Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila e konsideroi herësin e votave në zgjedhje si antikushtetues mund të sjellë jo pak andralla për krerët e të dy forcave kryesore në vend. Sipas një vëzhgimi të Institutit për studimet politike arrihet në përfundimin se 34 nga deputetët aktualë nuk e meritojnë mandatin, por do e gëzojnë për shkak të afërsisë që kanë pasur me kryetarët respektivë. Akoma më e vështirë bëhet situata në kampin e majtë, ku herësin e kanë thyer jo vetëm emra si Fatmir Xhafaj që ai u mundua ta linte jashtë, por edhe shumica e ministrave të kabinetit qeveritar, çka e kushtëzon jo pak Ramën në lëvizjet e tij të shtatorit. Në të kundërt, debatet dhe pakënaqësitë do jenë të pashmangshme.
Herësi në zgjedhje nuk është gjë tjetër vetëm se një shpikje alla rilindje, e cila fut në parlament të preferuarit e kryetarëve dhe ua ngarkon barrën e zgjedhjeve atyre që janë jashtë kufirit fitues. Një mënyrë për të spastruar të padëshiruarit, por për t’i dhënë idenë se gara është e njëjtë, mjafton të mbledhësh aq vota nominale apo preferenciale, sa janë dashur për të marrë mandatet ata të zgjedhurit e kryetarëve. Natyrisht kjo metodë, siguron një drejtim të atij që merr pushtetin, por edhe një opozitë pa andralla të atij që humbet. Të marrësh 10 mijë vota, në një qark nuk është gjë e lehtë. Duhet të përballesh me mosbesimin e zgjedhësve për faktin se kryetari i partisë s’të ka fort për zemër, prandaj të ka lënë jashtë listës fituese. Një zgjedhës pragmatist, siç janë shumica, e ka mjaft të vështirë të votojë siglën dhe të çojë dorën atje ku janë emrat e atyre që nuk janë në dëshirat e kryetarëve për të qenë deputetë. Pra, e thënë shkurt herësi shkel çdo rregull gare, duke i trajtuar ca të nënës dhe ca të njerkës. Natyrisht, ky lloj sistemi i erdhi për mbarë dhe opozitës, kreu i së cilës nuk është se e kundërshtoi fort këtë marifet të dyshes Rama-Gjiknuri.
***
Të mërkurën në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese do e shpallte pikën 3 të nenit 163 si antikushtetues. Kjo do të thotë që as më shumë e as më pak, por kemi zhvilluar një palë zgjedhje në kundërshtim me Kushtetutën. Megjithatë, gjykata arsyeton se masa e dëmit nuk është aq e madhe sa të ndryshojë rrjedhën e zgjedhjeve, kështu që kjo vlen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kur u dorëzua kërkesa në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata kërkoi gjashtë muaj kohë për t’u shprehur. Më herët ndryshimet në Kushtetutë iu dërguan Komisionit të Venecias, e cila as më shumë e as më pak kreu rolin e noterit për mazhorancën duke arsyetuar se ndryshimet e atëhershme nuk binin ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë. Madje, as neni 163 që ishte pjesë e ndryshimeve të atëhershme. Në fakt Komisioni i Venecias, i cili ka marrë vendin e Kushtetueses për të gjithë këtë kohë që ajo nuk ka funksionuar, nuk dinte të shpjegonte se cili vend i botës operon në zgjedhje me këtë lloj miksimi. Në të gjithë botën ekzistojnë tre lloj sistemesh. Mazhoritar i pastër, proporcional i pastër dhe sistemi i përzierë mazhoritar dhe proporcional, siç ne e kishim deri në zgjedhjet e vitit 2005. Por proporcional rajonal duke imponuar herësin, nuk mund të gjesh askund.
***
Edi Rama iu druhej listave të hapura 100%, e cila është e ngjashme pak a shumë me sistemin mazhoritar, por me ndryshimin se kandidati mund të bëjë fushatë në të gjithë qarkun e jo në një zonë të përcaktuar. Në sistemin e kaluar, pra në mazhoritarin e ndarë në 100 zona elektorale, pasi 40 mandate ndaheshin në bazë të proporcionalit kombëtar, një kandidat fitonte zgjedhjet me 5 deri në 7500 vota, në varësi të numrit të zgjedhësve që ishin në listë në atë zonë si dhe pjesëmarrjes në votime. Përfaqësimi ishte racional dhe i drejtë. Deputeti ishte më i afërt me zgjedhësit dhe me problemet e zonës që përfaqësonte. Kjo metodë u zhduk me sistemin proporcional rajonal me të cilin Rama fitoi zgjedhjet në vitin 2013, dhe u bë akoma më diskriminues duke i shtuar aty dhe herësin. Në listat e deputetëve sheh çudira. Herësin arritën ta thyejnë vetëm tre deputetë që morën të drejtën të hyjnë në kuvend. Ornaldo Rakipi dhe Fatmir Xhafaj nga PS në Tiranë si dhe Luçiano Boçi nga PD në Elbasan. Shumë të tjerë megjithëse morën gati dyfishin apo më shumë vota se ata që ishin në listë sërish nuk arritën të hyjnë. Fjala vjen, në Fier Agron Kapllanaj i PD-së, një individ që gëzon simpati në qark mori më shumë se 9 mijë vota, por nuk arriti të thyejë herësin. Dy kandidatë të tjerë, të preferuarit e kryetarit morën përkatësisht, 1295 dhe 2506 vota nominale por gëzojnë mandatin e deputetit. E njëjta gjë vlen dhe për krahun tjetër. Pandeli Majko, Mimi Kodheli e të tjerë mbetën jashtë për shkak të herësit, ndërsa të preferuarit e Ramës do gëzojnë mandatin në legjislaturën e ardhshme.
Herësi dhe andrallat që pritet t’i hapen Ramës dhe Bashës
Kjo situatë nuk do kalojë pa debate në të dy krahët. Natyrisht ata që kanë mbetur pa mandate nëse kanë rezultuar të suksesshëm, do kenë pretendimet dhe pakënaqësitë e tyre. Në krahun e djathtë, u vu re dalja e menjëhershme në kandidim për PD-në e Agron Shehajt, ndër deputetët më të votuar në Tiranë. Gjithsesi, votat e elektoratit nuk janë të njëjtat me ato të anëtarësisë. Të tjerët ndihen të përdorur, teksa shohin individë të ndryshëm që kanë përfituar vetëm nga afërsia e tyre me kryetarin e Partisë.
Mazhoranca
Por kërkesat e atyre që mbetën pa mandate për shkak të renditjes nga ana e opozitës ngjasojnë modeste me kërkesat e atyre që mbeten jashtë, apo rezultuan me vota të shumta në krahun e mazhorancës. Në editorialin e sotëm të gazetës MAPO paralajmërohet një debat i fortë pas shtatorit, kur Rama të ketë zgjedhur qeverinë e re. Herësi ka bërë që dhe atyre që s’kanë pasur pretendime dje, t’u ngrihet mendja për poste ministrash, pavarësisht se shumë prej votave të tyre kanë qenë të blera apo “fake” siç mund të quhen ndryshe. Fjala vjen, Taulant Balla ka rezultuar njeriu më i votuar në Shqipëri. Dihet se si janë marrë votat në qarkun e Elbasanit, por përderisa ia njohu drejtësia dhe institucionet e zgjedhjeve atij i lind e gjithë e drejta që t’i konsiderojë të mirëqena. Një tjetër deputet shumë i votuar ka rezultuar dhe Fatmir Xhafaj, por arriti të thyejë herësin si pasojë e lobimeve që kreu brenda PS-së, dhe atij i lind e drejta që të kërkojë më shumë se një mandat deputeti. Ndoshta të tjerë, si disa deputetë të qarkut të Durrësit, të cilët janë përfolur për lidhje me krimin e organizuar ose kanë dhe hesape të hapura me drejtësinë mund të heshtin ama pakënaqësia qëndron. Ata ndihen njësoj të përdorur, si të tjerët.
Pretendimet
Poshtë mantelit të qetësisë, Rama e ndjen ciklonin që po afrohet. Çorba që gatoi për të lënë jashtë kundërshtarët e tij potencial rrezikon të helmojë atë vetë. Ato që ai reklamoi si prurje rezultuan dizastër. Najada Çomo në Tiranë, Krashi në Dibër apo Bardeli në Shkodër rezultuan fiasko, dhe për këtë ai duhet të japë një përgjigje. Në rast se deri më tani nuk është kërkuar kjo llogari nga të pakënaqurit bëhet për faktin e thjeshtë se qeveria nuk është formuar akoma. Tetë vite Rama ka vijuar të qeverisë me dorë të hekurt, të fusë njerëz anonimë në qeveri, të bëjë ç’të dojë me kabinetin, por duket se herësi do i hapë goxha andralla. Blendi Klosi, Erjon Braçe, Blendi Çuçi, Manastirliu, Peleshi, Ahmetaj, Balluku arritën të thyejnë herësin megjithëse nuk i nevojitej. Natyrisht përdorën pushtetin, por sprovën e Edi Ramës e përballuan, duke e vendosur këtë të fundit në një pozitë aspak të favorshme.
Më tej janë të tjerët si Etjen Xhafaj me 12 800 vota. Rrahman Raja, Lefter Koka apo Jurgis Çyrbja në Durrës votat e të cilëve i siguruan fitoren. Paulin Sterkaj në Shkodër që mori më shumë se 7 mijë vota, dhe tregoi se është faktor, apo Aurora Mara në Burrel që mori 9 mijë vota ose një të tretën e të gjitha votave të qarkut Dibër. Të gjithë këta dhe të tjerë do kërkojnë shpërblimin e tyre.
ISP: 34 deputetë nuk e meritojnë mandatin e 25 prillit
Instituti i studimeve politike ka bërë një llogari, ku rezulton se të paktën 34 deputetë të kuvendit të ri nuk e meritojnë mandatin. Ja se çfarë thotë në një shënim të tij Afrim Krasniqi, drejtues i institutit në lidhje me këtë çështje. “Gjykata Kushtetuese vendosi më 30.06.2021 shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën. Pika e shfuqizuar thekson: “Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt”. Në natyrën e vendimeve të GJK aktet e saj, sidomos ato zgjedhore, nuk kanë fuqi prapavepruese, pra përcaktojnë rregulla për të ardhmen, megjithatë mbetet për t’u specifikuar vendimi i detajuar dhe pozita ligjore në raport me parlamentin e ri. Instituti i Studimeve Politike (ISP) vlerëson se vetëm zbardhja e plotë e vendimit do të përcaktojë detaje të rëndësishme, ku më kryesori është përcaktimi mbi afatet dhe efektin dhe më pas edhe mënyra sesi partitë do ta lexojnë vendimin në kundër të standardeve të zgjedhjeve dhe të reformës së ardhshme elektorale.
Pavarësisht se përbërja e parlamentit të ri nuk do të ndryshojë dhe efektet e heqjes së pragut për herësin të jetësohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, publiku, media, ekspertët dhe vetë politikanët e cenuar nga ky nen, tashmë antikushtetues, do ta përdorin vendimin e GJK për të vënë në dyshim legjitimitetin e një pjese të deputetëve, të cilët nëse vendimi do të ishte aplikuar në zgjedhjet e 25 prillit, nuk do të ishin pjesë e parlamentit të ri 2021-2025. Sa është numri i deputetëve që nuk do të ishin më deputetë nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të ishte zbatuar nga KQZ në dhënien e mandateve nga zgjedhjet e 25 prillit? Të dhënat e përpunuara nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) tregojnë se 34 nga 140 deputetë ose 24% e parlamentit të ri nuk do të ishin zgjedhur dhe as mandatuar si deputetë, për shkak të numrit të votave që ata kanë marrë nga qytetarët. Tabela bashkëngjitur ilustron listën e plotë të deputetëve dhe të partive politike që do të humbnin mandatin dhe listën e deputetëve që do të fitonin mandatin nëse formula e përcaktuar nga GJK do të ishte zbatuar më 25 prill 2021. Për lehtësi vlerësimi tabela pasqyron edhe votat e deputetëve që kanë fituar mandat për shkak të pragut mbi 10 mijë vota të herësit, si dhe votat e deputetëve që nuk kanë arritur të fitojnë mandat edhe pse janë më të votuar nga qytetarët.
Midis emrave që do të humbnin mandatin bien në sy ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, kryetari i PBDNJ Dule, numri dy në LSI Vasili, deputetë të njohur si Bushka, Felaj apo Bylykbashi etj. Tabela pasqyron të dhënat e detajuara bazuar në secilin qark. Nga deputetët që do të siguronin mandat parlamentar janë edhe emrat e njohur Majko, Kodheli apo Beqja nga PS, Spahia, Dogjani dhe Cara në PD, Spahia e Kërpaçi në LSI etj. Në nivel të partive politike, PS do të duhej të zëvendësonte 14 deputetë ose 18% të grupit, PD 16 deputetë ose 27% të grupit, LSI 2 nga 4 deputetë e shprehur në 50% të grupit dhe PSD 3 nga 4 deputetët, pra 67% të grupit. Në total do të humbnin mandatin parlamentar duke u zëvendësuar 34 deputetë ose 24% e numrit total të deputetëve në parlamentin e ri.
Analiza të tilla statistikore të realizuara nga ekspertët e Institutit të Studimeve Politike (ISP) në këndvështrimin e vendimit më të ri të Gjykatës Kushtetuese vlejnë për të nxjerrë në pah faktin sesi një praktikë tashmë antikushtetuese mund të tjetërsojë votën dhe vullnetin qytetar në masën 24% duke sjellë në parlament së paku 34 deputetë më pak të votuar sesa 34 të tjerë që penalizohen për shkak të sistemit zgjedhor të përcaktuar nga Kuvendi në korrik 2020. Të dhënat janë elemente kritike se si partitë politike nuk kanë arritur të përfshijnë në listat e kandidimit individë me mbështetje elektorale, por kanë përdorur skema e formula taktike që sigurojnë mandate me legjitimitet të cunguar.
Të dhënat janë gjithashtu një bazë e mirë referuese për reformën e ardhshme elektorale dhe për nevojën jetike të partive politike për një sistem karriere dhe merite brenda tyre, përpara paraqitjes së listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.