Op Ed

Triptiku miks, Relativizimi i të mirës






               Publikuar në : 10:08 - 04/07/19 |
mapo.al

Erion Kristo


Më pëlqejnë provokimet. Ka njerëz që pëlqejnë provokimet seksuale, ka syresh që pëlqejnë provokimet politike, por mua më pëlqejnë provokimet intelektuale, ajo që amerikanët e quajnë ushqim për mendimin (food for thought). Kjo gjë bëhet më kollaj në rrjetet sociale, sepse aty ka qindra njerëz. Është kënaqësi të marrësh reagime, sepse është si një lloj eksperimenti social. Kjo është krejt e zakonshme për studiuesit anembanë botës, prandaj nuk duhet të duket si një lloj djallëzie. Ndonjëherë përmes një ngacmimi të thjeshtë në fejsbuk, merr të dhëna për të cilat disa organizma ndërkombëtarë harxhojnë shprehimisht miliona dollarë. Në këtë rast, kosto është zero. Duhet vetëm pak vullnet për të lexuar përgjigjet.

Një nga provokimet e fundit ishte me nuanca politike, por në fakt nuk kishte të bënte dhe aq me politikën se sa me qëndrimin e njerëzve ndaj politikës. Provokimi ishte i thjeshtë, nga ata që harxhojnë fare pak fjalë, dhe germat e fejsbukut mbeten ende të mëdha dhe lexohen qartë. Provokimi thoshte: “Po sikur të krijojmë një parlament dhe qeveri paralele me njerëz të mirë?”. Provokimi qartazi nuk është një veprimtari antikushtetuese, përderisa dhe opozitës i lejohet të krijojë një qeveri hije, një qeveri paralele. Marrim shembullin e Ramës kur u bë Kryeministër.

Ai zhvilloi disa mbledhje qeverie, pa u konstituuar si qeveri, madje i bëri në rrethe të ndryshme të vendit. Kjo do të thotë se është e lejuar të mendosh të bësh më mirë diçka që është bërë keq. Në kushtet ku jemi katandisur ku nuk njohim kush na qeveris apo kush na bën ligje, është e lejuar të ëndërrosh më të mirën, kuptohet pa cenuar ligjshmërinë, sepse ëndrrat ende lejohen në këtë quasi monizmin tonë. Por qëllimi nuk ishte fare këtu. Nuk kemi ndërmend as të krijojmë qeveri paralele, as të krijojmë parlament paralel. Ne thjesht duam të dimë, nëse njerëzit janë të prirur ndaj më së mirës, nëse njerëzit janë të mërzitur me të keqen, dhe nëse ka njerëz më të mirë në këtë vend që mund të na drejtojnë në vend të paaftësisë. Dhe reagimet ishin të mira. Kishte plot njerëz që donin diçka të re, që bashkoheshin me idenë, ashtu siç kishte njerëz që u dukej qesharake kjo ide. Dihet se shpesh shqiptarët kanë vështirësi në komunikim, ndryshe shkruhet, ndryshe lexohet, ndryshe reagohet.

Po më shpesh hasej mosbesimi dhe relativizimi i të mirës, a thua se na mungon një standard mendor, një standard hierarkik për të vlerësuar të mirën. Çfarë është e mira? A është vërtet kaq e vështirë ta përcaktosh? A paskemi ne vështirësi si popull të japim një përkufizim të së mirës? E përse popujt e tjerë nuk e paskan këtë problem? Përse kudo nëpër botë nderohet hierarkia e vlerave, kurse ne e kemi kaq të pamundur? Renditja e këtyre pyetjeve na duket një akt i rëndësishëm intelektual. Një komunitet nuk është i tillë vetëm sepse ka disa të përbashkëta fizike dhe gjeografike, por mbi të gjitha kur ka një sërë vlerash, dhe vlera e së mirës mbizotëron ndaj gjithçkaje. Këtë e kanë thënë rilindasit tanë dhe duhet marrë sërish parasysh. Por a kanë të drejtë njerëzit të habiten nga një ushtrim kaq i thjeshtë intelekti? Qindra njerëz marrin pjesë në lojëra qesharake dhe fëminore nëpër rrjetet sociale: Cila vozë do mbushet e para? Po vozën e mendjes kush do ta mbushë? Dhe me çfarë? Përse njerëzit rrudhin buzët kur flitet për njerëz të mirë? A nuk jemi ne në gjendje të pikasim njerëz të mirë rreth nesh? Ky është një problem gjigant dhe aspak i vogël.

Shpesh ne mahnitemi me njerëzit që na rrethojnë, qoftë sepse janë të vetmit që njohim, qoftë sepse ne duam ata që na përkëdhelin, por mbi të gjitha sepse ata janë njerëzit që kuptojmë. Në krijimin e një aradhe njerëzish të spikatur ka pengime të mëdha. Pengimi kryesor është shteti dhe përdorimi i shtetit si të ishte send vetjak. Duhet të na kujtohet se si ish kryeministrat tanë mburreshin me njerëzit që na paraqisnin, që për ta ishin të shkëlqyyeer, ose ndonjë tjetër sillte njerëz me thonj të paprerë dhe këta të thonjve pastaj këta thonj na i kallnin në fyt, apo disa artistë të larguar nga Shqipëria për të gjetur avenirin nëpër botë dhe që na kthehen si të ishin shpëtimtarë dhe njerëz të larë, për të mos folur për figurat më të larta të qeverisjes. Po kjo nuk është asgjë. Gjëja më e keqe në përcaktimin e njerëzve të mirë është fakti i vlerësimit të disave ndër ne për kontributet. Nuk po flasim këtu për pensionet e posaçme, të shpërndara si të ishin arrat e babait. Po flasim pikërisht për çmimet, ato në rang republike, ato në rang qeverie dhe ato në rang vendor. Pikërisht ato çmime që dallojnë “bletët” nga njëra-tjetra.

Po cilat janë figurat që marrin çmime presidenciale dhe përse kaq shumë çmime shpërndahen? Përgjithësisht janë qoka, njerëz me kontribute normale. Një këngëtar nuk mund të marrë çmim si këngëtar, edhe kur ka shumë kontribut. Ajo është puna e tij. Përse një shofer autobusi nuk u dashka të marrë çmimin kombëtar Mjeshtër i Punës? A thua nuk punon ai? Besohet se çmimet duhet t’i marrin gjithmonë njerëz të jashtëzakonshëm në kontribute dhe jo njerëz të zakonshëm. Dhënia e shumë çmimeve ul jo vetëm nivelin e çmimeve, por barazon vlerat, i sheshon ato. Ndaj njerëzit e kanë të vështirë të përcaktojnë se kush është një njeri i mirë. Kur vetë institucionet kanë vështirësi të tilla, përse duhet ta vëmë fajin te njerëzit? Natyrisht, ne nuk jemi nga ata që nuk i ndajmë fajet me peshoren e farmacistit. Nuk e përjashtojmë as popullin nga kjo vendimmarrje, sepse është një vendimmarrje e madhe të përcaktosh se kush janë njerëzit e mirë. Vetë populli po nderon haptazi, në një mënyrë ose në një tjetër, pikërisht ata që e nëpërkëmbin. Kjo duket qartazi te numri i madh i njerëzve që sundohen nga banditë të të gjitha llojeve në të gjithë hapësirën e republikës sonë. Këta “njerëz të mirë” bëjnë qoka, përmbushin dëshira, por kërkojnë dhe haraç. Dhe njerëzit e dinë shumë mirë.

Nuk po përmendim këtu ata “njerëzit e mirë” që të shërojnë anembanë atdheut. Njëri madje të shëronte duke të prekur gjenitalet lakuriq. Po kaq dobët jemi me përcaktimin e të mirës, sa çdo sharlatan i mundshëm feston në kurrizin tonë. Ndaj u shprehëm se ky problem është shumë problem. Identifikimi i njerëzve të mirë është i lehtë. Do të duhej thjesht që njerëzit të mos e hanin pa e larë ushqimin e politikës dhe, gjithashtu, të hiqnin dorë nga koncepti i “njeriut të mirë”, koncept në të cilin përfshijmë turli njerëzish që nuk kanë asnjë virtyt njerëzor. Në këtë kategori bëjnë pjesë dhe njerëz që kanë vjedhur haptazi fare dhe as janë rrekur ta fshehin pasurinë e tyre. Sa herë që shkon për të pyetur për ndonjë apartament, njerëzit e dinë se këtë e ka një doganier, atë e ka një skafist, atë e ka një politikan ose i biri i tij. Është shumë shumë shumë qesharake kjo gjendje mendore, kjo derexhe mendore. Ne e dimë se kush na vjedh dhe në heshtje e çmojmë.

Pasi të heqim dorë nga politika dhe kategorizimi i gjerë, duhet të ngushtojmë rrethin e “njerëzve të mirë”. Njeri i mirë është ai që nuk abuzon me të tjerët, as me veten e vet. Njeri i mirë është ai që u jep të tjerëve diçka nga vetja e vet, që sheh përtej vetes së vet. Njeri i mirë është ai që synon më të mirën në fushën e profesionit të vet, por dhe në shoqëri përmes kauzave që mbron. Njeri i mirë është ai që shfaq dhembshuri dhe mbështetje ndaj të dobëtit. Njeri i mirë është ai që ngrihet kundër tiranit, që rrezikon dhe veten e vet për një kauzë të drejtë. Njeri i mirë është ai që shikon larg, pra që është largpamës. Njeri i mirë është ai që e do këtë vend, që i do njerëzit tanë, që ua fal gabimet dhe i nxit drejt së mirës. Njeri i mirë është ai që studion shumë, që përmirëson vetveten, dhe jo thjesht ai që bën stërvitje.

Trupi ka rëndësi, por trupi pa shpirtin është investim i kotë. Njeri i mirë është ai që… Këtu do ta ndërpresim recetën tonë. Nuk jemi doktorë. Nuk bëjmë terapi. A e kemi marrë këtë metodë shkrimi nga përrallat e 1001 netëve, ku ngjarja ndërpritet në kulmin e vet, për ta vazhduar të nesërmen? Ndoshta. Por ndoshta ne thjesht kërkojmë që dhe të tjerët të shtojnë atë të tyren në këtë recetë. Dhe sot, të zhdukësh relativizmin e së mirës, për të skalitur tiparet e saj, besojmë se është diçka më e rëndësishme se sa një investim strategjik. Nëse mjetet që shoqëria ka për të vlerësuar, janë të pakalibruara, atëherë produkti do jetë shumë relativ, nuk do ngjisë dhe do ushtrojë efektin e kundërt. Emrat e shkollave dhe të rrugëve e të shesheve e tregojnë. Ose më saktë nuk tregojnë asgjë. Ndaj duhet goditur fort relativizimi i së mirës. E mira nuk është kaq abstrakte sa duan ta bëjnë. Njerëzit e dinë fare mirë se ku janë restorantet e mira, plazhet e mira etj. etj. Duhet thjesht të tregohemi më pak syleshë.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas