Kaosi i mendimeve dhe tezave të rilindjes dy muaj para zgjedhjeve po majmet e po hazdiset duke prodhuar çudira e shashka që fluturojnë sa andej kendej në gojët e secilit fortafolës të kësaj qeverie.
E gjitha kjo, ngase ka ardhur afati i skadencës së propagandës, që ka qënë motorri i Ramës dhe të tijve për dy mandate.
Skadenca e propagandës, në mungesë të një bilanci, tentohet të zëvendësohet me trille, me sulme, me shpifje, dhe me fushatë negative ndaj kundërshtarit.
Shihni idenë më të re që ka Edi Rama për të dëmtuar rivalin Basha. E tha sot në Vlorë. Votojeni tha, nëse doni tramvaje.
I referohet kështu një premtimi të pambajtur të kreut të PD kur ka qënë kryetar Bashkie në Tiranë. Për këtë, Lulzim Basha e ka dhënë një sqarim. Ka thënë se studimi ishte bërë dhe se kredia qe aprovuar nga qeveria franceze. Por, Edi Rama pasi erdhi në pushtet, në një vizitë në Paris e anulloi, e hodhi poshtë si projekt.
Pra kjo temë për këdo që nuk bën urra, nuk duartroket e nuk shkon pas berihajt, ka marrë përgjigje.
Ndërkohë, është interesante se si pa dashje, Edi Rama ka zbritur kështu në një mejdan që e ka shmangur si djalli temjanin. Tek realizimi i premtimeve. Do të duheshin shumë radhë, e disa numra gazetash për të folur për të papërmbushurat e rilindjes dhe bosit të saj. Po le të ndalemi tek premtimi për 300 mijë vende pune, teksa gjysëm milioni kanë ikur nga Shqipëria këto vite e një nga arsyet kryesore, është papunësia.
Premtoi shëndetësinë falas, dhe mijëra e mijëra familje kanë marrë një goditje të pamenduar ekonomike për të përballuar kurën e covidit. Dhe qindra të prekur kanë zgjedhur spitalet e Kosovës, Janinës, dhe Turqisë, meqënëse shërbimi i rilindjes ishte jo vetëm i pamjaftueshëm po edhe i dyshimtë.
Le të kujtojmë edhe nja dy tre më të vogla, si; ulja e çmimit të energjisë, ushqimeve, apo integrimi europian.
Pra Edi Rama që është rekordmeni i këtyre 3 dekadave për mashtrime elektorale, po hyn në betejën e premtimeve. Ndërkohë, nuk e ka fare problem të thotë në ato mexhliset on-line se do të ndërtojë kudo në çdo qark nga një aeroport. Me siguri pas këtyre takimeve qesh me të madhe dhe bën qepalla me stafin, se si e mbolli edhe një mrekulli elektorale, që ta hajë dynjaja.
Meqë jemi tek këto shpotitë motorrike, territoriale, e hapësinore, duhet thënë se nëse ka një tramvaj sot funksional, është ai lloj marshimi që ka nisur në heshtje, pa zhurmë, pa ulërima, drejt 25 prillit.