Qeveria shqiptare shënon rekorde negative të transparencës për vitin 2018 edhe pse ligji për të drejtën e informimit e detyron të publikojë informacione zyrtare, ligj ky i miratuar në vitin 2014. Qëllimi themelor i ligjit për të drejtën e informimit është të sigurojë një publik të informuar dhe një administratë llogaridhënëse, por një raport i Qendrës Respublica ‘Për të Drejtën e Informimit’ vë në dukje se pjesa më e madhe e institucioneve refuzojnë të jenë transparente apo dhe të japin informacion mbi vendimmarrjet e tyre.
Për të vlerësuar nivelin e transparencës përmes publikimit të informacioneve dhe dokumenteve nga institucionet me iniciativën e tyre, Res Publica monitoroi programet e transparencës për 100 institucione gjatë vitit 2018. Studimi zbuloi se 40 % e institucioneve nuk kanë program transparence dhe refuzojnë t’u përgjigjen kërkesave zyrtare për informin, apo dhe në rastin më të keq, nuk kanë as faqe interneti, duke lënë tërësisht në terr informative publikun.
Në faqet zyrtare të institucioneve mungojnë informacione që vërtet kanë vlerë për t’u publikuar ku spikat mangësia pothuajse totale e informacionit për monitorimin e kontratave të prokurimit publik dhe koncesioneve. Afro një e treta e institucioneve refuzojnë t’u përgjigjen kërkesave për informacion për këto çështje, dhe gjithë detyrimin ligjor për përgjigje brenda një afati 10 ditësh pune (rreth 14 ditë kalendarike).
“Rezulton se kohëzgjatja mesatare e kthimit të përgjigjeve për kërkesat gjatë vitit 2018 ka arritur një rekord negativ, konkretisht dy herë më shumë se mesatarja e matur në vitin 2017. Njëkohësisht kjo është situata më e keqe në 4 vitet e fundit. Madje, tejkalon edhe rekordin negativ historik të matur nga Res Publica në vitin 2013, kur kjo mesatare ishte 24 ditë kalendarike”, deklaroi Dorian Matlia.
Raporti, në të cilin përfshihen edhe 9 rekomandime kryesisht për Komisionarin e të Drejtës së Informimit, sugjeron masa administrative me gjobë nga Komisionari. Sipas raportit, me gjithë numrin e lartë të ankesave, masë administrative kishte pasur vetëm në katër raste.
Komisioneri ka qenë i pafuqishëm për të ndëshkuar institucionet e rëndësishme si Bashkia e Tiranës apo dhe Kryeministria, të cilët rëndom refuzojnë dhënien e informacioneve publike.
“Është e pritshme të paktën që gjobat të vendosen ndaj shkelësve përsëritës, siç është rasti i Bashkisë Tiranë, kundër së cilës janë dhënë 3 vendime detyrimi për dhënie informacioni në vitin 2018 dhe 4 vendime të tilla, në vitin 2017, por nuk është vendosur asnjë gjobë”, thuhet në raport.
Rezulton se institucioni i gjobitur është i dorës së dytë, siç është rasti i Drejtorisë së Përgjithshme Detare. Res Publica ngre shqetësimin se Komisionari nuk merr dot vendim ndaj Kryeministrisë dhe ka lënë pezull disa çështje.
“Fakti që edhe ndaj Bashkisë Tiranë, Komisionari mban një qëndrim të butë, sugjeron që ai ndoshta nuk ka forcën e duhur të përballet me institucione që kontrollohen nga persona të rëndësishëm për forcën politike që dominon Kuvendin, prej të cilit varet edhe mandati i ri i Komisionarit që do të votohet në 2019. Në këtë kontekst do të duhet të mendohet një skemë për rritjen e pavarësisë së këtij organi”, deklaroi Matlja.
Masa administrative rekomandohen edhe ndaj atyre institucioneve që ende nuk kanë plotësuar ‘Programin e Transparencës’. I pranishëm në takim, Komisionari për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, tha se në institucione kishte mungesa në personel dhe po ashtu kërkohej kohë për një zbatim më të mirë të ligjit.