Mapo Letrare

Tregimet e vjehrrës







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:49 - 20/09/20 |
Mitro Çela

Nina Simoni është mbesa e Kardinal Koliqit, Ernest Koliqit dhe vjerra ime. 1. Kardinali: – Burrë i gjatë, i dobët, i verdhë, me mëlçi të sëmurë. Dy vjet i shtruar në spital në Itali. Njeri i ëmbël, i shenjtë. Na mësonte muzikë,-tregon Nina.- Na jepte libra për të përtypur italishten… Në vitin 1945 u dënua. Pas pesë viteve doli nga burgu… Përsëri u dënua. Në burg. Në internim. Në Lushnje. Në Ballsh… Në vitin 1986 fitoi lirinë! Shkuam ta takonim me mamanë, – vazhdon Nina.


-Pyeti: kush janë zonjat? Nuk na njohu. Mamanë time e la çupë e gjeti me thinja. Mua më la fëmijë-më gjeti grua! -E pyeta, – thotë Nina, – kur ishte ndjerë më keq. – Ditën kur mora lajmin se isha i lirë. Isha i internuar në Ballsh. Hipa në tren. Drejt Shkodrës. Ku do të shkoja? Pa shtëpi. Pa katandi. Nëna kishte vdekur. Një motër ishte mbytur në pus. -Rrija para Degës së Brendëhme. Vetëm. Në pritje. Gjithë ditën. Më në fund erdhi djali i motrës, Margaritës: Albert Kurti. -Gruaja e Albertit, Rexhina dhe dy fëmijët e pritën si shënjt.


-Ke ndonjë kujtim të mirë nga internimi, -e pyeta Kardinalin. -Po. Natën vonë. Radio Tirana jepte muzikë klasike. Mbi një shtyllë ishte altoparlanti. Bëheshim pesë. Në errësirë. Unë. Shtylla. Altoparlant. Kufjet. Muzika. Çudi! Muzika ishte e zgjedhur: Simfoni! Muzika më mbajti gjallë! -Kufjet? – Më thotë hetuesi. -Pse mban kufjet? -Nuk dëgjoj mirë? -Nuk e ha sapunin për djathë. Me kufje lidhesh me vëllain, Ernestin, në Itali! Fantazi gardiani!



Mikel Koliqi, kardinali, lindi më 29 shtator 1902. Shkollën e nisi në Shkodër. Të mesmen në Bresha, në Itali. Kishte një shok klase, Martinin. U bë Papa Pali VI. Studimet i nisi për inxhinieri. Në Milano bëri dy vjet. Një ditë vendosi të bëhej prift. La inxhinierinë. Filloi studimet për teologji. I vogël i binte mandolinës. Në rini ra në sevda me muzikën klasike. Shkroi edhe muzikë. Mes tyre melodramat muzikore “Rozafa”, “Rrethimi i Shkodrës” etj. – Kam parë një ëndërr, – tregon Nina. – Me sy hapur. Shkuam në Romë. Ftesa nga Vatikani. Më 26 nëntor 1994. Daja u bë kardinal.


-Ndodhi një mrekulli. Mikeli ishte 92 vjeç. Gjatë ceremonisë nuk qëndronte dot në këmbë. Erdhi Papa dhe u gjunjëzua para tij. Në 2000 vjet, ishte herë e parë që një Papë gjunjëzohej para një kardinali! -Po unë? -Më thotë Nina.- Si në përrallë. Putha dorën e Papës. Përqafova Nënë Terezën… Kardinali vdiq më 22 janar 1997… 2. Shkrimtari -Dajë Ernestin nuk e kam parë,-tregon Nina.- Nuk e kam njohur. -Në vitin 1943 familjarisht shkoi në Tivar. Nga Tivari në Itali. Vdiq në emigracion. -Mitro! Ernesti ishte gjeni! Nuk më beson? Po të dëftoj dy histori.


-Së pari. Në vitin 1921 u organizua një konkurs për hymnin kombëtar. Juria ishte e “tmershme”: Gjergj Fishta, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi. Çmimin e parë e fitoi Ernesti…Ishte vetëm 18 vjeç. -Së dyti. Ka shkruar një dramë. “Rranjët lëvizin”. Ngjarjet ndodhin në Shkodër. Viti 1970. Personazhi kryesor bën dy profeci. 1. Parashikon vdekjen e tij. 2.Parashikon rrëzimin e komunizmit. Dhe Ernestit i doli profecia. Vdiq në vitin 1975. Diktatura “ngordhi” 25 vjet më vonë. Shënim i parë. Një profeci të tillë nuk e gjen në asnjë vepër të shkruar nga shkrimtarët e Evropës Lindore! -21 vjeç Ernestin e bëri sekretar në ministri Fan Noli . U bë mik me Avni Rustemin dhe Zai Fundon.

-Erdhi Zogu. Ernesti u arratis. Dy vjet në Kroaci. Atje fitoi një “mik të madh”: Mustafa Krujën. Atje shkroi një nga librat e tij më të mirë: “Hija e maleve”. -Nga Kroacia shkoi në Itali. Në vitin 1929 u kthye në Shqipëri. Mësues në Vlorë: Shkolla Tregtare. Pastaj në Shkodër: Gjimnaz. -Në vitin 1933 la zanatin e mësuesit. U bë student. 30 vjeç. Në Padova. Me humor i thoshin “pellazg”-student i moshuar. -Në vitin 1939 u bë ministër i arsimit i qeverisë fashiste. Për mirë apo për keq? Nuk di me thënë. Por kur Ernest Koliqi ishte ministër, 200 mësues nga Shqipëria, shkuan në Kosovë. -Në vitin 1942 u martua me Vangjelia Vuçanin. Mësuese. Zonjë. Në Tiranë lindi djalin-Markun.

Në Romë lindi vajzën-Elisabetën. -Gruaja i vdiq në vitin 1969. Djali, Marku vdiq në një aksident. Vajza, Elisabeta është martuar me një italian. Ka tre fëmijë. -Elisabeta erdhi në Shkodër në vitin 1994. Ndenji një javë. Femër – akull. Nuk fliste shqip. U përkul para Kardinalit. Kaq. -E takova. E pyeta për Ernestin. Nuk mora përgjigje. Vetëm tha: -Baba ka një mal me libra. Kulturë dhe pasuri e madhe. Duhen futur në biblotekë. Të ruhen. Të përdoren! Por në “roje” është vëllai, Marku. Ai vendos! -Pas vdekjes së Markut, askush nuk di për fatin e librave! -Kam dëgjuar. Një gazetare e Radio Vatikanit, Ana Luka i ka telefonuar Elisabetës…Folën. Kortezi. Dhe kaq. Po librat? Nuk di! -Du me të dëftu një tregim të Ernestit,- më tha Nina.-Si për mbyllje të historive. -Katund në Malësinë e Madhe.

Një familje. Kishin edhe një vajzë. Një ditë ndodhi hataja. Vajzës iu rrit barku: shtatzanë. E mori në pyetje babai: -Më kë e ke fëmijën? -… -Si quhet djali? -… Babai hodhi pushkën mbi sup. Doli nga shtëpia. Vajza i shkonte pas si manare. Ndaluan në të dalë të fshatit. Një krisëm! … U hap fjala në katund…U mbyll fjala: Babai kishte vrarë me kanun. …Kaluan disa kohë. Vazhdoi tregimin vjerra ime. Një ditë dikush trokiti në derë: -Vajza jote kishte mbetur shtatzanë me djalin tim. Bashkë me vajzën ke vrarë edhe femijën tim. Me kanun jemi në gjak?! U mblodh kryepleqësija. I pari foli babai i djalit: -Kam gjak për të marrë!… U ngrit babai i vajzës: -Çfarë donte mielli jot, në thesin tim? … Me kanun: Nuk pati gjakmarrje…

Shënim i dytë. Ernest Koliqi ministër. Bashkëpunoi me fashizmin. Në botë, kush i ka shërbyer fashizmit, ka marrë dënim. Kështu ka ndodhur me shkrimtarin norvegjes Knut Hamsun. Nga më të njohurit në shekullin e kaluar. Me ndikim të madh tek Franc Kafka, Gorki, Heminguej. Fitus i çmimit Nobël në vitin 1920. Adhurues i Hitlerit. Çmimin Nobël ia dhuroi Hitlerit. Në viti 1945, kur mori vesh vdekjen e Hitlerit, bëri një elegji. U çlirua Norvegjia. Shkrimtari u arrestua. I bënë testin e marrezisë. E futën në burg. Pagoi si garanci 65 mijë dollarë. U lirua… Po veprat? U ribotuan.

Jo vetëm në Norvegji. Por edhe në Danimarkë. Në Evropë. Në botë. Me romanet, novelat dhe tregimet e tij, janë bërë skenare për shumë filma. Është hapur një fondacion me emrin e tij. Shënimi i tretë. Poeti Ezra Paund. Elitë e poezisë amerikane. Në vitin 1923 u vendos në Romë. Adhurues i Hitlerit dhe Musolinit. Në vitin 1940 kishte një rubrikë në Radio -Roma. I bënte elozhe Musolinit. Në “grykë të topit” Amerikën. Presidentin Ruzvelt.

Hebrejtë. Zezakët. Ushtarët amerikanë. Ishte fashist dhe racist. U çlirua Italia. Ushtarët amerikanë e arrestuan poetin. Tradhëtar i kombit amerikan. Bashkëpunëtor i fashizmit. Dy akuza të rënda. Poetin e futën në një kafaz në Kullën e Pizës. Tre javë të tmerrshme. Skëterrë. E çuan në Amerikë. I bënë testin e marrëzisë. Poeti i “marrë” shkroi për tre javët në burg. Në vitin 1949 fitoi çmimin “Bollingen”. Ky çmim jepet nga Libraria e Shtëpisë së Bardhë! Nga i njëjti shtet-ShBA-Për tradhëti-burg. Për talentin-çmim! Shënim i katërt. Në vitin 1945 Tirana i kërkoi Romës të kthente Ernest Koliqin. Sebepi? Bashkëpunëtor i fashizmit! Qeveria italiane nuk e “dorëzoi”. Dhe Ernest Koliqi u dënua në mungesë.

Në emër të tij, u dënua vëllai: Mikel Koliqi. Në internim një plak 80 vjeçar, i sëmurë. Kockë e lëkurë. Nje fantazëm që “ushqehej” vetëm me muzikë-sifoni! Pastaj erdhi dënimi me “vdekje” i veprave të Ernestit. U mblodhën të gjitha librat. Ca u dogjën. Ca u bënë karton. Pastaj erdhi harresa e madhe: 50 vjet! Askush nuk guxonte as ta lexonte, as ta komentonte, as ta përmente! Edhe pas viteve ‘90-të, “arkitekti” i tregimit modern, së bashku me Kutelin, shihet si dele e zezë. Ernest Koliqi në tekste shkollore?! Jo dhe jo. Ka qënë fashist!


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas