Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja e rëndë në Berat, ku humbën jetën 3 persona si pasojë e zjarrit që përfshiu tre banesa. Jovan Vangjeli 61 vjeç, dhe Mateo Vangjeli (i biri), 36 vjeç, si dhe një shok i këtij të fundit janë shkrumbuar nga flakët brenda në banesë.
Mësohet se zjarri ka rënë rreth orës 00:50. Vëllai dhe kunata e 61-vjeçarit Jovan Vangjeli shprehen se babë e bir kishin në shtëpi një rezistencë, e cila mund të jetë bërë shkak për ngjarjen e rëndë.
Vëllai i Jovanit, Kleanthi Vangjeli thotë se ka mbërritur në vendngjarje në orën 1 e 25. “Gjeta vetëm flakë. Dëgjova që kanë humbur jetën tre veta. Ata kishin një rezistencë, që gatuanin, dhe them mos ka ndodhur nga ajo rezistenca.” -deklaron vëllai i viktimës.
Kunata e Jovanit, Luljeta Vangjeli: Na morën në orën 12 të natës dhe na thanë që ka rënë zjarr te Jovani. Nuk e besuam, morë zjarrfikësen direkt dhe na thanë që është e vërtetë. Erdhëm këtu, por nuk morëm vesh gjë. Tani në mëngjes po del trupi i Jovanit.
Ndërkohë, policia dhe zjarrfikësit kanë nxjerrë deri më tani vetëm një trup të pajetë, që dyshohet të jetë i 61-vjeçarit Jovan Vangjeli. Ky i fundit ishte i paralizuar.