Traktat mbi tolerancën është kthyer në bestseller pas ngjarjeve në revistën satirike “Charlie Hebdo” në Francë dhe është ribotuar në shumë gjuhë të botës këto kohë. Shtëpia botuese “Saras” e risolli për lexuesin, si një traktat për të ruajtur atë vlerë të trashëguar nga historia, që është harmonia fetare
Në sallën ovale në Pallatin e Kongreseve u organizua një diskutim mbi librin “Traktat mbi tolerancën”, i shkruar në vitin 1763 nga filozofi iluminist Volter, i sjellë në shqip nga Shtëpia botuese “Saras”
Të pranishëm në ceremoni ishin Mustafa Nano, Ylljet Aliçka, Besnik Mustafaj e shumë emra të tjerë të letrave.
Duke e cilësuar si një libër të rëndësishëm që prek marrëdhëniet fetare, Mustafa Nano u shpreh se do të ishte një ide e mirë sikur ky libër të bëhej më divulgativ dhe të përshtatet për t’u lexuar nga të gjithë, sidomos nga besimtarët.
Një libër, që sipas tij mban thelbin e të parit të besimit si një proces të lirë midis individit dhe Zotit. Dy janë gjërat më thelbësore sipas Nanos në këtë libër, e para ka të bëjë me faktin që fetë janë të nevojshme për njerëzimin, dhe se çdo tentativë ndaj fanatizmit fetar është e rrezikshme.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë, Ylljet Aliçka e quajti librin një traktat mbi dhunën.
“Libri është një lloj historie e fesë që përkon me historinë e njerëzimit. Është një dëshmi e qartë se popujt janë qeverisur gjithnjë mes kundërshtive”, – tha Aliçka.
Sipas tij, Volter sjell në këtë traktat ide revolucionare dhe tepër bashkëkohore nëse mendon kohën në të cilën i ka shkruar. Ai i sheh fetë si nyje lidhëse dhe si bashkësi e racës njerëzore. “Idetë e Volterit përkojnë me teoritë e sotme, që ekuilibri apo konflikti i individit me veten, koordinatat që ai vendos midis vetes, së tashmes, së shkuarës dhe së ardhmes, midis vetes reale dhe ireale, dhimbjes dhe gëzimit, dështimit dhe vetëpërmbushjes, midis asaj që sheh së jashtmi dhe asaj që ndjen së brendshmi, është tepër i rëndësishëm”, – tha Aliçka.
Volter thotë se projeksionet false të vetvetes rrisin ndjenjën e papranueshmërisë. Sipas Aliçkës, Volter sheh larg kur kërkon me ngulm harmonizimin e shkencës me fenë dhe e konsideronte të rrezikshme devotshmërinë e rreme.
“Më mirë të hidhesh në krahët e natyrës, sesa të gabimit njerëzor, më mirë se shpikjet e njeriut. Kjo ndodh pasi e njohim Zotin kaq pak, ndërkohë që ka kaq shumë krime në emër të tij”, – thotë Volter, duke mbështetur idenë në librin e tij që njeriu ka nevojë për fre.
“Jashtë kishës nuk ka shpëtim, por a i njohim ne të gjitha udhët e Zotit dhe horizontet e pafundme të shpirtmadhësisë së tij?” – pyet ai në libër, duke besuar se “sa më shumë shtohen sektet, aq më pak të rrezikshme bëhen, pasi larmia i dobëson”.
I pranishëm në diskutim, ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë, një njohës i mirë i Volterit që 35 vjet më parë, Besnik Mustafaj e quajti Volterin një mbrojtës të madh jo vetëm të francezëve. Duke ftuar që të lexohen librat e shenjtë ashtu siç janë, pasi në ta ka frymë më shumë sesa rreshta, Mustafaj e quajti Volterin një iluminist të madh. Mosleximi siç duhet i librave të shenjtë ka çuar dhe në shtimin e imamëve, që kthehen në një kërcënim për paqen.
Dom Gjergj Meta hodhi poshtë idenë që antisemitizmi i Volterit duhet parë si diçka negative.
Në kontekstin e kohës, autorë të tjerë antisemitistë ishin ata që hodhën bazat e iluminizmit francez. Për përkthyesin Fari Laçka, libri është një kambanë e cila lajmëron se fanatizmi i ka rrënjët ende të forta dhe vështirë se mund të shkulen nga mendja dhe shpirti i disa njerëzve, të cilët besojnë te feja ose verbërisht, ose qëllimthi për të përfituar prej saj.
Si njohës i mirë i çështjeve fetare dhe ligjore, gjatë gjithë librit shkrimtari sjell fakte mbresëlënëse nga epoka, shoqëri dhe bashkësi të ndryshme fetare dhe duke i gërshetuar me njëra-tjetrën, ai përfundon librin pikërisht aty ku ka zanafillën, rehabilitimi i figurës së plakut Kalas si nder i tolerancës dhe turpi i mostolerancës, një tregues i qartë se deri ku mund ta shpjerë fanatizmi mendjen dhe shpirtin e njeriut.
“Traktat mbi tolerancën” është kthyer në bestseller pas ngjarjeve në revistën satirike “Charlie Hebdo” në Francë dhe është ribotuar në shumë gjuhë të botës këto kohë. Shtëpia botuese “Saras” e risolli për lexuesin si një traktat për të ruajtur atë vlerë të trashëguar nga historia, që është harmonia fetare.