Një sasi tritoli i është vënë një lokali lojërash fati në qytezën e Laçit të Vaut të Dejës, ndërsa dyshohet se motivi është konkurrenca. Ka qenë ora 01.00 e së dielës kur nga persona të paidentifikuar është vendosur një sasi e vogël lënde plasëse tritol në lokalin e lojërave të fatit “Apex”, në pronësi të B.A., 27 vjeç, banues ne lagjen “Partizani” të qytetit Shkodër. Lokali ndodhet në qytetin e Laçit të Vaut të Dejës në Shkodër dhe si rezultat i shpërthimit janë dëmtuar xhamat e një dritareje, dera e jashtme e lokalit dhe një grilë metalike. Dëmtime në njerëz nuk ka patur, pasi në atë moment lokali ka qenë i mbyllur. Mësohet se autorët kanë thyer xhamin e dritares dhe e kanë hedhur lëndën plasëse brenda. Policia tha se po punohej për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Një nga pistat ku po hetohet nga policia është ajo e shkatërrimit të pronës me dashje për shkak të konkurrencës. Ky është rasti i dytë në 10-ditëshin e fundit të janarit të këtij viti, ku në Shkodër vihet lëndë plasëse. Më 21 janar u vendos lëndë plasëse në derën e jashtme të banesës së shtetasit Admir Tafili në qytetin e Shkodrës. Burime nga policia bëjnë të ditur se për të dy rastet po hetohet, por akoma nuk ka autorë të identifikuar