Qytetarët e Tiranës vazhdojnë të blejnë të njëjtën sasi karburanti edhe me çmime më të larta. Mos heqja dorë nga komoditeti dhe arsye të tjera që kanë të bëjnë me të përditshmen, ka bërë që edhe me hyrjen në fuqi të ligjit prej 1 janarit 2012, që parashikon taksën e re të qarkullimit mbi karburantet në masën 2,4 lekë për litër me TVSH, qytetarët vazhdojnë të furnizojnë automjetet e tyre me karburant po njësoj. Nga vëzhgimi i djeshëm i gazetës MAPO në tregjet e kryeqytetit është vënë re se çmimet e naftës dhe benzinës varionin nga 170 deri në 184 lekë për litër. Sipas tregtarëve, në pikat e karburanteve në kryeqytet xhiroja është po e njëjtë me masën e xhiros të përpara 1 janarit të vitit ku jemi. “Xhiroja nuk ka rënë. Shesim po njësoj si më parë dhe fitojmë. Njerëzit që kanë makinë e kanë të domosdoshme atë për shkak të të përditshmes; shkollës, punës, çuarjen e fëmijëve në kopshte, shkolla. Kështu që ata vazhdojnë të blejnë edhe kur duket sikur bëjnë naze për çmimin. Rritja e çmimit nuk varet nga ne. Ligji e ka rritur”- u shpreh për MAPO-n një tregtar në një pikë karburanti në kryeqytet. Ndërsa fjalët e tregtarëve i konfirmojnë automjetet e shumta në radhë për t’u furnizuar me karburant. Megjithatë, çmimi i karburanteve vazhdon të mbetet e i parregulluar. Vihet re që çmimi i naftës dhe benzinës ndryshon në pika të kompanive të ndryshme. Dje në një pikë karburanti në kryeqytet një litër benzinë ishte 172 lekë për litër dhe nafta 170 lekë për litër. Në pika të tjera karburanti në kryeqytet, nafta dhe benzina shiteshin nga 180-188 lekë për litër. Pavarësisht se qytetarët janë të detyruar të lëvizin me automjete për hir të kohës duke u furnizuar me karburant po njësoj si më parë, janë xhepat e tyre që rëndohen nga mosfunksionimi i tregut. Prandaj tregtia e automjeteve, mirëmbajtja dhe furnizimi i tyre me karburant ka rezultuar, nga studimi i INSTAT-it, se është biznesi me xhiron më të lartë në vend. Nga ky biznes masa e xhiros rezulton 43, 425 mln lekësh. Duke iu referuar një studimi të Open Date Albania, rezulton se në Shqipëri gjatë 2010-s ka pasur 121 automjete për 1000 banorë. Studimi citon se numri i automjeteve për 1000 banorë ka ardhur vazhdimisht në rritje. Gjithashtu edhe të dhënat e INSTAT për tremujorin e dytë të 2011-s treguan se shitja dhe riparimi i automjeteve janë rritur me 41 për qind, ndërsa tregtia me pakicë e karburanteve është rritur me 56 për qind në krahasim me 2008-n. Po Banka Qendrore gjykon se modeli më i mirë për parashikimin afatshkurtër të rritjes ekonomike janë shitjet dhe mirëmbajtja e automjeteve. Kështu, biznesi i automjeteve ka xhiro të padiskutueshme edhe pse çmimet rriten në mënyrë abuzuese.