Atalanta ka marrë një fitore me aromë Championsi pasditen e sotme në Firence. Bergamaskët përmbysën avantazhin e vendasve, të cilët kishin shënuar me anë të Federico Chiesës në minutën e 32-të.
Duvan Zapata ishte ai që vuri baraspeshën në fillimin e pjesës së dytë, me kolumbianin që shfrytëzoi një pasiguri në mbrojtjen e vjollcëve.
Atalanta vijoi të këmbëngulte dhe në minutën e 72-të u shpërblye. Ruslan Malinovsky, i ardhur nga stoli shënoi me një goditje mjaft të bukur nga jashtë zone.
Më pas, të besuarit e Gasperinit administruan gjithçka deri në fund, duke marrë tre pikë të arta për zonën Champions. Ekipi nga Bergamo e sheh veten tashmë me 3 pikë më shumë se Roma e vendit të pestë.