Dikur

Trajtimi i shqiptarëve në Kroaci gjatë Luftës së Dytë Botërore







               Publikuar në : 11:12 - 13/08/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


  1. Hyrje

Zhvillimet politiko – ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore sollën realitete të reja ndërmjet shqiptarëve dhe sllavëve në Ballkan. Pasi Jugosllavia kapitulloi në luftën e prillit 1941, u bë edhe copëtimi i saj. Në kushtet e reja të krijuara, Italia fashiste, bazuar në një plan të studiuar bashkë me aleatët e saj, Gjermaninë dhe Bullgarinë, zgjeroi territorin e Mbretërisë Shqiptare duke futur nën juridiksionin e Tiranës zyrtare një pjesë të trojeve shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Veprimi shtetëror i Qeverisë së Tiranës në këto vise shqiptare që u quajtën Tokat e Liruara u ruajt edhe gjatë periudhës së pushtimit gjerman.

Në rrethanat e reja që u krijuan, edhe shqiptarët që jetonin në viset e tjera të ish-Mbretërisë Jugosllave kërkonin mbështetje dhe mbrojtje nga autoritetet shtetërore të Tiranës. Nëse kjo do u mungonte ose mund t’u vonohej, ata ndiheshin më mirë nën autoritetin e pushtuesit gjerman, sesa të autoriteteve shtetërore vendase.

Ky realitet u përjetua dhe nga shqiptarët që jetonin prej kohësh në Kroaci. Kjo çështje do të jetë objekt i këtij punimi që do të publikohet për lexuesin e gazetës “Mapo”, në të cilin pasqyrohen disa aspekte të gjendjes së shqiptarëve në Kroaci gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos në periudhën e pushtimit gjerman.

Për përgatitjen e punimit jemi bazuar kryesisht në dokumente që administrohen në fondin arkivor të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

  1. Marrja dijeni për gjendjen e shqiptarëve në Kroaci 

Më 26 janar 1944, Kryesia e Këshillit të Ministrave i përcolli Ministrisë së Punëve të Jashtme dublikatën e përkujtesës të një pjesëtari të kolonisë shqiptare në Dubrovnik drejtuar Kryesisë së Këshillit të Ministrave, në Tiranë, me lutjen “që të shqyrtohet çështja e mbrojtjes së interesave të bashkëatdhetarëve tonë në atë qytet, përgjithësisht në tânë Kroacinë, dhe mundësisht të merren me rrugën e zakonshme masat e zgjidhjes së këtij problemi me shumë rëndësi”. Përkujtesa i adresohet Shkëlqesës Vehbi Frashëri, i cili për periudhën 14 shtator – 4 nëntor 1943 ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm i ngarkuar me Punët e Jashtme, kurse në periudhën 5 nëntor 1943 – 16 qershor 1944, ishte nënministër i Punëve të Jashtme në kabinetin qeveritar të drejtuar nga Rexhep Mitrovica.

Nisur nga të dhënat me interes që trajtohen në këtë përkujtesë po e japim të plotë për lexuesin, duke ruajtur gjuhën e dokumentit arkivor.

  1. Përkujtesë e Kolë Pal Dedës drejtuar Shkëlqesës Vehbi Frashëri 

Përkujtesë

Për Shkëlqesën Vehbi Frashëri

Nënministër i Punëve të Jashtme

Tiranë

Në qytetin e Dubrovnikut ndodhet e ngulun qysh prej shumë vjetësh një koloni shqyptare e përbame prej 15 – 20 familjesh, të cilat, thuajse të gjitha, merren me tregëti.

K’ta shqyptarë, sikurse âsht tradita e shqyptarit me e nderue vendin e vet edhe mâ fort kur ndodhet jashtë Atdheut, kanë qenë e janë ndera e Shqypnisë. Ata kurrë nuk i kanë nxjerrë telashe autoriteteve të vendit kudo që janë ndodhun, përkundrazai ata kanë qenë gjithmonë të bindur ndaj ligjeve të shtetit që i ka ospitue.

Sikurse dihet, Dubrovniku âsht vend turistik i radhës së parë, ku vinë me pa turista prej çdo anet të botës.

Po të krijohet aty një përfaqësi shqiptare, qoftë edhe e nderit, do të përfitonte fort vendi i jonë, mbasi prej aty, me nxitjen e përfaqësuesit tonë, turista do të hidheshin me pa edhe vendet tona, që, me bukuritë e tyne natyrale, do të tërhjekshin vërejtjen e të tânë turistave të shumtë që kalojnë aty pari.

Deri në gushtin e vitit 1943, megjithëse i kishim larg përfaqësinat që kujdeseshin për mbrojtjen e interesave tona, prap se prapë nuk kena se për shka me u ankue. Ndonëse ishin të largta, megjithëatë autoriteti i tyne shtrihej deri te na; kështu që kishim se ku me i kja dertet tona. Por tash, me suprimimin e tyne, kena mbetë me të vërtetë në pikë të hallit.

Sikurse u veprue në të tanë Kroacinë, edhe neve shqyptarëve që banojmë në Dubrovnik na i tërhjeken pashaportat tue na detyrue madje me u paraqitë çdo ditë në polici. Kjo masë e autoriteteve kroate kundrejt elementit shqiptar pushoi kah mbarimi i tetorit 1943, vetëm atëherë kur kaloi nëpër Dubrovnik zotni Asim Shpuza, ish-i ngarkuem për Çështjet Shqiptare në Sarajevë. Me interesimin e këtij, Drejtoria e Policisë me radiogram i kërkoi autorizim Zagrebit që të na ktheheshin prapë pasaportat, tue u sigurue zoti Shpuza se brenda dy ditëve do të vinte autorizimi i duhun. Qysh prej asaj dite e sot, na kena mbetë në mëshirë të policisë kroate. Nuk kena asnjë dokument me vete. Nuk mundena në kurrnjë mënyrë me e kalue pragun e Dubrovnikut. Pra, siç shihet, situata e jonë në Dubrovnik âsht tepër kritike.

Shtohet se edhe në Mostar janë marrë po të njëjtat masa, por me ndërhyrjen e zotit Shpuza, vllâzneve tonë atje, që janë bile në numër mâ shumë se ne, treqind e mâ frymë, iu kthyen pasaportat po atë ditë që u ba intervenimi. Tue qëndrue puna kështu, kjo na len të nënkuptohet se autoritetet kroate, kudo qofshin, veprojnë me krye të vet. Prandaj sjellja e policisë së Dubrovnikut na ka habitë për së tepërmi dhe njëkohësisht na ka dëshpërue fort.

Njoftohet se, për me pasë një farë mbështetje për mbrojtjen e interesave shqiptare në Dubrovnik, zotni Shpuza, me pëlqimin e autoriteteve kroate të vendit, emnoi të nënshkruemin si mbikëqyrës të interesave shqiptare në atë qytet.

Shtohet se në të njëjtat kushte, me përjashtimin e atyne që ndodhen në Sarajevë e në Mostar, ndodhen të tânë shqyptarët e tjerë të shpërndarë kudo nëpër Kroaci.

Sikurse dihet, Kroacia e ka zânë pothuej krejtësisht vendin e ish-Mbretnisë Jugosllave, përsa u takon interesave shqiptare.

Prandaj âsht e lutun Ministria e Punëve të Jashtme, n’emen të gjithë shqyptarëve në Kroaci, me e marrë sa mâ parë në shqyrtim çështjen e rikrijimit të përfaqësive shqiptare në Kroaci, e vrik me e zgjidhë, si ta shohin ajo me rrugë, edhe çështjen e qëndrimit tonë atje.

Njëkohësisht âsht e lutun nxehtësisht Ministria e Punëve të Jashtme me bâ përçapjet e  rastit ku duhet për kthimin e pasaportave tona.

Do të ishte ideale sikurse, deri në rikrijimin e përfaqësive tona, t’i ngarkohesh përfaqësive gjermane në Kroaci mbrojtja e interesave shqiptare.

Në Tiranë, më 14 të kallnorit (janarit) 1944

Kolë Pal Deda, tregtar

  1. Interesat e shqiptarëve në Kroaci mbroheshin nga konsullatat gjermane

Më 1 mars 1944, Ministria e Punëve të Jashtme informoi Kryesinë e Këshillit të Ministrave, Tiranë, dhe vuri në dijeni shqiptarin Kolë Pal Deda, se përkujtesa e tij ishte marrë parasysh dhe se për momentin, deri në rikrijimin e përfaqësive shqiptare, mbrojtja e interesave të shqiptarëve që jetonin në Kroaci u ishte besuar konsullatave gjermane, që funksiononin në atë shtet.

Në vijim të ndjekjes së këtij problemi, më 1 gusht 1944, Ministria e Punëve të Jashtme i dërgoi z. Kolë Pal Deda, në Dubrovnik, përkthimin e shkresës së Legatës Gjermane në Tiranë, që fliste rreth mbrojtjes së interesave të shtetasve shqiptarë në Kroaci. Ndër të tjera, në shkresën e Legatës Gjermane theksohet se “ … gjendja e shqiptarëve që jetojnë në Kroaci, mbi të cilët bân fjalë shkresa e juej P. IV. 652/II, datë 26 janar 1944, âsht bâ objekt hetimesh të imta të Legatës Gjermane në Zagreb, e cila ka konstatue se masat e marruna në Kroaci kundër shqiptarëve mbas kapitullimit të Italisë, si vendosje komisarësh ndër magazinat e çështjet e tyne si dhe tërhjekja e pasaportave, janë anullue. Tash për tash nuk dihet kurgjâ për ndonjë ndjekje shqiptarësh. Legata Gjermane do të mundohet, në rast nevoje, me intervenue në favor të interesit shqiptar”.

  1. Lidhja e Dytë e Prizrenit kujdeset për fatin e shqiptarëve në viset e Jugosllavisë

Për fatin e shqiptarëve në ish-Mbretërinë Jugosllave interesoheshin dhe autoritetet drejtuese të  Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Më 25 shkurt 1944, Kryesia e Këshillit të Ministrave informoi Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Tiranë, se Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë të Prizrenit i kishte njoftuar se shqiptarët që për arsye pune jetonin në vise të ndryshme të ish-Jugosllavisë (Serbi, Kroaci, Slloveni, Dalmaci, Bosnje) ishin duke vuajtur shumë nga sjelljet e këqija të policive përkatëse dhe se kjo rrjedhte nga mungesa e përfaqësive konsullore shqiptare në ato vende. Për t’i pre hovin persekutimeve në fjalë, Komiteti i Qendror i Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishte i mendimit se duhej të hapeshin sa më parë konsullata në vendet e sipërshënuara e sidomos në Beograd e Zagreb, që të munden kështu me i mbrojtë bashkështetasit në çdo rast që të paraqitet.

Kryesia e Këshillit të Ministrave kërkonte nga Ministria e Punëve të Jashtme që të merrte çështjen në shqyrtim dhe të njoftonte përfundimin.

Fund


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas