Një ngjarje e paprecedent dhe skandaloze ka ndodhur me Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme dhe konsullatën e Shqipërisë në Janinë. Plot 100 pasaporta shqiptare janë zhdukur më 13 Shkurt dhe deri më tani i ngarkuari me detyrë si Ministër i Jashtëm, Gent Cakaj nuk ka nxjerr asnjë përgjegjës.
Çfarë ka ndodhur?
Gazeta “Panorama” raportoi se një numër i madh pasaportash ishin nisur me autobusin e linjes Tiranë-Athinë. Dogana e Kakavijës i ka bllokuar pasaportat dhe ka ndaluar shoferin e autobusit me dyshimin se po trafikonte pasaporta. Menjëherë janë vënë në lëvizje autoritetet greke që kanë kontaktuar ambasadën tonë në Athinë. Pasi kanë pritur disa orë në Kakavijë autobusi me pasagjerë është lënë i lirë, ndërsa pasaportat janë sekuestruar. Më pas ka shkuar Konsulli shqiptar në Janinë për të marrë pasaportat në doganë. Por skandali nuk përfundon këtu! Makina e konsullit shqiptar dyshohet se është vjedhur në Athinë, teksa ishte e parkuar. Autorët ende të paidentifikuar kanë marrë plot 100 pasaporta të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi.
Përgjegjësia
E para: Pasaportat duhet të transporheshin me avion si kargo ajrore, ose me rrugë tokësore me mjet me targa diplomatike CD dhe të shoqëruar nga një korrier diplomatik dhe jo në çantë rrobash në autobus udhëtarësh.
E dyta: Ministria jonë e Jashtme dhe konsulli në Janinë, Pervin Gjikuria janë përpjekur ta mbajnë të fshehtë këtë ngjarje që ka ndodhur më 13 Shkurt dhe u mësua pas një jave falë investigimit të medias.
E fundit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e drejtuar nga Gent Cakaj, ka reaguar vetëm pasditen e sotme për ngjarjen skandaloze, pas interesimit të madh të medias. Ministria e Jashtme ka bërë një përshkrim të ngjarjes, por në asnjë rresh nuk thotë se kush janë personat përgjegjës!
Deklarata e plotë e Ministrisë për humbjen e 100 pasaportave
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon sa më poshtë lidhur me rastin e bllokimit të pasaportave shqiptare në Kakavijë dhe humbjen e 100 prej këtyre pasaportave në Greqi:
Në datë 13 shkurt, pasaportat e prodhuara nga kompania ALEAT po transportoheshin drejt Greqisë të ambalazhuara jo në përputhje me praktikat e rregullta të transportimit të pakove diplomatike.
Nisur nga ky fakt autoritetet doganore greke, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, kryen verifikimin e rastit dhe bllokuan pakon me të cilën transportoheshin pasaportat.
Pako me pasaportat shqiptare, u zhbllokua pas verifikimit të tyre dhe takimit të përfaqësuesve të Konsullatës së Përgjithshme të RSH-së në Janinë me autoritetet doganore greke. Theksojmë se ngarkesa ka qenë e shoqëruar me një dokumentacion autorizues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, me anë të të cilit autorizohej një punonjëse e Kompanisë “Top Lines” të dorëzonte aplikimet dhe të tërhiqte pasaportat dhe kartat ID pranë Kompanisë ALEAT, për llogari të Ambasadës sonë në Athinë.
Dërgesa i është dorëzuar përfaqësuesve diplomatikë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Janinë, të cilët kanë proceduar me shoqërimin dhe transportin e tyre drejt Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë.
Gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, në një nga ndalesat e bëra për në ambasadën tonë, pikërisht në rrugën Agion Asomaton të lagjes Thisio, Athinë, prej orës 22.50 deri në orën 00.10, automjeti me targa diplomatike u vandalizua.
Gjendur para një fakti të tillë, janë njoftuar autoritetet policore vendase dhe janë kryer të gjitha procedurat e rastit nga ana e tyre:
1. Kqyrja e ambientit dhe makinës;
2. Marrja e shenjave të gishtërinjve;
3. Deklarimi dhe denoncimi për incidentin, bërë nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, z. Pervin Gjikuria në ambientet e policisë.
Menjëherë, si në rastin e ngjarjes së parë, në kufi, dhe në rastin e ngjarjes së dytë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u angazhua për të marrë masa të menjëhershme parandaluese për evitimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka nisur menjëherë të gjitha procedurat hetimore dhe administrative për të ndëshkuar në mënyrë rigoroze, sipas shkallës së shkeljes, përgjegjësit për këto praktika që shkojnë në kundërshtim me rregullat dhe ligjet në fuqi.
Ministria e Brendshme në bashkëpunim me kompaninë ALEAT, kanë marrë masat për nxjerrjen jashtë përdorimi dhe shpalljen e pavlefshme të këtyre pasaportave, si dhe angazhimin për të përshpejtuar procedurat e riprodhimit dhe zëvendësimin e tyre.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka udhëzuar të gjitha instancat e nevojshme që qytetarët e prekur nga dëmi i shkaktuar të ri-aplikojnë pa shpenzime dhe lëshimi i pasaportave të reja të bëhet me urgjencë.
Cakaj nuk ruan dot pasaportat jo me kufijte e Shqiperise e Kosoves. Turp kombetar(!)