Kasëm Trebeshina, edhe në këtë vitlindje të radhës, pra në vitin e 89 të jetës së kaluar në dy shekuj, të cilët në marrëdhënie me të, megjithatë ngjajnë shumë, sepse të dy e përjashtuan si shkrimtar, e përjashtuan nga letrat shqipe, kur në fakt dje, sot dhe nesër janë ato që kanë nevojë për Trebeshinën. Madje, as vetë kapërcyelli i ndërrimit të mijëvjeçarit të tretë, nuk lëvizi gjësend në marrëdhënie me jetën dhe veprën e gjerë letrare, me veprën e botuar dhe të pabotuara, me veprën e pa lexuar, e mbi të gjitha të papranuar në arealin e letrave shqipe, vetëm për arsye jashtëletrare. Duket, se në rastin e këtij autori, si me rrallë të tjerë, është lëshuar një mallkim, gati apokaliptik që nuk lë hapësirë shikimi dhe vlerësimi. Mallkimi absurd, ndërkaq është shoqëruar me një patologji asgjësuese të tjetrit, të të ndryshimit, lëshuar dikur në motet e diktaturës komuniste. E mallkimi nuk po i ndahet, edhe pse sistemi që e shpalli armik ka rënë nga fiku, është fshirë nga faqja e dheut, por verifikimi dhe mentaliteti, mjerueshëm është po ai, me një përmbysje jo konceptuale, por hapësinore, nga bardhë e zi, në zi dhe bardhë. Nuk ka se si të ndodh ndryshimi, kur kanë mbetur hijet dhe hienat e djeshme në institucionet e shtetit, në shkollat e rrumpallës shqiptare, ku nuk guxohet as t’i përmendet emri. Edhe ndokush që guxoi të shkruante për të, madje pavarësisht marrjes së titujve mbi veprën e tij, letërsia e shkruar në kullën e fildishtë, siç rreken të përgojojnë korifenjtë e realizmit socialist dhe eunukët e mos leximit të tij, të shpallur akademikër dhe profesorë, më tepër shtuan “njollat” në biografinë e tyre, se sa ndryshuan marrëdhënien më këtë përvojë shkrimi. Një mallkim tmerrues, që këdo tjetër do ta kishte gjunjëzuar, rrëzuar, hedhur mbërthe që të zvarritej si krimbat, siç shohim të zvarriten njerëzit që përshtaten, njerëzit pa dinjitet dhe karakter, vetëm të jenë në krye të shtetit, të institucioneve të arsimit dhe kulturës. Trebeshina, tashmë më tepër është një legjendë, qëndrese stoike, zemërim dhe përleshje, e sidomos një Robinsoni i letërsisë, jo vetëm nuk e uli vrullin e zemëratës ndaj së keqes, adhurimin për letërsinë, por e vijon duke shkruar dhe përkthyer veprat në anglisht. Në këtë kohë, vetë mallkimi ka mbetur në mjerim dhe pa grimën e fuqisë, sepse u tejkaluan të gjithë parametrat e qëndresës, e kundërshtisë ndaj sistemit, dje dhe sot, ndaj krimeve dhe spiunimit, ndaj legenërisë që antivlerën e ka ngritur në piedestal si kryevlerë. Mallkimi, çnjerëzor dhe sistematik, tani nuk di se ku të fusë kokën, gjendet në zgripin e vetë ekzistencial, i tredhur dhe telefosur nga utopia ideologjike, nga marrëzia njerëzore, për t’ia nxirë të gjithë ditët e jetës, njeriut dhe shkrimtarit. Mallkimi, lëshuar dikur si rrufe kozmike, mbi jetën dhe veprën, nisi herët, por ndër vite erdhi vetëm duke u përforcuar, mori forma të ashpra, të çuditshme dhe tejet çnjerëzore. Trebeshina, si shumë të tjerë, e nisi veprën letrare në vatrën e komunizmit, por si pak të tjerë, mbase vetmitar, pa shëmtimin dhe shpërfytyrimin e bashkëluftëtarëve, e braktisi dhe hyri në betejën donkishoteske (në kuptimin e ëndrrës për ta ndryshuar realitetin) me të. Në motet e diktaturës, luajti me monizmin dhe kaposhët e tij, si macja me miun, e mposhti, e përbuzi, e shkërbythi nga udha e vetë, dhe vijoj të mbijetonte falë dashurisë për letërsinë. Shkrues të tjerë, që sa qe sistemi jetuan dhe e adhuruan, korrën frytet e tij, fituan emër dhe famë, e tash duan të shkruajnë heroizmin e pas betejës, mençurinë pas kuvendit, pra një histori të pavërtetë. E mallkuan dje, si askënd tjetër, e burgosën dhe internuan, e shpallën fajtor, ia hoqën të drejtën e botimit, e prapë fjala, si zjarri për Prometeun, e mbajti gjallë dhe të freskët. Mallkimi i djeshëm, vijon edhe sot, madje më i hidhur, më poshtërues, sepse në këto vite bëhet në emër të lirisë së fjalës, lirës së shprehjes, lirisë së demokracisë së brishtë shqiptare. Trebeshina, dje i burgosur, me veprat letrare, endi magjinë e lirisë së artit. Trebeshina, në liri, gjendet edhe më i burgosur se dje, sepse skllavëria e mendjes dhe shpirtit, që adhuron idhujt e rremë dhe pa krena, na pengon për të prekur dhe shijuar letërsinë e pashoqe të Trebeshinës. Në 25 vjet, institucionet e arsimit, kulturës, të nginjur në lumturinë e vetë, ngujuar në shoqërinë e korifenjve të realizmit socialist, nuk e panë vlerën e artit të Trebeshinës, nuk kthyen sytë nga dramatika e tij, që do ta nxirrte nga kriza dramën shqipe. Nuk kishin kohë për të lexuar prozën dhe poezinë e tij, ku shkëlqen surrealizmi, ndonëse është botuar pjesërisht, pra duke mbetur ende një ajsberg që duhet zbuluar… Asnjëherë nuk është vonë, thotë anglezi. Për Trebeshinën koha ka formuluar një marrëdhënie tjetër, vepra e tij, do ta nis dialogun, kur të jemi të lirë aq sa të mos vlerësojmë skllavërinë si liri, kur ta kuptojmë se Trebeshina nuk ka nevojë për asgjë, jemi ne që kemi nevojë, janë letrat shqipe, që pa veprën e tij, të Camajt, Pipës, Rreshpes etj. , është gjysmake dhe e nginjur në shërbesë ideologjike, pra në mungesë vlerash letrare. Letërsia është atdheu i njerëzve të lirë, ku nuk funksionon ligj i asgjësimit të tjetrit, parë më tepër “si pengesë për tu hequr qafe” sipas Kroçes, por secili thotë energjinë e vetë, me fuqinë e fjalës, e jo me idenë e urrejtjes, që të sjellë shkretëtirën… Letërsia nuk është skalion për të shpallur fajtorët e radhës, letërsia është perëndeshë që duhet trajtuar si e tillë, ku askush nuk është tepër, e po kaq askush nuk është perandor…