mbrëmje, në 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës si kryeqytet.


Tek kjo fitore ekipin e njohur e drejtoi trajneri nigerian Emanuel Egbo, i cili prej afro 20 vjetësh jeton dhe punon në Shqipëri.


Por jeta dhe puna e tij në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë nga fillimi, kur i ndodhnin fyerje dhe sjellje raciste.


Një ditë pas fitores së kampionatit të futbollit në krye të ekipit Tirana, trajneri Emmanuel Egbo thotë me një shqipe të pastër se Tirana dhe lagja ku banon është familja e dytë.


47 vjeçari nga Nigeria, dikur lojtar i Ekipit Kombëtar në atdheun e tij, prej afro 20 vjetësh jeton dhe punon me futbollin në Shqipëri.

Dy ditë para ceremonive festive për Tiranën kampione trajneri Egbo tha në media ndërkombëtare dhe vendase se në Shqipëri kishte pësuar fyerje dhe sjellje raciste, si goditje me banane dhe shprehje fyese për shkak të origjinës.

“Ato ngjarje kanë ndodhur. Jo tani. Kanë ndodhur shume kohë më parë. A kanë ndodhur? Kanë ndodhur. Kjo nuk diskutohet. Por kjo nuk e bën sikur shqiptarët janë njerëz të këqinj. Jo, absolutisht. Ajo është nxjerrë nga konteksti. Për mua, ajo është një çështje e mbyllur tani” – zoti Egbo.

Deklaratat e trajnerit Egbo mbushën shtypin vendas dhe shqetësuan edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila ka qenë shumë e përqëndruar në përballimin e pandemisë ndaj sportistëve dhe rifillimin e kampionatit.

Zëdhënësi i Federatës, Fatjon Kodra, thotë se organizata kërkoi menjëherë infomacion pranë institucioneve nëse ka patur incidente me natyrë raciste të raportuara apo të vërtetuara në fushën e lojës.

“Federata Shqiptare e Futbollit informon se në asnjë rast nuk ka patur një incident apo një ngjarje të tillë të raportuar, qoftë edhe nga vet trajneri, i cili ka detyrimin të raportojë në organet vendimmarrëse kompetente si dhe nga zyrtarët e ndeshjes. Ne nuk na rezulton se diçka ka ndodhur” – tha zoti Kodra.

Nga ana tjetër, zoti Egbo tha se fakti që ai nuk ka bërë ankesa zyrtare për incidentet tregon tolerancën e tij dhe jo se sjelljet raciste nuk kanë ndodhur.

“Të gjithë ata që më njohin e dinë se nuk i kam qejf polemikat publike dhe shikoj punën time, – thotë ai duke shtuar se ka marrë me dëshirë nënshtetësinë shqiptare dhe e do Shqipërinë më shumë se disa që krenohen me shprehje të përgjithshme. Nëse një vend do të ecë përpara, duhet të shohë ku ka qenë, ku është tani, dhe ku është duke shkuar. Nëse nuk e pranon se çfarë ka ndodhur përpara, ai vend nuk mund të ecë përpara. Edhe 1 për qind shqiptarë të këqinj a ka mundësi t’i pastrojmë edhe t’i bëjmë njerëz të mirë? Vetëm për këtë arsye e kam shprehur atë ngjarje që ka ndodhur. Por nuk është një gjë aq e madhe, sikur ka vdekur njeri. Unë këto ngjarje i marr me sportivitet” – tha zoti Egbo.

Federata Shqiptare e Futbollit e mbështet trajnerin e Tiranës dhe i uron atij suksese, thotë zëdhënësi Kodra, Federata është e vendosur ta luftojë racizmin dhe po zbaton rregulloret përkatëse.

“Shprehim keqardhjen që një personalitet si Egbo, i cili jeton prej 20 vitesh jeton në Shqipëri, ka qenë portier, ka qenë trajner, pra, ka marrë gjithë meritat e duhura, dhe për herë të parë pas 20 vitesh është paksa paradoksale të flitet nga ai për racizëm” – tha zoti Kodra.

Sipas Federatës, rregulloret përcaktojnë se trajneri, lojtarët dhe vëzhguesit e ndeshjes duhet të raportojnë me shkrim sapo shohin incidente me natyrë raciste, por asnjë nga këta pjesëmarrës dhe dëshmitarë të ndeshjeve sportive nuk ka raportuar në asnjë rast.

Në Shqipëri kanë luajtur dhe luajnë prej shumë vitesh shumë lojtarë të kombësive të tjera si serbë, xhamajkanë, nigerianë etj., por asnjëri nuk ka patur incidente raciste në Shqipëri, thotë Federata.

Trajneri Egbo thotë se ndjehet i mikpritur në Shqipëri, ku arriti rezultate të mëdha me punë të madhe, megjithë incidentet, që thotë se ndodhin kudo në botë, sepse kudo gjendet një grup i vogël njerëzish, që fyejnë të tjerët. /VOA/


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas