Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në mbrëmje në lagjen “10 korriku” e njohur si lagja ‘Centrale’ në qytetin e Vlorës. Një sasi lënde plasëse ‘tritol’, e cila ishte vendosur në banesën e një personi ka shpërthyer, duke plagosur një 36-vjeçar i identifikuar si Eljus Thartori, dhe duke shkaktuar dëme në banesë. Në momentin e shpërthimit, Thartori po qendronte në ballkonin e banesës.
I plagosuri është dërguar menjëherë në spital me dëmtime të rënda në gjymtyrë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Burime për mediat, ende të pakonfirmuara, bëjnë me dije se 36-vjeri Thartori mendohet të ketë pasur precedent të mëparshëm penal në Itali.
Ende nuk bëhen me dije shkaqet e vendosjes së lëndës plasëse, por policia dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Është rrethuar zona dhe po merren në pyetje persona që mund të kenë dijeni në lidhje me ngjarjen. Gjithashtu po vrojtohen edhe kamerat e sigurisë pranë banesës.