Përveçse po rri në vendnumëro për vite me radhë, tregu i sigurimeve dy vitet e fundit është zhytur në kaos kur çmimi i siguracionit për automjetet që është burimi kryesor i të ardhurave, një javë kap vlerën e 180 mijë lekëve dhe javën tjetër e gjen edhe me 55 mijë lekë. Ky ndryshim i vlerave me ditë i ka bërë mosbesues edhe klientët, të cilët presin të sigurojnë makinat vetëm kur çmimi të jetë afër 50-60 mijë lekëve, ndërkohë që tarifa e diktuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare autorizon një policë jo më të vogël se 140 mijë lekë për siguracionin e një autoveture. Por vetë ekspertët e tregut e kanë një shpjegim.
Fajin e ka AMF
Nëse Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të ushtronte funksionet e veta për rregullimin dhe kontrollin që e ngarkon ligji, tregu i sigurimeve do të ishte në dimensione krejt të tjera, shpjegon një ekspert i pavarur, njohës i thellë i tregut. Sipas tij, të gjitha deformimet në treg po vijnë vetëm nga konkurrenca e pandershme. Kompanitë e vogla, dy-tri prej tyre, për të fituar treg i japin çmimet e siguracioneve nën kosto, deri në 60 mijë lekë për një autoveturë 4+1. Një agjente e kompanisë “Sigal” sa nuk është konfliktuar dje me një klient që e akuzonte atë se po tentonte t’i “vidhte” 10 mijë lekë kur i tha se vetëm dy metra poshtë nga zyra e saj mund ta siguronte makinën, me 60 mijë lekë. Agjentja e cila ka kohë që po punon në këtë linjë është mjaft e shqetësuar, pasi tregu, klientela por edhe të ardhurat e saj janë çorientuar. Agjentët e kompanive të sigurimeve të cilët janë të vendosur në rrugën “Gjergj Fishta” këtu në Tiranë, pohojnë se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të rikthejë rregullin në treg, pasi kur ka dashur e ka bërë. Para katër ditësh çmimi i siguracionit të një autoveture ka qenë 180 mijë lekë, ndërsa dje ka zbritur në 60 mijë lekë.
Reagimi i AMF
Nisur nga gjendja aktuale, tarifat e zbatuara vlerësohen se janë në nivele relativisht të ulëta nëse krahasohen me vlerësimin e riskut për produktin”, është shprehur ajo. Kryetarja e AMF-së, Enkelejda Shehu u ka thënë drejtorëve të kompanive se AMF, si autoritet mbikëqyrës dhe rregullator i tregut, do të vijojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për ndryshimin e gjendjes. Vëmendje e veçantë do të ketë vlerësimi me shumë kujdes i provigjoneve teknike të shoqërive të sigurimit për produktin e sigurimit të automjeteve. Sipas ligjit aktual në fuqi, tarifat e sigurimit të automjeteve janë të liberalizuara. Çdo kompani duhet të ofrojë tarifat në proporcion me tregun që ka, çka do të thotë se çmimi nuk duhet të jetë i njëjtë për të gjitha kompanitë. Nga ana tjetër, tregu i sigurimeve nuk arriti të funksiononte në këtë mënyrë për shkak të konkurrencës së madhe, mungesës së mjeteve të kontrollit dhe informalitetit të lartë. Duke ofruar çmime siguracioni deri edhe në 50 mijë lekë, tregu i sigurimeve jo vetëm që ka mbetur në vend, por nuk po arrin të jetë i ndershëm me klientët që dëshirojnë çmime të ulëta në momentin e pagesës së siguracionit dhe vlera të larta kompensimi në rast aksidenti.
180
Mijë lekë ishte çmimi i siguracionit të një autoveture para katër ditësh.
60
Mijë lekë ka kushtuar siguracioni i një autoveture dje.
Janar, të ardhurat me rritje, kontratat në ulje
Bilanci i muajit janar është tipik ilustrues me atë që po ndodh në tregun e sigurimeve. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raportoi se të ardhurat ndaj kompanive u rritën mbi 30 për qind ndaj janarit , në një kohë që numri i kontratave ka shënuar rënie. Po pse ka ndodhur kjo? Çmimet e siguracioneve të makinave gjatë janarit kanë qenë në nivele të larta në vlerat e mbi 140 mijë lekëve, ndërsa makinat e siguruara kanë qenë më të ulëta në numër. Mirëpo siç shihet, tregu ka patur rezultat mjaft pozitiv në krahasim me vitin 2012, ku të ardhurat e kompanive kanë pësuar rënie pasi kanë ofruar çmime më të ulëta. Numri i kontratave në sigurimin e ‘Jo-Jetës’ kapi shifrën 75 930 duke shënuar një ulje në masën 1.14 % krahasuar me janarin e vitit 2012. Numri i dëmeve të paguara është ulur me 73 dhe kap shifrën 1 588, nga të cilat 1 570 dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të ‘Jo-Jetës’ dhe 18 nga shoqëritë e sigurimit të ‘Jetës’.