fbpx

Mapo Letrare

Tri arsye për të lexuar “Aromat e vjeshtës”





               Publikuar në : 07:55 - 30/03/19 |
Nga Arta Marku

Nga Arta Marku


Të “takosh” një shkrimtar në librari, në morinë e botimeve të sotme, nuk është aq e lehtë sa mund të imagjinohet. Cili duhet zgjedhur mes tyre? Në mënyrë që “takimi” të mos jetë zhgënjyes, shpesh lipset një ndërmjetës. Një artikull në shtyp, një intervistë e autorit, një lexues tek shijet e të cilit beson… Por, nëse vendosim të lexojmë librin e një autori të panjohur gjendemi, njëfarësoj, si brenda një eksperimenti. Se takimi me librin e një autori të panjohur është si takimi me një njeri të panjohur. A do ta ndjejmë kohën që kalon? A do të rrëshqasin minutat apo akrepat do të ngecen? A do të duam ta takojmë sërish atë njeri?



Njohja ime me Grigor Banushin, me letërsinë e tij, i takon rreth 3 viteve të shkuara. Asokohe sapo kishte dalë libri “Mëria e zanave”. E ndërsa nuk dija asgjë për autorin, në logjikën e mësipërme, natyrshëm u gjenda përpara mëdyshjes.


Në këtë këndvështrim pra, eksperimentova me “Mërinë e zanave”…

Vlerësova në atë libër notat e letërsisë policore. Përtej kësaj vlerësova gërshetimim e racionales me iracionalen, reales me irealen. Jo vetëm praninë e zanave por edhe të disa personazheve gjysmë njerëz e gjysmë personazhe që mbërrijnë nga legjendat… Ende e kam shijen e mirë të plakës Marë në atë libër.

Pas MËRISË SË ZANAVE, lexova SIMFONINË E PAMBARUAR dhe së fundmi AROMAT E VJESHTËS… Te “Aromat e vjeshtës” dua të ndal, për të ndarë me lexues të tjerë mënyrën time të leximit të këtij libri. Çfarë kam gjetur aty, si e kam parë, gjykuar, interpretuar?

***

“Aromat e vjeshtës” është historia e një burri të kohës sonë që ndërsa ecën në përditshmërinë e tij, i kthehet vazhdimisht të shkuarës. Ai është gazetar radiofonik dhe shkrimtar njëkohësisht. Realiteti i tij është realiteti i sotëm, ku gjithsecili lexues mund të gjejë detaje të përditshmërisë së vet. Situata të papritura, intriga shpesh në mjedise pune por edhe shoqërore. Thashetheme e vogëlsira të këtij lloji. Dhe padyshim dashuri të përziera me tradhti të pashmangshme. Vendi fizik i ngjarjeve është Tirana e sotme, por personazhet shpesh udhëtojnë gjetiu (jo vetëm në Tiranën e djeshme), brenda dhe jashtë kufijve madje jetojnë andej… Tabloja është shumë e pasur.

Por unë, do të mbështetem në 3 pika për të shpjeguar leximin tim, ndoshta për t’ua lënë lexuesve të tjerë, gjetjen e pikave të tjera, pse jo.

1.

Së pari “Aromat e vjeshtës” është një BALLAFAQIM KOHËSH: e djeshmja dhe e sotmja. Por jo ballafaqim në kuptimin e përgjithshëm të së djeshmes dhe të sotmes. Se e djeshmja dhe e sotmja në këtë libër janë dy epoka thellësisht të ndryshme, të KUNDËRTA MADJE. Janë ato dy epokat që i ndan viti i famshëm 1990. Janë epoka që shpesh herë vihen përballë në letërsinë e sotme shqipe. Tek e fundit është realiteti ynë, i pashmangshëm dhe shkrimtarët nuk i kalojnë dot tangent.

Por cilat janë karakteristikat e paraqitjes së epokave në këtë libër? Ato, sado të kundërta, nuk janë dy sfera të mbyllura në vetvete, pa pika kontakti. Nuk janë as të prekura tangencialisht. Ato madje, nuk janë aspak dy sfera: Janë dy enë komunikuese.

Ne jemi sot këta që jemi, për shkak të asaj që ishim dje. Padyshim, fakti që E SHKUARA NA PËRNDJEK është një e vërtetë e madhe që i takon çdo kohe dhe çdo vendi. Por e shkuara jonë ka veçantitë e saj. Diktatura me privimet dhe problemet e saj është mirëfilli e shkuara jonë. Nuk na mbërrin nga paraardhësit. Ne vetë kemi zgjatimin tonë në atë epokë.

PËRNDJEKJEN QË E SHKUARA NA BËN, Grigor Banushi e ka materializuar, mes të tjerash, edhe nëpërmjet një personazhi.  Është një personazh që vjen nga fëmijëria e protagonistit dhe  merr me vete shumë tipare të asaj kohe. Quhet Krupskaja (si gruaja e Leninit) dhe siç i thotë personazhit qendror, Franc Krajës, ka 35 vjet që e përndjek. Ky nuk e ka ndjerë në fakt, por ajo i është vënë pas…

Krupskaja vjen nga një familje shumë e ideologjizuar, siç merret me mend edhe nga emri, (vëllai i saj quhet Komsomol) dhe përfaqëson një mendësi me të cilën nuk ka një prerje me thikë. Personazhi kryesor ka një fobi ndaj saj, terrorizohet nga prania e saj. Përndjekja e saj i ngjall makth. I ka të gjitha arsyet për të mos dashur të ketë kontakt me të, por ajo është aty: jeton në të njëjtin pallat, përdorin të njëjtin ashensor… Jo rastësisht ashensori, një hapësirë aq e ngushtë, KLAUSTROFOBIKE, ku nuk i shpëton dot tjetrit, është vendi i pashmangshëm i takimit.

Në fakt, zbulova vetëm një detaj, por ballafaqimi i epokave është i vazhdueshëm në libër. Madje edhe si strukturë libri është ndërtuar si një ballafaqim epokash teksa personazhi duke, zbuluar përditshmërinë, kthehet vazhdimisht në të djeshmen, të vetën, të familjes, të shoqërisë.

2.

Pika tjetër, ka të bëjë me VËRTETËSINË

Nga bisedat e shumta që kam pasur me shkrimtarë, nga intervistat e shumta që kam lexuar të shkrimtarëve të tjerë, kam pikasur një lloj refreni të përsëritur prej tyre: “Shkrimtari – thonë ata të gjithë – duhet të shkruajë për një gjë që e njeh mirë”. Që të jetë i besueshëm për lexuesin, që të jetë i vërtetë, duhet patjetër ta njohë atë për të cilën shkruan. Përndryshe lexuesi do ta vërë re menjëherë. Kështjella e tij do të rrëzohet nëse një prej gurëve e ka vënë në vendin e gabuar.

Të vërteta skenat, ngjarjet por edhe personazhet. Më vjen në mendje Hemingueji, i cili në një intervistë kishte përmendur personazhet e rrumbullakët. Dhe personazhet e rrumbullakët janë personazhet tredimensionalë. Nuk duhet të jenë të rrafshët sepse duhet të jenë njerëzit e vërtetë. Duhet të jemi ne, jo  fotografitë tona në letër.

E për ta arritur këtë duhet gjithnjë njohja:

Njohja që mundësohet në mënyra të ndryshme. Disa shkrimtarë thjesht paraqesin realitetin e tyre të cilin e kanë njohur pashmangshmërisht gjatë përvojës. Paraqesnin njerëzit që ata vetë  kanë takuar. Sigurisht, personazhet nuk është e thënë të jenë marrë mirëfilli nga realiteti e të jenë futur në libër. Ata mund të jenë të ndërtuar në laborator, ama patjetër me tipare të vërteta njerëzish realë – sepse po flasim për letërsi realiste tek e fundit.

Në këtë këndvështrim ne e shohin Grigor Banushin që endet në rrugët që vetë i ka shkelur më parë: Kryepersonazhi është gazetar, radiofonik për më tepër. Shkrimtar gjithashtu. Dhe Banushi e di mirë se si punon një gazetar, si komunikon ai me të intervistuarit e tij, sa tekanjozë apo të papritur mund të jenë ata…si bëhet një intervistë, si shkruhet një roman. Në një moment, teksa lexoja, më krijohej ideja se e njihja të intervistuarin tekanjoz të Franc Krajës…

Të vërtetë personazhet qendrorë por edhe dytësorët. Grigor Banushi, me të njëjtin përkushtim që ndërton personazhet kryesorë, ndërton edhe dytësorët. Dhe kështu duhet të jetë. Fundja, pyllin e personazheve të një libri do ta krahasoja me një kopsht botanik i cili ka pemët e mëdha, të larta që bien nga larg në sy por ka edhe lule gjithëfarësojshe që e përmbushin panoramën. Kopshtit i duhen të gjitha bimët.

Mes “luleve” të kopshtit, te “Aromat e vjeshtës”, kemi Bejazen, mamanë e Krupskajas dhe Komsomolit, mjaft origjinale dhe të besueshme; kemi gruan e çmendur, drithëruese që kushdo mund ta ketë fqinjë; Aleksin shkencëtarin që bënte shpikje dhe ankohej vazhdimisht se nuk dinin t’ia vlerësonin. Për të, të tjerët janë ferri.

Të parë e të dytë, personazhet janë po ata që edhe në realitet popullojnë jetën tonë, dhe që e bëjnë librin të GJALLË sa jeta…

3.

Pika e tretë ka të bëjë me TERRENIN PSIKOLOGJIK mbi të cilin endet libri. Unë vura në dukje se libri është historia e një mesoburri, Franc Krajës, gazetar dhe shkrimtar. Ai jeton në Tiranë në një apartament luksoz, me dy kate. E shoqja është studiuese. Ajo mbron doktoraturën në Gjermani dhe prej muajsh çifti jeton gjeografikisht i ndarë. Komunikojnë rregullisht e intensivisht bashkë, por kanë jetët e tyre të pavarura gjithashtu.

Një nga shtyllat e librit është pikërisht marrëdhënia e burrit me gruan. Por jo thjesht dhe vetëm e Francit me bashkëshorten, por me gruan në përgjithësi, me seksin e kundërt…

Si i sheh ai gratë?

Si sillet ai me gratë?

Çfarë është gruaja për të?

Sa i njeh, tek e fundit?

Po gratë vetë, çfarë thonë për veten?

Franc Kraja ka shumë përvoja me gratë por me gjasë, gjendet i papërgatitur para tyre. Në mos i paaftë për t’i kuptuar, i paaftë për t’i parashikuar. Tek e fundit qenia njerëzore është një mister, gruaja, thonë, akoma më shumë. Ama një tis që e vështirëson shpjegimin i mbështjell të dy palët në libër. Francin dhe po aq gratë që e rrethojnë, përsa kohë shkrimtari endet thellësive të errëta të psikologjisë njerëzore.

Përmbledhtas, me gratë dhe me burrat e librit, me veten dhe personazhet e tjerë, me rrëfimet e sotme dhe të djeshme… Franc Kraja, duke na treguar realitetin e vet, nuk bën thjesht një pasqyrë të jashtme.

-Ne nuk shohim vetëm Tiranën me njerëzit e saj;

-nuk shohim vetëm korridoret e një institucioni mediatik;

-nuk njohim vetëm mënyrën se si jetohet në komunitet mes banorëve të një pallati;

-mënyrën se si një i huaj mendon, gjykon apo e fyen Shqipërinë;

-se si një i pushtetshëm abuzon me pushtetin e vet, se si peshku i madh e ha të voglin…

Duke e paraqitur panoramën së jashtmi, tentohet depërtimi në thellësinë e njeriut.

Shtrohen pyetje mbi të gjitha…

Përgjigjet, nuk e ka për detyrë shkrimtari t’i japë.

Madje kur thjesht i shtron pyetjet dhe nuk i jep përgjigjet, libri quhet një libër i hapur.

Librat e mbyllur janë kufizues…

 

***

“Aromat Vjeshtës” është vetëm libri i parë i një trilogjie.

Na mbetet të presim akoma për të kuptuar çfarë pyetjesh do të shtrojë më tej Grigor Banushi lidhur me misterin njerëzor…

“Aromat e vjeshtës” mbaron në fund të vjeshtës dhe në fillim të dimrit. Jashtë bie borë dhe është shumë ftohtë… Por jo vetëm jashtë, në sheshe dhe rrugë. Edhe brenda personazhit është ngricë…

Çfarë do të na rezervojnë stinët e tjera?

 


Etiketa: , , ,

Pas