Editorial

Triumfi i absurdit






               Publikuar në : 22:50 - 30/06/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Pas kësaj të diele të gjatë, pa fund, një bilanc do të kërkojë më shumë kohë të bëhet. Por disa gërmadha janë aty, dhe nuk mund të mos përmenden.



Dy njerëzit më të rëndësishëm të politikës dolën rreth orës 21:00 dhe shpallën fitoret, duke mos lënë shenja se kanë ndërmend të reflektojnë për një humbje të madhe, që është ajo se, politika gjendet sot në ditën e saj më të keqe.

Duhet të ketë të dhëna serioze, po do të mjaftonte një vëzhgim i përciptë në ambiente normale në Tiranë e kudo, për të parë se sa u është tëhuajtur njerëzve politika.

Nëse politika bëhet e neveritshme, kush është ai politikan që përfiton. Njësoj sikur futbolli të bëhet i padurueshëm, ç’leverdi do të kishin po të spikasnin në fushë Mesi dhe Ronaldo.

Ajo që ndodhi, ku qytetarët nuk patën mundësi të bëjnë zgjedhje në vitin 2019, nuk është aspak faji i shqiptarëve.

Aq më pak, nuk është faji i tyre që mijëra u trajtuan si skllevër dhe ishin nën detyrim për bukën e gojës, për vendin e punës, për t’u paraqitur në qendrat e votimit bashkë me familjarët e tyre.

Është kryekreje produkt i politikës.

Sigurisht, në krye të kësaj qëndron kryeministri dhe ai ka meritën kryesore pse përfunduam në këtë batak.

Ndërkohë banaliteti vazhdon.

Asnjë të re nga krimet elektorale, asnjë sinjal që mbushja e kupës do të sjellë një esëllim, sepse shefi i qeverisë u angazhua për mostërheqje nga kursi, edhe pse përdori shprehjen, dora është e shtrirë.

Tani që zotëron çdo qendër ekzekutive dhe 100 për qind të territorit, Rama nuk dha asnjë shenjë që duhet të japë një njeri normal, kaq i mbingarkuar me pushtet. Përkundrazi.

Nga ana tjetër, kreu i opozitës, me gjithë përpjekjet që bëri, nuk ia doli të pengonte këto lloj zgjedhjesh, dhe sakrifica disamujore shkoi e gjitha në një vullnet për të rikthyer marrëdhëniet normale me vendet e rëndësishme, me BE dhe SHBA, duke mos lejuar asnjë incident serioz.

Me gjithë protestat masive dhe të pahasura më parë, lidershipi i opozitës nuk arriti ta bënte çështjen e votës, një çështje të qytetarëve, të njerëzve, siç e meriton të jetë. Mesazhi nuk depërtoi dot, dhe angazhimi kryesor ngeli brenda strukturave.

Edhe pse moralisht PD ka superioritet, aty ende nuk duket se janë afruar njerëz, të rinj, figura të spikatura. Dhe prapë, nuk sheh një ekip të shpallet e të marrë përgjegjësi. Shumë prej aktorëve, janë prej dekadash aty.

Po ashtu, votimet u lanë pa u monitoruar nga brenda prej opozitës, duke lënë kaq shumë hapësirë për abuzime me kutitë, me pjesëmarrjen.

PD e kishte në dorë ta bënte këtë duke qenë pjesë e komisioneve, dhe do të bënte kështu detyrimin ndaj qytetarëve për transparencë.

Sepse shumë vota padyshim janë shprehje dufi e revolte, po kush garanton se ato do të llogariten, duke qenë se janë vetëm në duart e anëtarëve të Partisë Socialiste.

Kjo pastaj rrezikon të kthehet e gjitha në debate e replika të zakonshme mes qeverisë dhe opozitës.

I gjithë ky teatër sot, nuk e gjen politikën tonë më të maturuar, më të esëllt, përkundrazi.

Sot, një ditë më pas, gjendja është e atillë, sa vetëm një ndërhyrje energjike nga faktorët e fuqishëm ndërkombëtarë, nga miqtë e Shqipërisë, do të bënte të mundur korrigjimin e asaj ç’ka ndodhur, dhe vendosjen e një normaliteti në vend.


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas