Aktualitet

TREGIM/ Baltëbota














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 00:50 - 24/11/21 |
mapo.al

NDUE DEDAJ

Baltëbota






Tregim


Asnjëherë një bust nuk ka folur. Po e bëj unë i pari, që të mund të kuptoni sadopak, jo se si e shihni ju një bust, por se si ju sheh ai ju.







E di që ju mendoni se unë jam një masë e ftohtë dheu me trupin dhe fytyrën e një njeriu të ngrirë, thoni po deshët: një lloj varri pa eshtra brenda, që nuk ka gjuhë, sy e veshë, por e keni gabim. Unë di gjithçka për ju, që kur më keni ngrehur në këtë park të qytetit, jo se donit të më bënit nder mua, porse ashtu ua donte puna. Ju e shihni botën ashtu sikurse e doni, kurse unë e shoh siç ajo është, lakuriqe. Për ju bota është heroike, madhështore, fisnike, kurse për mua statujën, përkundrazi, është një botë e shpifur. Thjesht dhe vetëm për faktin se ju e keni bërë baltë gjithçka mbi këtë rruzull…
Pasi t’iu kem rrëfyer se si ndodhi që unë hipa mbi këtë pidestal, do t’iu them të vetmin njeri që nuk e duroj, më zihen sytë sa herë kalon para meje dhe kthej kryet anash, por durim deri atëherë!…




Shumë vite pasi unë kisha vdekur (vonë u tha se kisha rënë në krye të detyrës!) u mblodh një komision në rreth, dha e mori për ditë të tëra rreth meje, që unë të ringjallesha, jo si Jezusi, prej së vërteti, siç thoshte nëna ime, por si ky lëmsh balte i ngjeshur që më shihni sot. Do të bëhej një kongres Partie dhe duhej gjetur një i vdekur, për ta bërë hero e kështu, në pesëvjeçarin e ri, t’i grishte njerëzit për më shumë vigjilencë revolucionare, pasi themelet e shtetit kishin filluar të lëkundëshin nga erërat që frynin nga jashtë. Duhej krijuar një simbol trimërie, kështu thoshin ata.



Nuk është se ishin nisur fiks tek unë, emri im doli pasi disa shoshitjeve të emrave të tjerë, por që nuk u pranuan se kishin secili nga një cen biografik. Përfundimisht, u gjeta unë si më i përshtatshmi. Kanditurën time për hero e qendisi mirë e bukur sekretari i parë, mos me iu besue veshëve as unë vetë. Tha se kisha qenë korrier partizan në kohën e Luftës, se merrja letrat e Brigadës VI, nga këndej e i çoja andej, çka nuk ishte e vërtetë. Ku dija unë asokohe se ç’ishte një korrier partizan? Bile, si fëmijë kurreshtar, mbaja mend se partizanët kishin bujtur një natë te një kushëri yni, por jo në shtëpinë tonë. Tash po thoshin këta të Komitetit se partizanët kishin bujtur tek ne, duke ia marrë atë pak lavdi atij kushëririt.

Pastaj sekretari i parë përmendi kontributin tim si punëtor i dalluar në minierë, pjesëmarrjen në aksionet e rinisë dhe sidomos i mëshoi fort ndihmesës që unë paskësha dhënë në luftën kundër bandave të diversantëve!? Në fund u ndal të vdekja ime heroike, siç thoshte ai, kinse isha ndeshur dhëmb për dhëmb me të arratisurit dhe se ata, duke më pasur mua halë në sy, kishin organizuar një komplot që nga Amerika për të më hequr qafe një natë dimri…

 

Aty për aty e mori fjalën një veteran i Luftës, Preka, që kishte pas qenë dhe me Forcat e Ndjekjes, duke iu drejtuar sekretarit të parë dhe të pranishëmve, se, nëse ishte fjala për atë, Palush Canin, domethënë për mua, Partia duhej të kishte kujdes, që t’i sqaronte gjërat deri në fund, pasi nuk bëhej shaka me këso gjerash, nuk ishte e kollajtë të shpallje një hero dhe për më tepër t’i ngrije dhe bust në mes të qytetit!… Se, me sa di unë, që mund mos ta di mirë, shoku Palush nuk kishte qenë i përfshirë me “partizanët” mbas çlirimit, por kishte parë punët e veta. Jo se nuk kishte qenë i dalluar në minierë!… Sa për në aksion, në hekurudhë, ai pati shkuar si gjithë të tjerët, dhe nuk kishte pasur ndonjë kontribut të veçantë, bile nuk kishte fituar asnjë “Sulmues”, si ata e brigadës së tij vullnetare!… Për ideal të Partisë, me aq sa di unë, që mund të mos i di mirë punët, ai nuk ka pasur as qëndrim të mirë moral, i kanë pas dalë nami se pati qit me barrë një vajzë të një katundi aty afër.

Të gjitha këto po thuheshin për mua në atë mexhlis Partie.

Mirëpo fati im ishte vendosur dhe pikë. Koha nuk priste. Unë do të shpallesha hero i heshtur dhe do të më ngrihej busti në mes të qytetit. Sekretari i pari i vuri kapak: “Ai është dëshmor! Është vrarë në përpjekje më diversantët”.

Atij veteranit “llafazan”, Prekës, i hoqën triskën e Frontit, që të kishte mendjen e të mos përgojonte më shokët e Luftës, se nuk i dinte mirë punët ai…

2
Tash më bie barra t’iu rrëfej se si ndodhi vrasja ime. Si rashë në atë pritë të mallkuar! E vërteta është se unë u vrava për dashurinë. Nuk kisha qenë në luftë kundër “bandave të reaksionit”, edhe pse diçka të tillë ma kishte kërkuar me ngulm një nga ata shefat e Forcave të Ndjekjes. Qe zhvilluar mes nesh kjo bisedë:

“Vëllai i dashnores tënde është në mal, reaksionar, dil e vrite, që të shpëtosh ti dhe ne nga ai kriminel!”

“Pse unë?… Çne!… Pastaj, me sa di unë, ai nuk…”

“Ç’e tjerr muhabetin! Ai ta ka bërë benë, i ka shkuar fjala se ti ia ke nxjerr motrën me barrë e një burrë malësie nuk mund të pranojë të koritet në këtë farë fejet!”

“Kjo është shpifje! Shega nuk është shtatzanë… Unë do ta marr për grua!”

Por, dihet, fjala e keqe, e ligë, po doli prej goje merr dhenë, me u shkul krejt gjindja nuk futet më andej nga ka dalë…

Kështu, një buzëmbrëmje, kur unë sapo isha ndarë nga Shega, në shtegun qorr që të çonte për te shtëpia e saj, u dha ai, i vëllai, si një bishë e dalë nga pylli:

“Or, ti, i poshtër, unë në mal për hallet e mia, e ti vjen e më shkërdh… motrën!”

Dhe një batare pushkësh shpoi tokën e qiellin, duke u derdhur si rrufe mbi trupin tim…

U mbyll ashtu ajo histori, derisa një ditë dikush u kujtua ta përdorte vrasjen time absurde, si një krim politik i kryer nga ata të malit, edhe pse të gjithë e dinin se më kishte vrarë vëllai i të dashurës sime, i cili në arrati nuk ishte hedhur për ndonjë ideal, por për shkak të një konflikti të vjetër me një nga të pushtetshmit e rinj të krahinës.

3

Tash erdhi çasti t’iu them atë njeriun që ma shpif. Jo do të thoni se është ai, vrasësi… Jo. Është skulptori im. Njeriu që e ktheu botën në baltë. Atij ia tha fill e për pe historinë tonë të dashurisë vetë Shega, që nuk ishte martuar bash si peng i asaj dashurie, dhe prapë ai e poqi baltën në fytyrën time sipas modelit që i kishin kërkuar ata të Komitetit dhe jo siç kisha qenë unë, një i dashuruar, i pafat… Ah, ju do të thoni se unë jam një gjykatës i rreptë i skulptorit tim, se faji nuk ishte i atij, ai nuk mund të ishte një Mikelanxho, në atë sistem e të tjerë si këto. Dakord, por, në të gjithë ata që u morën me “ringjalljen” time, vetëm ai ishte artist dhe artistët kanë shpirt…

Që nga ajo kohe unë pata urryer botën. Cilën botë, do të thoni ju? Cilën të doni!… Kur isha fëmijë e doja shumë botën, atë baltën argjilore, që gjendej poshtë shtëpisë sonë dhe unë veja vazhdimisht aty e sajoja figura me të. Nuk do të bëhesha skulptor dhe nuk e dija se çfarë ishte ky profesion asokohe, por si të gjithë kalmajtë e tjerë, doja të bëja figura njerëzish prej bote… prej bore, bile dhe prej shiu, po të mundesha…

Mirëpo qysh kur skulptori im më bëri mua kështu, më vjen neveri nga vetja dhe inat me atë që e merrte botën, përndryshe baltën dhe ma vishte në turinj, për të më bërë ashtu siç duhej të isha, aq sa po më zihej fryma.

Dhe kulmi ishte atë ditë që u bë përurimi im, u shkul krejt rrethi, të gjithë mbanin fjalime, sikur unë kisha bërë namin në atë luftë. Jo, or, jo, nuk ishte aspak ashtu…

Nuk e desha veten atë mbrëmje, kur, pasi ikën të gjithë e unë mbeta vetëm, u shkëput nga rruga një grua dhe erdhi drejt meje si një fantazmë, për të vënë një tufë lule. Ishte Shega ime. Kur u afrua pranë meje, më shihte si një të panjohur dhe befas u tërhoq mbrapsht, e përlotur. O Zot, ky nuk është Palushi im!…

Dhe kam qarë atë natë e sytë nuk më janë tharë as sot e kësaj dite, pas kaq motesh. Më janë bërë dhé…

6


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas